Kuvendi i Prishtinës diskuton për ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore
Me iniciativë dhe kërkesë të Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti seacë të jashtëzakonshme lidhur me fushtën për 16 ditë aktivizëm dhe rastet e fundit të vrasjes së grave.
Violetë Salihu si inincuese për këtë pikë tha se në javën e parë të 16 ditëve të aktivizimt kundër dhunës në baza gjinore Kosova u përball me dy vrasje mizore ndaj grave.
“Në kohën kur flitet për dhunën në bazë gjinore ndodhën dy vrasje ndaj grave. Kjo bënë që secili prej nesh të vazhdojë me përpjekje në mënyrë që raste të tilla mos të përsëriten. Nga ky Kuvend të kërkohet përgjegjësi për to dhe inspektim zingjiror e të jepet llogaridhënie”- ka thënë Salihu.
Sipas saj, vetëm për një vit Prishtina shënon 30% rritje të dhunës në familje.
“Është fatkeqësi që në një qytet si Prishtina brenda një viti të shënohet rritje e rasteve të dhunës në famije rreth 30%, mungesa e reagimeve nga gjyqësia dhe prokuroria është shqetësuese. Vetëm në Prishtinë nga muaji janar deri në tetor janë raportuar 361 raste të dhunës me bazë gjinore. Ka edhe shumë raste që nuk janë raportuar pasi trajtimi i tyre është dekurajues”- shtoi ajo.
Në vitin 2019, sipas Salihut, kanë qenë 281 raste, në vitin 2020 ishin 330 raste dhe në vitin 2021, 412 raste.
Nënkryetarja e komunës, Donjeta Sahatciu u shpreh se ky 16 ditësh i ditëve të aktivizmit ka qenë më i zymti që mbahet mend.
Sipas saj, nuk duhet të ketë arsyetim për dhunën por as dekurajim nga mënyra si institucionet relevante po merren me viktimat.
“Ky 16 ditësh i fushatës kundër dhunës në bazë gjinore ishte tragjik, më i zymti që e mbajmë në mend. Në javën e parë humbën dy gra, që u vranë nga burrat e tyre. Diskutuam dy ditë për letrën e vrasësit të Hamide Magashit se mos ndoshta e ka merituar. Nuk ka arsyetim për dhunën, kështu thotë edhe konventa e Stambollit. Me thirrjet për raportim duhet krijuar besim se mbrohesh dhe nuk pyetesh se ‘çfarë ke bërë ti”- u shpreh më tej nënkryetarja.
Sahatçiu bëri thirrje që të blihen byzylykë elektronik që paralajmëron viktimën kur dhunuesi është afër. Po ashtu bëri thirrje që gratë të arsimohen e fuqizohen ekonomikisht, pasi kështu ka më pak mundësi që të jenë pjesë e dhunës sistematike e që në raste po përfundon me vrasje.
Derisa, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në komunë, Adelinë Sahiti tha se si Kuvend kanë marr vendim që t’i mbështesin financiarisht viktimat e dhunës në familje.
“Në këto 16 ditë të aktivizimit ne si kryeqytet po dëshmojmë se jemi pranë viktimave dhe jo vetëm, duke mbështetur strehimoret, hapësira. Si kuvend kemi mbështetur financiarisht këto viktima që ato deri në dy vite të mos jetë e varur nga dhunuesi”- u shpreh ajo.
Asamblisti nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla u shpreh se shumë aktgjykime në Kosovë janë nxitje për dhunë.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar të mbrojë viktimat.
“Shumë aktgjykime në Kosovë janë nxitje për dhunë, vrasjes i paraprinë një dhunë sistematike. Drejtësia është një prej hallkave të shtetit që do duhej të mbronte viktimën, sistemi ka dështuar edhe në raport me dhunën më bazë gjinore ose thjesht është ndërtuar për të qenë selektiv”- ka thënë ai.
Pas diskutimeve, asamblistë të Kuvendit Komunal dolën me disa rekomandime si në vijim:
Fuqizimi i mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje, fuqizimin e qendrave për punë sociale, raportimi në bazë 6 mujore në Kuvendin Komunal nga Këshilli komunal për siguri në bashkësi, qendra për punë sociale dhe policia, të rritet përkrahja financiare e strehimoreve, të këtë organizime në nivelin lokal si ajo ‘java e gruas’, ndriçimi i të gjitha rrugëve në kryeqytet, linja e këshillimit për persona të dhunuar, avancim profesional për gratë e dhunuara, të aplikohet një formulë komunale për sigurim banimi përmes apartamenteve që ndërtuesit i dhurojnë komunës për strehim të viktimave, të parandalohet braktisja e shkollave nga vajzat, vendosja e kamerave të sigurisë në parqe dhe hapësira publike si dhe senzorë me zë në parqe.