Martesat e hershme, shqetësim në Kosovë

Në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” në kino “Armata” me mbështetjen e UNMIK-ut sonte është shfaqur filmi i shkurtë “Romni” dhe dokumentari “Si një grua e vërtetë“, përmes të cilëve synohet rritja e vetëdijes për parandalim të martesave të hershme në komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptas.

Zëvendës përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm e UNMIK-ut në Kosovë, Beri Friman e cila u shpreh se pandemia COVID-19 ka ndikuar që në gjithë botën për 10% të rriten martesat e hershme.

Ajo u shpreh se përkundër përkushtimit në Kosovës gjendja është shqetësuese dhe kjo e ka bërë edhe më të vështirë për shkak të pandemisë dhe kushteve socio-ekonomike.

Friman shtoi se përmes filmit “Romni” dhe dokumentarit që u shpalosën sot synojnë parandalimin e martesave të hershme te komunitetet.

“12 milionë vajza nën moshën 18-vjeçare dhe vajzat që martohen para moshën 18- vjeçare do të përjetojnë dhunë familje dhe jo befasueshëm vajzat që martohen para moshës 18-vjeçare kanë rezultate jo të mira si me bashkëmoshatarët e tyre. Pandemia COVID-19 ka përkeqësuar situatën në vitin 2021, me 10% rritje të martesave të fëmijëve. Në Kosovë është bërë një punë e përkushtuar për të zvogëluar shkallën e martesave të hershme të fëmijëve nga të gjitha komunitetet. Situata mbetet shqetësuese dhe sidomos për shkak të gjendjes me pandeminë dhe kushteve socio-ekonomike”, u shpreh ajo.

Aktivistja e komuniteteve, Sadete Gashijan u shpreh se përmes dialogut me familjet e komuniteteve kanë arritur të ulin shifrat e martesave të hershme tek romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Ajo tha se kanë pasur shumë vështirë t’i bindin prindërit për të mos i martuar në moshat e reja vajzat e tyre, por synimet e tyre tashmë i kanë arritur.

“Qëllimi ka qenë për t’i ndaluar martesat e hershme moshën 14-15 vjeç në Mitrovicë, sepse ka pasur mosha të reja që janë martuar vajzat, por më shumë që kemi bërë kemi shkuar nëpër trajnime kemi folur me prindërit, pak ka qenë e vështirë për t’iu thënë që të mos i martojnë vajzat, kanë thënë se nuk është vajza jote… Gjithë qëllimi që është më i miri në komunitete te ne. Në Mitrovicë ka qenë problem nuk ka mundësi assesi për t’i ndaluar dhe tani me kohën janë vetëdijesuar njerëzit për t’i ndaluar martesat e hershme”, tha ajo.

Drejtoresha e Rrjetit të organizatave të grave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, Shpresa Agushi përmes këtij rrjeti po punojnë që gratë e komuniteteve të flasin për padrejtësitë me të cilat ballafaqohen.

Agushi theksoi se çështja e martesave të hershme është një dukuri prezente në gjitha komunat ku jetojnë komunitetet RAE.

Ajo ka theksuar se familjarët nuk duhet të thirren mbi traditën për t’i martuar në mosha të hershme, pasi përmes respektimit të traditës nuk respektohet ligjet e Kosovës.

“Ne me vite flasim në emër të tyre ne do të vazhdojmë ende të flasim në emër të tyre, por do të jemi më të fortë nëse flasim gjithë së bashku ne dhe gratë dhe vajzat e komunitet RAE, sepse ato duhet të kenë forcën që të flasin për veten dhe jo të flasë dikush tjetër në emër të tyre, sepse janë ato që ballafaqohen me çështje të të drejtave të grave dhe ato duhet të jenë pjesë e ndryshimit… Unë jam kundër fjalës traditë që të martohen herët, është mos implementimi i ligjeve ekzistuese të Kosovës dhe në momentin që nuk kemi implementim, njerëzit jetojnë sipas dëshirës, ju lutem harrojeni fjalën traditë, sepse atëherë do të jetë traditë edhe për shumë komunitete të tjera”, theksoi ajo.

Ndërsa, Driton Berisha nga Fondi për Arsimimin e Romëve u shpreh se vetëm përmes shkollimit mund të ecet përpara. Por theksoi se deri tek martesat e hershme po ndikon edhe varfëria.

“Sa i përmes martesave të hershme unë besoj që ne mund të lidhim me shumë faktor të ndryshëm dhe të gjithë faktor çojnë te varfëria… Ne duam që romët, ashkalinjtë, egjiptianët së pari të shkollohen për të parë hapësirën që të kenë mundësi për shkollimin e tyre. Dua të jem në gjendje t’i them vajzës time siç jam duke bërë sepse duhet të jemi optimistë në komunitetin tim se shkollimi që ndjek asnjëherë nuk mund të dorëzohet, por ne duhet të punojmë shumë më shumë që të shohim se kjo është e mundur. Vazhdoni shkollimin dhe pastaj ia dalim”, tha Berisha. RTK