Komuna e Prishtinës themelon Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca

Komuna e Prishtinës ka themeluar një drejtori të re që fokus do ketë sigurinë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama bëri të ditur se qëllimi i kësaj drejtorie do jetë siguria e jetës së qytetarëve dhe reagimi më i shpejtë në raste të urgjencave.

“Qeverisja  lokale është thelbësore për organizimin e jetës shoqërore e politike. Qasja ndaj sigurisë kontribuon në marrëdhënie mes shtetit dhe shoqërisë. Disa nga shumë çështje që prekin sigurinë janë ajo e qytetarëve, siguria në komunikacion, hapësirat publike, qentë endacak, nxënësit në shkolla, etj. Shoqëria jomë është e ndjeshme në këtë fushë dhe të gjithë përballemi me kërcënime të llojllojshme”- tha Rama.

Lulzim Fushtica do jetë drejtor i kësaj drejtorie. Ai ka qenë drejtor në akademinë për sigurinë publike, ka punur si këshilltar për siguri në Ministri të Punëve të Brendshme dhe koordinator i programit për parandalim të radikalizmit dhe ekstremizimit të dhunshëm.

“Do fillojmë me një analizë të rreziqeve që i kanosen kryeqytetit”- tha Fushtica.

Sipas kryetarit Rama, pushteti lokal ka më shumë njohuri lidhur me problemet e sigurisë.

“Numër i madh i qytetarëve nuk e shohin sigurinë vetëm si përgjegjësi të policisë dhe pushtetet lokale kanë më shumë njohuri për problemet. Identifikimi i hershëm i dukurive negative dhe parandalimi i tyre është qëllim i kësaj drejtorie”- tha Rama.

I pari i Prishtinës theksoi se kjo drejtori do përgatit rrugën për themelimin e policisë së kryeqytetit, aspektin e sigurisë në pjesën rurale dhe urbane, rreziqet për pronën e qytetarëve, themeloj njësi të veçanta bazuar në nevojat e kryeqytetit, koordinim me agjencinë emergjencave, do ofrojë siguri përreth shkollave, etj.

Shtimi i numrit të drejtorive është pjesë e planit qeverisës së kryetarit Përparim Rama. Aktualisht komuna e Prishtinës ka 16 drejtori.

Derisa, komuna ka në plan edhe formimin e drejtorisë Qyteti i Mençur.