Kurti tregon arsyet e shtyrjes së vizitës në ShBA 

Në fund të muajit shtator të vitit 2021 në Kosovë kishte dyshime nga opozita se kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, i ishte refuzuar viza për të udhëtuar në SHBA. Në atëkohë lajmi u denocua si i rrejshëm, ndërsa premtimi i kryeministrit që vizita do ndodhë në nëntor 2019 nuk ndodhi.

E më pas, nga Zyra e Kryeministrit u tha se kreministri do të udhëhtojë në SHBA në pjesën e parë të vitit 2022.

Tash kur kemi hyrë në javën e dytë të muajit mars, kryeministri Kurti ka deklaruar se vizita e tij do të ndodhë këtë pranverë dhe më së largu deri në qershor kur do të ndodh rishikimi i buxhetit të vitit 2022.

“Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, jemi të detyruar që ta s’postojmë muaj pas muaj, por nuk vjen në shprehje të bëhet rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në ShBA, sepse po e shoh se ndoshta ju jeni më të interesuar se unë. Edhe unë jam i interesuar që të shkoj, edhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u përgjigj kryeministri Kurti në konferencën për media.

Ai ka thënë se shtyrja e vizitës deri më tani është bërë për shkaqe logjistoko-teknike.

“Besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike sepse nuk mund të shkoj për tri ditë atje. Kur të shkoj në ShBA, nuk shkoj për tri ditë, dua të shkoj 10 ditë ose dy javë sepse edhe është një shtet shumë më i madh e shumë më larg, por edhe takimet që du t’i bëjë atje do të jenë edhe më të shumta”, tha fillimisht Kurti.

Historiku 

Vizita e Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përfolur që nga shtatori i vitit të kaluar kur në një vizitë në SHBA është paralajmëruar se do të udhëtojë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas vizitës së paralajmëruar të Presidentes Osmanit në SHBA, kishte reagime të opozitës edhe për shkak se gjatë muajit korrik dhe gusht Qeveria e Kosovës kishte vendosur që bëheshin studime të tjera për projektin e Gazit.

Temë e debatit u bë edhe çështja e vizës amerikane për Kurtin, për të cilën ai u detyrua të jepte sqarime para deputetëve në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Ai kishte thënë se nuk ka aplikuar për vizën Amerikane, pasi në Amerikë do të udhëtonte Vjosa Osmani.

“Kemi vendosur që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që mbahet tash rregullisht në fund të shtatorit, të shkojnë presidentja e vendit dhe ministrja e Punëve të Jashtme. Pra, unë nuk kam aplikuar për vizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse nuk e kemi pasur synim që të shkoj në këtë”, ka thënë ai.

Tutje, Kurti në foltoren e Kuvendit e kishte paralajmëruar një visit të tij në SHBA, në nëntor të vitit 2021.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të udhëtoj në nëntor. Pra, në muajin nëntor do të udhëtoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj deklarate, sërish kishte akuza nga opozita përkatësisht kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili kishte thënë se Kurti kishte prishur marrëdhëniet me ShBA-në për shkak të refuzimit të gazsjellësit amerikan.

“Ky njeri (Albin Kurti) dje ka marrë vendimin më anti-shqiptar ndonjëherë. Ai ka refuzuar projektin për gazsjellësin amerikan”, kishte thënë Haradinaj në një konferencë për media ( 1 Tetor 2021 ).

Nëntori kaloi dhe Albin Kurti nuk e realizoi vizitën e paralajmëruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Forumin e Paqes në Paris, në nëntor të vitit 2021, është takuar me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris.

Kryeministri Kurti në shumë raste ka deklaruar në marrëdhëniet me ShBA-në janë shumë të mira, e që në këto deklarata bazohej edhe në bisedat që kishte me zyrtarë amerikan, sic ishte biseda me 03.12.2021 me Gabriel Eskobar, zëvendës Ndihmës Sekretar i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurse, me datën 4 dhjetor, Zyra e Kryeministrit kishte lëshuar një deklaratë sa i përket vizitës së paralajmëruar për muajin nëntor.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse, përfshirë Uashingtonin”, kishte njoftuar zyra e Kryeministrit me datë 4 dhjetor 2021.

Takimi me zëvendëspresidentet e SHBA-ve

Kryeministri Kurti ka takuar në zyrën e tij ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Tri javë më pas, në Prishtinë Kurti do të priste tani në vizitën e parë zyrtare në Kosovë, zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobarin.

Gjatë gjithë kësaj kohe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti megjithatë do të zhvillonte disa vizita të rëndësishme në disa shtete perendimore, e do të merrte pjesë në disa Samite të rëndësishme.

Konferenca e Sigurisë në Mynih e Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Londër ishin disa nga këto vizita, e që në këtë të fundit u takua edhe me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson.