Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës - Foto: KALLXO.com

Komuna e Fushë- Kosovës i thotë ‘Jo’ vendimit të Haradinajt për deponinë e mbeturinave

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës ishte votimi për lokacionin e ndërtimit të objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 29 maj kishte marrë vendim që fshati Harilaq i Fushë- Kosovës të jetë lokacioni për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme.

Por, këtë vendim e kundërshtuan sot shumica e asamblistëve të Kuvendit Komunal.

Ali Ismaili nga Partia e Drejtësisë në këtë seancë tha se lokacioni për këtë deponi është që nga fillimi i gabuar.

“Vendi është i gabuar nga fillimi, në start është vendi i gabuar, a e dini pse, po prishen pyje për të ndërtuar një magazinë. Nuk po flas për magazinën çka përmban”, tha Ismajli.

Ismajli shtoi se në Kosovë ka shumë vende të tjera ku mund të ndërtohet kjo magazinë.

“Keni thera në krejt Kosovën e vende sa të doni, jo në Drenas, as në Ferizaj, as në Fushë- Kosovë, keni plotë vende ku mundemi me i gjete së bashku, prej Zyrës së Kryeministrit, Zyrës së Ministrit të Mjedisit, në krejt Kosovën me hulumtu dhe me gjetë një vend me thera ku as dreqi nuk bënë vo”, tha Ismajli.

Asamblistët në këtë seancë të jashtëzakonshme kërkuan që të  krijohet një ekip profesional në nivel të Kosovës që të gjendet një lokacion tjetër për këtë deponi.

Asamblisti Sabit Bullatovci nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kur është marrë vendimi për caktimin e lokacionit të kësaj deponie nuk është menduar për qytetarët.

“Po më dhemb shpirti si person si një i moshuar i kësaj asambleje, pse nuk po mendohet aspak për këta qytetarë, aspak”, tha Bullatovci.

Ndërsa, Enver Tahiri, përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se asamblistët nuk jashtë shumë të informuar në lidhje me rrezikshmërinë e kësaj deponie.

“Besoj se asamblistët nuk kanë informacione të mjaftueshme për çështjen e rrezikshmërisë së këtij objekti. Kjo nuk është deponi, është magazinë , do të ndërtohen dy- tri apo më shumë objekte, varësisht prej nevojave të Kosovës”, tha Tahiri.

Zyrtari i Ministrisë ka sqaruar se çfarë do të përmbajë kjo deponi.

“Për t’i magazinuar përkohësisht mbeturinat e rrezikshme, siç janë bateritë, të cilat sot hedhen kudo, poçet elektrike me merkur, kimikate të ndryshme prej laboratorëve, institucioneve shëndetësore, barnat me afat të skaduar, pesticidet e të tjera”, tha Tahiri.

Ai po ashtu ka thënë se qytetarët nuk do të jenë të rrezikuar nga ky objekt.

“Qytetarët prej këtij objekti nuk do të jenë të rrezikuar sepse objekti do të menaxhohet mirë, së pari do të ndërtohet me standarde më të avancuara që do të jenë“, tha Tahiri.

Në përfundim të kësaj seance të jashtëzakonshme me shumicë votash nuk u aprovua shqyrtimi i fillimit të ndërtimit të objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Ditë më parë, banorët e Harilaqit dhe fshatrave përreth, kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj vendimit “tinëzar” të kryeministrit Ramush Haradinaj për ndërtimin e deponisë së mbetjeve të rrezikshme në këtë fshat.

https://kallxo.com/kundershtohet-deponia-e-mbeturinave-ne-harilaq-te-fushe-kosoves/

Për vendimin e kryeministrit nuk ishte e njoftuar as udhëheqja e Komunës së Fushë-Kosovës.

Kjo ka shtyrë kryetarin Burim Berisha t’i dërgojë kërkesë për shpjegime Zyrës së Kryeministrit.

Të nesërmen, në Komunë kishte shkuar ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi.

https://kallxo.com/ministri-matoshi-deponia-ne-harilaq-nuk-paraqet-rrezik-per-banoret/

www.kallxo.com