Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Komuna e Drenasit: Shefi i kabinetit të Lladrovcit nuk ndikoi t’i punësohen gruaja dhe dy vëllezërit

Flamur Curri, shefi i kabinetit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk ka ushtruar autoritetin e tij zyrtar për t’i punësuar anëtarët e familjes në institucione publike.

Kështu ka thënë për KALLXO.com Zyra për medie e Komunës së Drenasit.

“Pra, me rastin e punësimeve të lartcekura shefi i kabinetit në asnjë hallkë nuk ka qenë i implikuar në procesin e rekrutimit, intervistimit, e as përzgjedhjes së kandidateve për këtë pozitë pune”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com ka raportuar për punësimet e familjarëve të Flamur Currit në institucione publike.

“Sa i përket konfliktit të interesit ju informoj se z. Flamur Curri, mban pozitën e shefit te kabinetit të kryetarit, pra i njëjti sipas Udhëzimit Administrativ për Caktimin e Stafit Mbështetës në Komuna është staf mbështetës i kryetarit, i cili bënë përgatitjen dhe plotësimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin normal të veprimtarisë se përditshme të kryetarit, sipas agjendës se caktuar dhe miratuar paraprakisht prej tij”, ka deklaruar Komuna e Drenasit.

Duke komentuar punësimin e Merita Ukës, gruas së shefit të kabinetit të kryetarit Lladrovci, Komuna e Drenasit thotë se punësimi i saj nuk paraqet asnjë konflikt të interesit.

“Duke pasur parasysh se konflikti i interesit ka të bëjë me procesin e vendimmarrjes, në situatën konkrete, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka Statutin dhe Rregulloret e saj në bazë të të cilave funksionon, dhe nuk kemi të bëjmë aspak me konflikt interesi, pra Merita Uka pas përfundimit të gjitha procedurave të rekrutimit është në procesin e pritjes së përfundimit të afatit të ankimimit për procedurat e mëtutjeshme të punësimit”, thuhet në përgjigje.

https://kallxo.com/punesohet-gruaja-e-shefit-te-kabinetit-te-ramiz-lladrovcit/?fbclid=IwAR2E_NSX9yZUHsWmZS8E02ho4rd7uW6TiteFCK4DWG5HSpfAp6NwRUaHDVU

www.kallxo.com