Punësohet gruaja e shefit të kabinetit të Ramiz Lladrovcit

Gruaja e Flamur Currit, shef i kabinetit të kreut të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, është punësuar në pozitën e zyrtares ligjore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Njoftimi i datës 18 të këtij muaji i publikuar në faqen e Komunës,  tregon se Merita Uka, gruaja e shefit të kabinetit të kryetarit Lladrovci, doli e para me pikë nga testi me shkrim dhe intervista me gojë për pozitën zyrtar ligjor në QKMF-në “Dr. Hafir Shala” në Drenas.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi sesi familja Curri nga Zabeli I Ulët i Drenasit ia pa hairin konkurseve publike në këtë komunë.

Tashmë, katër familjarë të shefit të kabinetit të Ramiz Lladrovcit janë të punësuar në sektorin publik.

Përveç Flamur Currit, që është në krye të kabinetit të Lladrovcit dhe gruas së tij që u emërua si zyrtare ligjore në QKMF-në e Drenasit, ai ka të punësuar edhe dy vëllezër në punë të shtetit.

Bedri Curri punon në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Pastrimi’ dhe Shemsi Curri është punëtor tekniko – shërbyes në shkollën “Dëshmorët e Qëndresës II” në Korroticë të Poshtme. Ky i fundit i punësuar gjatë mandatit të kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com, vetë shefi i kabinetit të kryetarit Lladrovci, Flamur Curri e pati pranuar se gruaja e tij është Merita Uka, ndërsa arsyetoi edhe aplikimin e saj për punë.

“Edhe gruaja ime ka të drejtë të aplikojë nëpër konkurse. Po, Merita është gruaja ime. Unë nuk mund t’ia mohoj të drejtën që të aplikojë në konkurse, përderisa e ka përfunduar fakultetin.” pati thënë ditë më parë Curri.

Ai e mohoi se punësimi i gruas së tij në pozitën e zyrtares ligjore mund të paraqes konflikt interesi.

“Ju mundeni me mendu çfarë të doni, por unë nuk mendoj që është konflikt interesi, nëse kish pas konflikt interesi janë organet ato që e vlerësojnë dhe marrin masa”, tha shefi i kabinetit të kryetarit Lladrovci.

Kur KALLXO.com  kontaktoi Bekim Morinën, kryesues i komisionit për konkursin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas për të verifikuar nëse komisioni ka qenë në dijeni që gruaja e Flamur Currit ka qenë njëra nga kandidatet në konkurs, ai dha këtë shpjegim.

“Nuk e di kush është ajo, as nuk më intereson ajo punë me ditë kush është ajo dhe as nuk më ka thënë kush. Unë i ndjek procedurat deri në fund dhe nuk e di kush është ajo hiç. Ajo ka qenë njëra nga kandidatet që i ka plotësuar kushtet por nuk e di gruaja e kujt është. Unë diskriminim bëj nëse nuk e thirri edhe i plotëson kriteret, mirëpo unë nuk e di se kush është ajo”, tha Bekim Morina, kryesues i komisionit për konkursin.

https://kallxo.com/familjaret-e-shefit-te-kabinetit-te-ramiz-lladrovcit-mesyjne-pozitat-publike/?fbclid=IwAR0i6_xxA0zzr_y05-vWOYw_orJYnVRWWzlWiFyNoDw2O4_poWPVRicdh4Q

www.kallxo.com