Familjarët e shefit të kabinetit të Ramiz Lladrovcit mësyjnë pozitat publike

Familja Curri nga Zabeli i Ulët i komunës së Drenasit ja pa hajrin konkurseve publike në këtë komunë.

Tre anëtar të familjes Curri tashmë janë të punësuar në sektorin publik, ndërsa së shpejti mund të përfitoj një vend pune edhe anëtari i katërt.

Flamur Curri, që është shef i kabinetit të kryetarit Ramiz Lladrovci, ka të punësuar dy vëllezërit e tij, Bedri Curri në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Pastrimi’ dhe Shemsi Curri, punëtor Tekniko- Shërbyes në shkollën “Dëshmorët e Qëndresës II” në Korroticë të Poshtme. Ky i fundit i punësuar gjatë mandatit të kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci.

KALLXO.com merr vesh se gruaja e Flamur Currit, shefit të kabinetit të kryetarit Lladrovci, mund të përfitoj nga konkursi për zyrtarë ligjor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas.

Merita Uka është njëra nga pesë kandidatët që i plotësoi kushtet për testin me shkrim në konkursin e datës 15 shkurt të këtij viti. Pozita që po kërkohet të plotësohet në këtë konkurs është për Zyrtar Ligjor në QKMF “Dr. Hafir Shala” në Drenas.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Flamur Curri e pranoi që gruaja e tij ka aplikuar në pozitën për zyrtare ligjore.

“Edhe gruaja ime ka të drejtë të aplikoj nëpër konkurse, po Merita është gruaja ime. Unë nuk mund të ja mohoj të drejtën që të aplikoj në konkurse përderisa e ka përfunduar fakultetin” tha Curri shkurt për KALLXO.com.

Ai mohoi se punësimi i gruas së tij në pozitën e zyrtares ligjore mund të paraqes konflikt interesi.

“Ju mundeni me mendu çfarë të doni, por unë nuk mendoj që është konflikt interesi, nëse kish pas konflikt interesi janë organet ato që e vlerësojnë dhe marrin masa” tha tutje shefi i kabinetit të kryetarit Lladrovci.

Tutje, Curri e pranoi se edhe dy vëllezërit i ka të punësuar në sektorin publik.

“Po, e vërtetë që janë të punësuar” tha shkurt ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Bekim Morinën, kryesues i komisionit për konkursin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas për të verifikuar nëse komisioni ka qenë në dijeni që gruaja e Flamur Currit ka qenë njëra nga kandidatet në konkurs.

“Nuk e di kush është ajo, as nuk më intereson ajo punë me ditë kush është ajo dhe as nuk më ka thënë kush. Unë i ndjeki procedurat deri në fund dhe nuk e di kush është ajo hiç. Ajo ka qenë njëra nga kandidatet që i ka plotësuar kushtet por nuk e di gruaja e kujtë është. Unë diskriminim bëj nëse nuk e thirri edhe i plotëson kriteret, mirëpo unë nuk e di se kush është ajo” tha Bekim Morina, kryesues i komisionit për konkursin.

Konkursi në QKMF-në e Drenasit për pozitën e zyrtares ligjore është hapur me datë 12 shkurt 2019, ndërsa sot pesë kandidatët që plotësuan kriteret kanë mbajtur testin me shkrim.