FOTO - Komuna e Deçanit - 25.03.2019

Komuna e Deçanit nis rrënimin e disa lokaleve në qendër të qytetit - FOTO

Komuna e Deçanit sot ka nisur rrënimin e disa lokaleve në qendër të qytetit. Këto hapësira sipas njoftimit të Komunës do të zëvendësohen me gjelbërim si dhe do të mundësohet zgjerimi i rrugës kryesore të qytetit.

Sipas njoftimit të komunës, pronarët e këtyre lokaleve janë njoftuar me kohë për të gjitha procedurat, dhe se qeveria i ka ndarë mjetet për shpronësim.

Kryetari Bashkim Ramosaj, me 1 gusht të vitit 2018 kishte marrë vendim që të miratohej shpronësimi për interes publik të komunës, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Qendrës së Qytetit.

“Këtij vendimi nuk u janë përgjigjur pronarët e lokaleve të cilët kanë konsideruar se u është bërë e padrejtë. Me datë 11 mars 2019 Drejtoria e Urbanizimit, Planifikimit Hapësinore dhe Mbrojtje të Mjedisit ka nxjerrë një vendim për rrënim me numër protokolli 7504 ku është bazuar edhe në vendimin përfundimtar 02 nr.39154 të datës 31 dhjetor 2018 si në dispozitat e këtij vendimi. Mos respektimi i këtij vendimi do të ketë për pasojë rrënimin e objektit me masa administrative nga ana e organeve Komunale të autorizuara”, thuhet në njoftimin e Komunës së Deçanit.

Më tutje në njoftim bëhet e ditur se janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme dhe Drejtoria e Inspekcionit ka njoftuar me kohë pronarët e lokaleve, kryetarin e komunës dhe Policinë se me datë 25 mars të këtij viti, do të bëhet rrënimi, me arsyen se këto lokale janë shpronësuar dhe të gjitha afatet ligjore janë kaluar.