Komisioni për Buxhet Aprovon 195.5 Milionë Euro Hua për Rehabilitmin e Hekurudhës

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës miratoi projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kjo marrëveshje nënkupton që Kosova do të marrë 195.5 milionë euro borxh për projektin e rehabilitimit të Rrugës Hekurudhore 10.

Pika e rregullt e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Rehabilitimit të rrugës Hekurudhore 10 e cila u votua dhe u miratua nga komisioni.

Ministri i Financave Abdulla Hoti shpjegoi termat e marrëveshjes para komisionit duke theksuar normën e ulët të interesit.

“Kemi biseduar dhe kemi gjetur formën e financimit të projektit për Rehabilitimin e rrugës Hekurudhore 10 ku kemi nënshkruar marrëveshjen me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 195.5 milion euro me një grejs periudhë për 4 vite me normë të interesit prej 1 përqind”, tha Hoti.

Ministri vërejti se kostoja është e përballueshme për buxhetin e Kosovës sepse funksionalizon rrjetin e hekurudhave dhe bën Kosovën pjesë të rrjetit ndërkombëtar.

Ministri Hoti tha se me këtë kredi ngarkohet ndërmarrja Infrakos, ndaj nuk ngarkohet buxheti, dhe se hekurudha gjeneron të hyra dhe kthimi i investimeve parashikohet të bëhet në periudhën 11 vjeçare.

Por ai shtoi se Ministria e Financave është garantuese e këtyre mjeteve.