VIDEO - Ziv: Gaza duhet të çlirohet nga Hamasi

“Në audiencat e publikut në Kosovë dhe Bosnje, ende kujtojmë një thënie shumë të famshme historike të Vuçiqit gjatë luftës, i cili tha: “Për çdo serb të vetëm, do të kemi 100 muslimanë”. Është një thënie shumë e famshme në luftë. Nuk e di nëse keni dëgjuar për këtë, pra do të thotë se për çdo serb që vritet, do të vrasim 100 muslimanë. Kjo është arsyeja pse vdekjet e muslimanëve në përgjithësi shihen si shumë më të lehta për t’u kaluar se sa vdekjet e jomuslimanëve”.

Kështu tha gazetarja Jeta Xharra, duke pyetur ambasadoren nëse edhe Izraeli është duke e bërë këtë në Gaza.

Përderisa ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tha se kjo nuk qëndron.

“Ju lutemi mos insinuoni në asnjë mënyrë se kjo është ajo që ne jemi duke bërë, sepse kjo është shumë larg realitetit. Më duhet t’ju them se ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos lëndojmë civilë dhe të mos lëndojmë njerëz të pafajshëm, por realiteti në terren është shumë, shumë i ndërlikuar dhe shumë, shumë i vështirë. Unë mendoj se ajo që duhet bërë është në fakt që të çlirohet Gaza nga vetë Hamasi. Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë” – tha ambasadorja izraelite.

Sipas saj, sapo Gaza të çlirohet nga Hamasi, zona e Rripit të Gazës do të mund të zhvillohej ngjashëm si Singapori apo Tajvani.

“Por ata janë nën regjimin e një organizatë terroriste që nga viti 2007 dhe fakti që kjo organizatë terroriste na ka sfiduar herë pas here, por këtë herë na ka hapur luftë të plotë, është diçka që fatkeqësisht ka pasoja edhe te civilët. Dhe siç thashë më parë, na vjen shumë keq për çdo civil që është lënduar. Kjo nuk është mënyra se si i bëjmë gjërat ne”, – tha Ziv.

Ziv në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se para këtij sulmi, Izraeli po punonte shumë për të përmirësuar situatën ekonomike në Gaza.

“18,000 qytetarë të Gazës kanë hyrë në Izrael çdo ditë për të punuar, për të sjellë para në shtëpitë e tyre dhe për të qenë në gjendje të zhvillojnë ekonominë dhe mirëqenien e tyre. Përveç projekteve të tjera në të cilat ne po punonim me komunitetin ndërkombëtar për t’i zhvilluar këto projekte në të mirë të Rripit të Gazës. Unë mendoj se është një zgjedhje nëse doni t’i edukoni fëmijët tuaj të jenë terroristë ose nëse dëshironi t’i edukoni fëmijët tuaj të jenë qytetarë që i binden ligjit, që janë paqësorë dhe njerëz si hebrenjtë që kanë kaluar nëpër Holokaustin në të cilin gjashtë milionë prej njerëzve tanë janë asgjësuar, sipas asaj që po thoni ju ne mund të ishim potencial për t’u shndërruar në një tokë të terroristëve”, – tha ajo.