Rada Trajkoviq në Kallxo Përnime

VIDEO – Trajkoviq: Më shumë shqiptarë kanë ikur nga Kosova pas luftës, sesa gjatë kohës së Millosheviqit

Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka dhënë qëndrimin e saj për sa i përket asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ajo u shpreh se duhet të ndërpritet moszbatimi i marrëveshjeve të pranuara të cilat nuk po zbatohen.

“….kjo nënkupton bashkësinë e komunave serbe sepse prioriteti i parë duhet të jetë stabilizimi i serbëve që të mos ikin si dhe puna në atë që nënkupton stabilizimin e veriut të Kosovës e që nënkupton stabilitetin e sigurisë përmes NATO-së”, ka thënë Trajkoviq.

Ndërsa është sfiduar nga Jeta Xharra edhe për ikjen e shqiptarëve nga Kosova, për shkak të mungesës së vendeve të punës.

“Kur ju më thoni se çdo vit ka më pak serbë në Kosovë, unë po ju them që edhe shqiptarë ka çdo vit e më pak, (jo vetëm serbë). Unë i di trendet që edhe nga Maqedonia po ikin njerëz, edhe nga Bosnja, e edhe Serbia po migrojnë”, tha Xharra

Ndërsa Trajkoviq tha se më shumë shqiptarë kanë ikur nga Kosova që largimi i forcave serbe sesa gjatë kohës së Millosheviqit.

“E kuptoj gjendjen në Kosovë, madje shqiptarët kanë migruar për një kohë të gjatë, por dallimi është se serbët po pranojnë … shqiptarët ikin për arsye ekonomike, për jetë normale. Madje më shumë shqiptarë kanë ikur që nga largimi i forcave serbe të sigurisë se sa gjatë periudhës (10 vjeçare) të kohës së Millosheviqit. Atëherë ikja e shqiptarëve ka qenë e motivuar etnikisht për shkak të dhunës nga regjimi i Millosheviqit” – tha Trajkoviq.

Ndërsa ka thënë që shqiptarët po ikin për shkak të kushteve më të mira ekonomike, ka shtuar se serbët e Kosovës ndonëse i kanë kushtet e mira, ata prapë se prapë, siç tha ajo ‘po migrojnë në Serbi’.

“Ju jeni shqiptare dhe po përpiqeni që në mënyrën tuaj ta përjetoni ikjen e serbëve. Unë fatkeqësisht e kam një ndjesi tjetër, e shoh se njerëzit po ikin edhe nëse i kanë kushtet më të mira në Kosovë se sa në Serbi sa i përket mbështetjes ekonomike. Ata marrin paga 200%, 150% më shumë (se serbët jashtë Kosovës), kanë shumë benificione dhe janë të motivuar nga Beogradi për të qëndruar në Kosovë por prap po ikin. Eku po ikin? Në Serbinë qendrore! Nuk po shkojnë jashtë vendit, kryesisht po migrojnë në Serbi, ky është thelbi” – tha Trajkoviq.