Rreth 3 milionë euro në vit do t`i ndaj komuna e Prishtinës për ata që adoptojnë qentë endacakë - VIDEO

Komuna e Prishtinës do të ndajë nga 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qen endacak.

Lulzim Fushtica, drejtor për emergjenca në Komunën e Prishtinës në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se një qytetar ka të drejt të adoptoj deri në 5 qen.

“Numri mesatar i qenve në kryeqytet është diku 3-4 mijë, ku dy mijë prej tyre janë trajtuar dhe në fund të muajit do të hapet qendra për trajtimin e qenve endacakë. Një prej projekteve të fundit që e kemi bërë si komunë është subvencionimi apo motivimi i qytetarëve për adoptim të qenëve”, ka thënë Fushtica

Ai ka shtuar se qëllimi i Komunës së Prishtinës është që t`i largojnë qentë nga rruga dhe të kenë trajtimin e duhur.

“Në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë t`i keqtrajtojmë apo t`i trajtojmë në mënyrë jo humnae, por t`i motivojmë qytetarët që të kujdesen për qentë t`i marrin t`i adoptojnë dhe ne t`i subvencionojmë me 50 euro në muaj. Rregullorja është në fazën e përgatitjes dhe të fillojmë implementimin e projektit”, tha ai.

Ndërsa Fushtica ka thënë se për vitin e ardhshëm do të ndahen afër 3 milionë euro për këtë projekt.

Komuna është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenëve endacak, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Kryeqytetit në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali të Prishtinës dhe do të hapet së shpejti.

Komuna e Prishtinës do ndajë 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qentë endacakë