Rexha: Gazetarët nga Prishtina janë në rrezik konstant që nga momenti që e kalojnë urën e Ibrit

Mbi 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve janë raportuar që nga 29 maji në veri të vendit.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka thënë se sulmi i së premtes ka qenë më i dhunshmi deri më tani.

Ai në “Kallxo Përnime”, ka shtuar se rasti i dytë i arrestimit të personit të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve, nuk është personi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka publikuar.

“Nga mediat lokale në Mitrovicë është thënë që nuk është personi që ministri e ka rrethuar në foton e publikuar, pra njërin me maskë, sipas këtyre mediave është dikush që është pas tij që i duket fytyra, por që fotografitë e Ministrisë së Brendshme nuk përkojnë me të arrestuarin. Personi i arrestuar ka qenë gjithashtu i përfshirë në sulmet ndaj gazetarëve, por jo ai që policia e ka rrethuar” – ka thënë Rexha.

Ai ka thënë supozon që këto sulme vijnë nga vet banorët lokal të këtyre tri komunave.

“Shumica e sulmeve ka ndodhur nga persona të maskuar, që nga 29 maji, në fakt sulmi i parë ka ndodhur me 26 maj, kur një ekip i KTV-së është sulmuar, por sulmi i së premtes ka qenë më i rëndi më brutali dhe më i papranueshmi, ku janë lënduar 9 gazetarë e kameraman gjatë ditës së premte” – tha ai.

Ai shtoi se gazetarët që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në zonën e veriut, janë në rrezik konstant në momentin si ta kalojnë urën e Ibrit.

Më 16 qershor, nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe disa prej tyre kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.