Pse Akademia e Kosovës nuk mori pjesë në hartimin e fjalorit të përbashkët me Shqipërinë

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për sfidat e gjuhës shqipe, tha se është pjesë e grupit ku po hartohet fjalori i gjuhës shqipe në kuadër të Akademisë së Shkencave të Tiranës në bashkëpunim me atë të Kosovës.

Në këtë fjalor, ka shpjeguar Lumani Zaçellari, po vihen lëndë gjuhësore nga të gjithë autorët që i përkasin aleatit të veriut.

“Fjalori që do të kemi në duar në fund të këtij viti, do të jetë i pasuruar edhe me gjithë këtë pasuri gjuhësore që na vjen nga autorët gegë” – ka thënë Lumani Zaçellari

Sejdi Gashi, nga Instituti Albanologjik ka thënë se kur të dalë ky fjalor në formë të shtypur aty do të figurojë edhe logoja e Akademisë së Shkencave të Kosovës.

“Pse s’janë angazhuar në anën praktike, këtu mund të na sqarojë profesor Bardhi. Ka profesorë edhe nga UP-ja, disa punonjës të Institutit, jo të gjithë ata të Degës së Gjuhësisë por vetëm njerëzit që janë marrë me pjesën e leksikut, pjesën e hulumtimeve në terren, janë angazhuar në projekt” – ka thënë Gashi.

Bardh Rugova e ka mohuar përfshirjen e Akademisë së Shkencave të Kosovës në këtë projekt.

“Ne e kemi marrë, ka ardhë si projekt, e kemi pranuar, si projekt nuk i përmbush as përafërsisht konceptualisht në kuptimin e dijes nevojat për një fjalor të kësaj natyre dhe ne si Departament kemi thënë që nuk do të përfshihemi” – ka thënë Rugova.

Ai ka shtuar se në bazë të një studimi që ai ka bërë del që mbi 10 mijë fjalë që përdoren në gazetat e Kosovës dhe mbi 10 mijë të tjera që përdoren në gazetat e Shqipërisë por nuk përdoren te njëra-tjetra.