Donika Dabishevci: Autori nuk është i obliguar t’i përfillë normat gjuhësore

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për mitet e standardit të gjuhës shqipe, Donika Dabishevci, redaktore e “ObserverKult”, ka thënë se një autor mund të shkruajë në dialekt apo tekefundit të shpikë një stil të vetin autorial.

“Nuk ka kurrfarë autoriteti as gjuhësor, as shtetëror, i cili mundet m’e ndalu. Në komunikimin e përditshëm, në atë privat, askush nuk e ndalon përdorimin e çfarëdo lloj varieteti gjuhësor, asnjëri nga ne këtu s’e besoj që e flet gjuhën standarde në shtëpi” – ka thënë Dabishevci.

Sebastien Gricourt, këshilltar qeveritar, i cili jeton në Kosovë, thotë se kur e ka mësuar gjuhën shqipe në Francë, prej nga vjen, e ka mësuar gjuhën standarde, pos kësaj edhe dialektologjinë.

“Do të thotë, të jemi në gjendje edhe të lexojmë tekste të vjetra sepse ne ishim futur të jemi hulumtues, jo se e kam bërë por isha përgatitur për atë punë. Nëse flas si përkthyes i letërsisë shqipe e kam një vështirësi aty, se frëngjishtja e ke vetëm një frëngjishte. Nëse e lexoj një tekst gegërisht dhe duhet ta përkthej frëngjisht e përkthej frëngjisht, a jam duke përkthyer shqipen, a jam duke përkthyer gegërishten, s’ka rëndësi nuk kanë dallim se në fund do të jetë vetëm frëngjisht” – ka thënë Gricourt.

Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore nga Shqipëria, ka thënë se nuk është për një rishikim të thellë të standardit.

“Unë nuk jam për një rikthim mbrapa, e gjitha kjo do të kërkonte një kosto të madhe, për më tepër unë mendoj që nuk ka nevojë të rishikohet standardi, kështu thellësisht” –  ka thënë Lumani Zaçellari

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për sfidat e gjuhës shqipe dhe të ftuar janë Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik, Donika Dabishevci nga “ObserverKult”, Gazmend Bërlajolli, përkthyes, Bardh Rugova nga Akademia e Shkencave, Sebastien Gricourt, këshilltar qeveritar dhe përkthyes, si dhe përmes Zoom nga Shqipëria, Manjola Lumani Zaçellari, eksperte e politikave gjuhësore.