Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi tregon kohën kur u avancua në Postën e Kosovës

Shkumbin Krasniqi, vëllai i Alban Krasniqit, asamblist në Malishevë, është avancuar para disa ditësh nga pozita e postierit në zyrtar për kujdes ndaj konsumatorëve në Postën e Kosovës.

Krasniqi në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se referimi si “vëllai i asamblistit” është tendencioz dhe i padrejtë.

Ai ka thënë se nuk është avancuar në pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk e di pse i keni nisur shkrimet me vëllai i asamblistit. Në lajmin e gazetares suaj kam gjetur shumë padrejtësi dhe të pavërteta si për shembull paga, ka diferencë të madhe. Mua nuk më ka avancuar as vëllai e as Vetëvendosja”, ka thënë tutje Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se avancimi në Postë ka ndodhur në janar të këtij viti, para se të mbaheshin zgjedhjet.

“Unë jam avancuar në pozitë më 14.01 2021 ende pa u mbajtur zgjedhjet, kontratën e kam nënshkruar me 11 qershor. Ndërsa, në vitin 2020 kam pas avancim 6 mujor si ushtrues detyre në kohën e qeverisë Kurti 1”, ka thënë ai.

Sipas tij, drejtoria përkatëse e shitjes e ka parë të arsyeshme se mund të kontribuojë aty dhe në muajin janar 2021 e bënë një kërkese që të kyqet aty.

Shkumbin Krasniqi ka folur edhe për historikun e tij të avancimeve që nga punësimi në vitin 2009.

Ai tha se, më herët për bindje politike nuk i është rritur grada.

“Në vitin 2009 për herë të parë kam hyrë si postier, në vitin 2010 ose 2012 më është rritur një gradë si kartues e cila nuk më është realizuar për shkak të bindjeve politike”, potencoi Krasniqi.

Pozita e postierit ka gradën 3 dhe një pagë rreth 435- 470 euro neto, kurse në pozitën e re Krasniqi ka gradën 7 dhe do të ketë një pagë prej bruto 835 euro, apo 734 euro neto.

Shkumbim Krasniqi është vëllai i Alban Krasniqit, asamblist në Komunën e Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Alban Krasniqi është bashkëshorti i Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit.

Vëllai i asamblistit të Vetëvendosjes avancohet në Postë