Këshilli Prokurorial i Kosovës avancon pesë prokurorë

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot ka avancuar pesë prokurorë të prokurorive të Kosovës, në kuadër të proceseve të avancimit të prokurorëve.

Prokurorët e avancuar janë dy të Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie, një prokurore e Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të kësaj prokurorie, një prokurore e Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj prokurorie dhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të kësaj prokurorie.

Ndërsa prokurorit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës iu ka vazhduar transferimi edhe për një vit.

Gjatë këtij takimi janë miratuar edhe procedurat standarde për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjes penale të trafikimit të njerëzve janë miratuar Rregullorja për administrimin e lëndëve përmes sistemit elektronik në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Udhëzimi administrativ për menaxhimin e shpenzimit të parasë publike në sistemin prokurorial të Kosovës.

Ndërsa u miratua edhe  Raporti për periudhën janar-mars 2020 të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike dhe  Raporti për vlerësimin e performancës së dy prokurorëve me mandat fillestar, emrat e të cilëve do të dërgohen te Presidenti për dekretim të mandatit të përhershëm.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së prokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Ismet Ukshini, i cili  vdiq këtë fundjavë nga virusi COVID-19.

Gjithashtu është mbajtur seancë dëgjimore për procedurën disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.