Hulumtimi i Kallxo Përnime, ndalohen për 48 orë Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj

Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ish-nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka dhe ish-drejtori i Kadastrit në komunë, Hysen Muzliukaj, nën dyshimet për korrupsion.

Arrestimi i tyre ndodhi pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime, që tregonte se si Komuna e Mitrovicës kishte vendosur që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Njësitë policore bastisën sot dy lokacione të të dyshuarve dhe në njërin prej tyre u gjetën dhe u sekuestruan 60 mijë euro, konfirmoi gjatë ditës Prokuroria Speciale e Kosovës.

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë, kanë sqaruar se arrestimi i ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka është bërë pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime vitin e kaluar.

Më 18 prill të vitit 2022, në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri.

Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.

Prokuroria Speciale në njoftimin e saj ka thënë se ekziston dyshimi se dy personat e ndaluar, e kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin.

Tutje, sipas prokurorisë ata kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Vepra e cila i vihet në barrë të ndaluarve është ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

“Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në  dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Mujka aktualisht është kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”.