Në prill nis regjistrimi i dytë i popullsisë që nga paslufta në Kosovë

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i dyti që nga paslufta, do të filloj nga data 5 prill dhe do të zgjas deri më 17.05.2024.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se gjatë kësaj periudhe të gjithë qytetarët e vendit do të kenë mundësi të regjistrohen.

“Kjo kohëzgjatje prej 6 javësh, krahasuar me vitin 2011, që ishte dy javë, nuk lë hapësirë për ndonjë qytetar apo ekonomi familjare që të mos regjistrohet”- tha Kastrati.

Tutje ai ka shpjeguar si ka ndodhur në të kaluarën regjistrimi në Kosovë.

“Në sistemin e Jugosllavisë por edhe më vonë, ai që e ka bërë regjistrimin ka shku me një vendbanim u ulë dhe njerëzit kanë shku te ai janë regjistru, një mësues, një zyrtar, tani është tjetër standard”- thotë tutje Kastrati.

Procedurat e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

“Regjistruesit trokasin në derë, në secilën shtëpi të banueshme dhe të pa banueshme, regjistruesi do të jetë i pajisur me një jelek identifikues me logon ‘Rekos’, përveç kësaj e ka edhe çantën e cila identifikohet po ashtu me logo, e ka ID-në secili regjistrues e ka edhe autorizimin”- ka sqaruar tutje Kastrati.

Ai ka thënë tutje se janë tri njësi të regjistrimit, banesa/shtëpia (formulari i parë), ekonomia familjare (formulari i dytë) dhe regjistrimi i familjarëve (individual, formulari i tretë).

“Pastaj pyetet edhe nëse ka pasur dëme gjatë luftës edhe në fund pyetet nëse e ka dikë në diasporë, kjo e fundit është si nëntemë e formularit të tretë pra atij individual. Janë rreth 512-13 pyetje me nënopsione në këta formularë. Regjistrimi bëhet përmes tabletëve”- tha drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në çfarë kohe do të paraqiten regjistruesit nëpër shtëpitë e qytetarëve?

“Regjistruesit s’do të paraqiten para orës 09:00, por me rënien e territ duhet me përfundu intervistat, vetëm në rast se ju gjatë ditës jeni në punë gjatë ditëve të javës, e keni një letër informuese. Te kjo letër shkruan regjistruesi që është në zonën e juaj dhe e ka me rregullore të paraqitet 3 herë në vendin e njëjtë nëse se gjen aty qytetarin, por në këtë letër është nr i telefonit dhe emaili edhe thotë që kur të jeni ju e/i lirë, na kontaktoni për intervistë, pra mundesh me caktu orën që qytetari dëshiron të intervistohet. Anketuesit do të punojnë edhe të shtunën e të dielën”- shtoi tutje Kastrati.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011.