Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Hamasi dhe Xhihadi Islamik nuk mund të qëndrojnë në Rripin e Gazës

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv luftën në Gaza e ka quajtur ‘luftë kundër organizatave terroriste’ në Rripin e Gazës, që sipas saj janë Hamasi dhe Xhihadi Islamik.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se këto dy organizata nuk mund të qëndrojnë në Rripin e Gazës, në kufirin e Izraelit.

“Unë nuk kam fjalë për të përshkruar mizorinë në të cilën mijëra terroristë të Hamasit u infiltruan në Izrael, në fshatrat dhe komunitetet civile dhe në mënyrën më mizore të mundshme, masakruan familje, masakruan foshnjat, ua prenë kokat, vranë pleq, gra, fëmijë, kryen përdhunime, i dogjën njerëzit për së gjalli. Dua të them, mizoritë janë përtej imagjinatës, dhe lufta jonë është pikërisht me këto organizata terroriste. Ata nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në Rripin e Gazës në kufirin e Izraelit”, – tha Ziv

Sipas Ziv, autoriteti Shëndetësor Palestinez që është një organ i Hamasit  nuk po raportojnë saktë për numrin e viktimave.

Ajo shtoi se “Sa më shumë palestinezë civilë që të vriten, aq më mirë është për propagandën e tyre”.

“Unë nuk e kundërshtoj faktin se në këto luftime ka pasur viktima civile. Më duhet të them se zemra ime është me çdo civil të pafajshëm, grua, burrë, fëmijë, kushdo qoftë që është lënduar. Kjo është e qartë se kam dhembshuri për personat e pafajshëm në Izrael dhe popullin palestinez gjithashtu. Ky nuk është qëllimi ynë. Por në anën tjetër, ju duhet të mbani në mend se Hamasi është një organizatë cinike që nuk ka asnjë lloj konsiderate për njerëzit e saj. Ata e përdorin me cinizëm popullin palestinez si mburoja njerëzore. Ata e vendosën të gjithë infrastrukturën e tyre nëpër spitale, në shkolla, në xhami, pra i vendosën qendrat e tyre të komandës dhe kontrollit. Ata vendosën sasi të mëdha armësh atje. Ata qëllojnë mbi trupat tona dhe mbi civilët izraelitë nga këto lokacione. Fakti që civilët janë lënduar ka të bëjë shumë me atë që ata po bëjnë”, – tha ambasadorja Ziv

Ajo shtoi se Izraeli është granatuar nga 9,000 raketa që nga fillimi, 600 prej të cilave kanë rënë brenda Rripit të Gazës dhe kanë lënduar, vrarë dhe plagosur njerëzit që janë palestinezë.

“Nuk po e kundërshtoj faktin që mund të ketë pasur 9,000 viktima. Po them vetëm se shifra që thotë se 65% prej tyre janë gra dhe fëmijë, nuk jam e sigurt nëse ky është numri i saktë. Mund të ndodhë që ndarja në numra të jetë e ndryshme, por nuk është kjo çështja kryesore. Çështja është padyshim që shumë civilë janë lënduar dhe janë lënduar nga të dyja palët dhe natyrisht, ky nuk është qëllimi ynë. Siç e dini gjithashtu, që nga fillimi i kësaj, zëdhënësit tanë u kanë thënë palestinezëve: Ju lutemi shkoni në jug. Shkoni në jug të Wadi Gaza, në mënyrë që ata të jenë në një zonë të sigurt, për të qenë në zonën në të cilën po punojnë organizatat ndërkombëtare, në mënyrë që ata të jenë në zonën ku po mbërrijnë ndihmat humanitare”, – tha ambasadorja

Ajo ka kundërshtuar deklaratat e ambasadorit palestinez në Mal të Zi i cili tha se Izraeli po përpiqet të pastrojë etnikisht Gazën.

“Jo, jo, absolutisht jo. Ne nuk kemi absolutisht asnjë interes për Rripin e Gazës. Dua t’ju kujtoj se në vitin 2006, ne u larguam në mënyrë të njëanshme nga Rripi i Gazës. Dhe që nga viti 2006, Gaza është qeverisur vetëm nga palestinezët. Në fillim ishte Autoriteti Palestinez. Dhe në vitin 2007, Hamasi e përmbysi Autoritetin Palestinez dhe mori kontrollin e Rripit të Gazës dhe krijoi një regjim terrorist në Rripin e Gazës. Ne nuk kemi absolutisht asnjë dëshirë të qëndrojmë në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës dhe shpresojmë se Hamasi do të shpërbëhet nga aftësitë e tij ushtarake dhe qeverisëse. Bota do të duhet të mendojë së bashku me palestinezët se cili do të ishte regjimi më i mirë për Rripin e Gazës, në të cilin palestinezët dhe izraelitët do të mund të jetojnë në paqe pranë njëri tjetrit”, – përfundoi ambasadorja izraelite në Kosovë.