Albulena Haxhiu flet për rastin e Astrit Deharit dhe vetëvrasjet e të burgosurve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë duke pritur një raport të dytë nga Instituti Zviceran për rastin e Astrit Deharit.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo tha se kanë marrë disa informacione që janë konfidenciale dhe nëse vërtetohet se Astrit Dehari është vrarë, procesi i hetimit do të nisë nga fillimi.

“Në takimet që i kemi pasur me sistemin prokurorial, jam njoftuar që ata varen nga një raport i dytë i Institutit Zviceran. Në tetor ata kanë qenë në Kosovë dhe kanë marrë prova të reja dhe janë në pritje të atij raporti. Nuk kam informacine që ka arritur ky raport dhe gjërat nuk lëvizin pa të. Kemi marrë informacione që janë konfidenciale, nëse edhe njëherë vërtetohet që Astriti është vrarë, hetimi duhet të nisë nga fillimi, pasi ka shumë persona që duhet të merren në pyetje”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me rastet e vetëvrasjeve të të burgosurve, Haxhiu tha se ky është një problem shumë i madh në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), pasi pjesa më e madhe kanë probleme me varësi në narkotikë dhe të natyrës psikike.

Haxhiu tha se këta persona e kanë vendin në një institucion të specializuar ku edhe do marrin trajtim.

“Ky është probem shumë i madh në ShKK, janë persona që kanë probleme me mbidozë dhe të natyrës psikike, nuk ka vende të mjaftueshme për t’u dërguar në institucione të specializuara. ShKK detyrohet që atë person t’i mbajë në burg, por burgu nuk është për ta. Për herë të parë ne po adresojmë një problem shumë të madh”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu shtoi se do rinovohet një pavjon në Dubravë për persona të tillë, aty do ketë staf mjekësor që do merren me trajtim të tyre.

“Një pavion në Dubravë do renovohet asisoj që do kemi rekrutim të stafit shëndetësor që do qëndrojnë aty për trajtim të këtyre personave”, shtoi tutje Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë po ashtu potencoi se menaxhmenti i ShKK është problemi kryesor pse ka kontrabandë brenda burgjeve.

“Problemi më i madh në ShKK me derivim të kontrabandës është te menaxhmenti, në krye ka pasur persona të përfshirë në afera të ndryshme”, theksoi Haxhiu.