Vepra e Benita Cërmnjanit

Teknika e lapsit në veprat e 21-vjeçares nga Gjakova (FOTO)

Si një vajzë fjalëpak dhe e ndrojtur, Benita Cërmnjani ka gjetur një mënyrë për të shprehur mendimet e ndjenjat.

21-vjeçarja nga Gjakova, artin e ka pasion që nga mosha 5 vjeçare.

“Ishte si metodë e mamasë sime për të më bërë të komunikoja, të shprehja mendimet e ndjenjat, dhe që ajo të kuptonte se si unë i shihja gjërat dhe se si unë i interpretoja ato”, tregon ajo.

Më pas, ajo kuptoi se i pëlqente të kalonte kohën duke provuar të rikrijojë situata të përditshme, objektet, njerëzit e edhe personazhet e filmave vizatimorë me vetëm një laps dhe një letër.

Gjatë shkollës fillore e edhe në atë të mesme, Benita ka marrë pjesë në shumë ekspozita që organizoheshin nga shkollat.

Në moshën 17 vjeçare, profesori i artit bashkë me drejtorin e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, i propozuan që të mbajë një ekspozitë personale brenda shkollës.

Punim nga Benita Cërmnjani

Ajo thotë se vazhdon të provoj forma të reja të artit, e kohëve të fundit ka filluar të përqëndrohet më shumë në kanvas.

“E gjej veten tek teknika me laps, aty më flen shpirti më shumë, sepse krejt personat i shohin gjësendet ndryshe e të gjithë mund të rikrijojnë imazhe tjera në mendimet e veta, pa u kufizuar në atë se çka paraqes unë”, thotë 21-vjeçarja.

Benita shpreson se në të ardhmën të ketë ekspozita të saj ndonëse në karrierë është e fokusuar në tjetër fushë.

Benita aktualisht është në vitin e fundit në Fakultetin Filozofik, Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo planifikon të vazhdojë studimet master në fushën e Neuropsikologjisë.

Punim nga Benita Cërmnjani
Punim nga Benita Cërmnjani

Autorja Jonila Batusha është nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.