FOTO KUVENDI I KOSOVES

Grupet parlamentare e përkrahin Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, por i njëjti nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke prezantuar dhe arsyetuar projektligjin, tha se ky dikaster ka edhe disa komponente ekzekutive ne mesin e të cilave edhe atë të menaxhimit të qendrave korrektuese.

“Nga përvoja e shumë vendeve por edhe nga qasja ime politike, e kam kuptuar që menaxhimi i këtyre qendrave kërkon reflektimin e përhershëm në së paku tri drejtime. E para nga perspektiva e rendit dhe sigurisë, e dyta nga perspektiva e menaxhimit efikas dhe e treta nga perspektiva e të drejtave që në mënyrë të patjetërsueshme u takojnë personave që janë në vuajtje të dënimit”, tha ministri.

Sipas minstrit, janë tre faktorë që ia kanë diktuar nevojën për ta ndryshuar këtë ligj.

“Ndër kërkesat e para që kam pranuar kanë qenë ato të stafit menaxhues të Shërbimit Korrektues të Kosovës që ndërlidhen me çështjet organizative si dhe kërkesat e të burgosurve për të drejtat e tyre që me ligjin aktual u janë mohuar”, tha ai.

Sipas ministrit, realiteti në terren ka ndryshuar edhe në rrafshin e kompetencave të plota të institucioneve vendore me rastin e përfundimit të mandatit të EULEX-it, që që sipas tij  kërkon angazhim dhe përgjegjësi më të madhe të shërbimit korrektues.

“E  treta, jam plotësisht i vetëdijshëm se një ambient ku bashkëveprojnë rendi dhe siguria në njërën anë dhe të drejtat e njeriut në anën tjetër nuk është lehtë për t’u menaxhuar  Jam munduar që të ndërtoj një strukturë që këto dy atribute të gjejnë një përputhje”, tha Tahiri.

Ministri prezantoi disa nga propozimet për të burgosurit në Kosovë.

“Me kujdes të veçantë janë rishikuar benificionet e personave të dënuar dhe janë propozuar benificionet si: të drejtën e zgjeruar në thirrje telefonike, të drejtën e shfrytëzimit për pushim vjetor prej 7 ditësh jashtë institucioneve korrektuese nga pushimi vjetor prej 18 ditësh, pushimi jashtë shërbimit korrektues deri në 7 ditë, për çdo vit pra për çdo të burgosur”, tha ndër të tjera Tahiri.

Kurse, Albulena Haxhiu, në emër të Komisionit për Legjislacion tha se është Projektligj më i avancuar sesa Ligji që është në fuqi.

Prandaj, sipas saj, Komisioni i ka rekomanduar Kuvendit që ky Projektligj të votohet.

“Komisioni për legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet në parim ky Projektligj. Ka avancime por në grupet punuese që do t’i krijojmë duhet të përfshihen dhe të ndryshohen disa dispozita që janë këtu”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, Armend Zemaj, në emër të LDK-së, tha se deputetët e këtij grupi parlamentar do të mundohen që të japin kontributin për një ligj që i përmbush kërkesat elementare për qytetarët.

“Grupi parlamentar përmes deputetëve në këtë Komision do të angazhohet të mundësojë përmirësimin e disa normave dhe të jenë konform kërkesave dhe nevojave elementare që çdo shtet demokratik iu mundëson qytetarëve të vetë që përmes këtij ligji të ketë institucion kredibil, të besueshëm në Republikën e Kosovës”, tha Zemaj.

Edhe Elmi Reçica nga PDK-ja tha se ky Projektligj është shumë me rëndësi dhe do të duhej të ketë vëmendje jo vetëm të deputetëve por edhe të qytetarëve.

“Grupi parlamentar e ka shqyrtuar me vëmendje këtë Projektligj dhe duke i pasë parasysh rrethanat dhe zhvillimet çfarë i kemi aktualisht dhe shumë nga avancimet e ndryshimet që kanë ndodh në këtë kohë e mbështesim plotësisht”, shtoi Reçica.

Ndërsa, Sami Kurteshi tha se do të bëjë përpjekje që të jetë në grupin që do të punojë në këtë ligj. Ai tha se VV-ja e përkrah Projektligjin.

“Kemi bërë përpjekje t’i shfrytëzojmë përvojat dhe njohuritë që i kemi. Ky është një ligj që është mirë me kalu. Në emër të VV ne e përkrahin këtë Ligj”, tha Kurteshi.

Shkumbin Demaliaj, nga AAK-ja, tha se e përkrahin Projektligjin dhe se do të punojnë që ai të përfshijë gjithë mekanizmat.

Shqipe Pantina nga PSD-ja tha se e përkrahin Projektligjin ndërsa vërejtjet tha se do t’i përcjellin në grupin punues.

“Do të kërkojmë të rregullohet statusi i shërbimit korrektues të Kosovës… Ky komision duhet ta detajizojë statusin e punëtorëve të shërbimit korrektues”, tha Pantina.

Kurse, Bilall Sherifi në emër të NISMA-s, i dha mbështetje Ligjit ndërsa mes dy leximeve tha se do të japin kontributin e tyre për ta përmirësuar atë.

Ai ka kërkuar nga ministri që paketa e ushqimit mos të hiqet.

“Të heqësh paketën për arsye se nuk mund ta kontrolloni është veprim i gabuar. Mendoj që nuk mund t’i ngarkoni të dënuarit me paaftësinë e institucionit për t’i kontrolluar. Ka rëndësi emocionale me familjen sepse dërgohen gjëra që nuk i gjen as në kantinë as në kuzhina të burgut. Kjo ka të bëjë me lidhjen me kujtime me familjen”, tha Sherifi.