Foto: Kallxo.com

Greva shtyu 100 seanca në Pejë, sot dështuan 12 seanca

Në Gjykatën Themelore të Pejës si pasojë e grevës së punëtorëve të administratës janë shtyrë 12 seanca gjyqësore të cilat kanë qenë të parapara të mbahen gjatë ditës së sotme.

Që nga 4 korriku kur edhe ka filluar greva e deri më sot në ditën e saj të gjashtë, janë shtyrë gjithsej 100 seanca gjyqësore në këtë gjykatë.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Judikaturës në Gjykatën Themelore në Pejë, Bujar Krasniqi, tha për KALLXO.com, se nga nesër puna starton në mënyrë të rregullt pasi drejtuesit sindikalë në Prishtinë kanë arritur marrëveshje me KGJK-në, KPK-në dhe Ministrinë e Drejtësisë për pezullim të grevës.

“Është marrë vendimi qe të pezullojmë grevën kjo pasi që sindikata ka arritur marrëveshje me akterët e tjerë. Greva është shtyrë për një periudhë të pacaktuar dhe se nga dita e nesërme puna do të vazhdojë në mënyrë të rregullt”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Sindikata e punëtoreve të judikaturës me 4 korrik kishte filluar grevën dhe kërkesa e tyre është rritja e pagave për 100%, për rreth 2 mijë punëtoret e administratës dhe rregullimi i statusit të tyre.