Grabitësit thyejnë sërish sigurinë e Rinasit, vritet njëri prej autorëve

Disa grabitës të armatosur dhe të maskuar thyen perimetrin e sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe grabitën një sasi parash në pistën e avionit. Policia njoftoi se njëri prej autorëve kishte mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Disa grabitës të maskuar dhe të armatosur thyen derën e rrethimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas pasditen e së martës dhe pasi hynë në pistën e avionëve, grabitën një sasi lekësh, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit të policisë, makina e grabitësve është ndjekur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia kufitare e Rinasit përgjatë një rruge dytësore ku pas shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur njëri prej autorëve të grabitjes.

“Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një  helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Autorët e grabitjes, përfshirë edhe viktimën e përplasjes së armatosur me policinë, mbeten të paidentifikuar. E paqartë edhe edhe shuma e parave të grabitura, pak para transportimit jashtë vendit me avion, por policia deklaroi se kishte bllokuar një furgon, që dyshohet se u përket autorëve.

Kjo nuk është grabitja e vetme e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Në qershor të vitit 2016, tre persona të maskuar brenda një makine thyen perimetrin e sigurisë së aeroportit të Rinasit dhe grabitën 995 mijë euro nën kërcënimin e armëve, në momentin që paratë po transportoheshin brenda një avioni.  Autorët mbetën të paidentifikuar, por Prokuroria procedoi disa punonjës të aeroportit për shkelje të rregullave të sigurisë.

Në shkurt 2017, një tjetër makinë që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë u grabit në rrugën drejt Rinasit. Autorët e kësaj ngjarjeje përfunduan në pranga.