Serbia Ende e Prirë “të Abuzojë” me Çështjen e Kosovës

Vetëm një ditë pasi presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliq, vizitoi Brukselin dhe premtoi që do t’iu sillte “të vërtetën për Kosovën” qytetarëve serbë, drejtoresha e Fondit për Shoqëri të Hapur në Serbi, Jadranka Jelinçiq, thotë se kjo është një shenjë më shumë që  do të vazhdojë një politikë thellësisht e gjykuar gabim.

“Politikanët tanë pëlqejnë të përdorin fjalë të rënda për të fituar pikë të ulëta politike – por shumica e njerëzve nuk iu intereson shumë Kosova aq sa besojnë politikanët”, thotë ajo.

“Për publikun në Serbi, kjo çështje është e mbyllur. Kjo nuk do të thotë se duhet ta njohim Kosovën si shtet, por njerëzit e kanë pranuar realitetin dhe e dinë se gjërat nuk mund të kthehen prapa siç ishin në vitin 1998 [kur Serbia qeveriste Kosovën]”.

Do të ishte më mirë që sjelljet të drejtohen drejt BE-së dhe të miratohen politika më pragmatike, shton ajo.

Për tani, anëtarësimi në BE mbetet vetëm qëllimi i dytë në politikat e jashtme të Serbisë, thotë ajo.

Sipas ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, i cili u zgjodh javën e shkuar kryetar i Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, detyra e tij është të vazhdojë betejën për të ndaluar njohjet për pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Jelinçiqi beson se ky qëllim është i pamend, për dy arsye. Së pari, vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Irani, Spanja ose Kina, e bëjnë këtë për interesat e veta, për të mos inkurajuar separatistët në vendet e tyre – jo sepse janë miq të Serbisë, siç thotë Jeremiqi.

Së dyti, Jeremiqi e ka gabim që prezanton zgjedhjen e tij në postin e OKB-së si çështje që mund të ndryshojë situatën në, ose me, Kosovën.

“Zgjedhja e tij nuk do të thotë se Kosova do të debatohet në Asamblenë e Përgjithshme, dhe as se ai mund të vendosë Kosovën në agjendë… Ky është vetëm dhe një shembull i keqpërdorimit të çështjes së Kosovës këtu”, shpjegon Jelinçiqi.

Jelinçiqi thotë se qytetarët e Serbisë duhet të dinë gjithashtu se cili mund të jetë çmimi i pozitës së tij.

“Nëse çfarë thonë lituanezët është e vërtetë – se u zgjodh si rezultat i rivalitetit të Rusisë me Amerikën, dhe se është e lidhur me gjendjen e tanishme në Lindjen e Mesme, [ku SHBA-ja dhe Rusia po ndeshen për Sirinë], çështja është nëse Serbia duhet ta pozicionojë veten midis konfliktit të dy fuqive të mëdha.

“Për shkak të këtij konflikti, nuk është e qartë nëse Serbia mund të çojë përpara ndonjë nga interesat e saj, në atë post”, shton ajo.

Ndërkohë, marrëdhënia midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet e rënduar nga mungesa e implementimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjetësuar nga BE-ja, ku të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për thyerje të marrëveshjeve të arritura.

Deri më tani, të dy palët në teori kanë arritur në marrëveshje për lirinë e lëvizjes, njohjen e dyanshme të diplomave të universitetit, dhe përfaqësimin e Kosovës në takime rajonale [të cilin Serbia e refuzon në bazat se nuk është shtet i pavarur].

Një kundërshti tjetër po krijohet tani midis Kosovës dhe Serbi, për targat e automjeteve.

Që nga 15 qershori, misioni i BE-së në Kosovë, EULEX-i, pritet të ndalojë lëvizjen e të gjitha mjeteve me targat e Serbisë në kufirin në veri të Kosovës.

Sidoqoftë, Borislav Stefanoviq, kryenegociatori i Beogradit në bisedime, tha javën e shkuar se sipas marrëveshjes së lëvizjes së lire, serbët në veri të Kosovës nuk kanë nevojë të përdorin targat e Kosovës.

Jelinçiqi thotë se pozita e EULEX-it është e logjikshme. “Në asnjë vend të botës nuk është normale që të kihen dy ose më shumë targa për automjete. Kjo krijon hapësirë për trafik të automjeteve, që, siç e mbajmë mend të gjithë, ishte rasti në vitet 1990-të, kur mungesa e kontrollit të kufijve midis ish-vendeve jugosllave krijoi të ashtuquajturën ‘vrimë të zezë’ në Europë, ku u rrit trafikimi dhe krimi i organizuar”.

Ajo thotë se dështimi për të implementuar marrëveshjet e arritura në bisedime po godet Serbinë, po ashtu edhe Kosovën, veçanërisht rajonin e Serbisë jugore, që banohet kryesisht nga shqiptarë. Bllokada është veçanërisht shqetësuese në lidhje me njohjen e dyanshme të diplomave të universitetit, shton ajo.

“Të rinjtë nga kjo zonë [Serbia jugore] zakonisht shkojnë në Universitetin e Prishtinës, sepse është afër dhe mund të studiojnë në gjuhën e tyre… Por kur kthehen në shtëpitë e tyre në jug të Serbisë zbulojnë se nuk mund të punojnë në institucionet publike, sepse Serbia nuk i njeh kualifikimet e tyre arsimore”.

“Atyre iu duhet të punojnë në sektorin privat, që e thekson më shumë ndarjen sociale, ku shqiptarët punojnë kryesisht në punë private, dhe serbët në sektorin publik. Njerëzit jetojnë jetë paralele, falë shtetit”, thotë Jelinçiqi.

E njëjta gjë ndodhi në fillim të viteve 1990-të në Kosovë, kur [ish-lideri serb] Slobodan Milosheviq largoi shumicën e shqiptarëve nga sektori publik, duke ua lënë institucionet serbëve, thotë ajo.

“Përvoja e viteve 1990-të tregon se shoqëritë paralele çojnë në ndarje dhe shkallë më të lartë tensioni midis grupeve etnike, që pastaj çojnë përfundimisht në lëvizje për pavarësi”, paralajmëron Jelinçiqi.

Jelinçiqi thotë se qëllimi fillestar i marrëveshjeve ishte të vendosej sundimi i ligjit në rajon dhe të ndihmohej lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që po e ndihmon seriozisht rajonin, aktualisht.

“Liderët e shteteve nuk duhet të harrojnë se nuk janë aty vetëm për të arritur interesat e ndërtimit të kombit”, thotë ajo. Qëllimi i tyre i parë duhet të jetë një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët e tyre”, përfundon Jelinçiqi.