Qëndrime Të Ndryshme të Haradinajve për Lidhjet me Apex-Play for Win

Kur pronarët e lojërave të fatit Apex e Play for Win nuk ishin të dyshuar për krim e haraç, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj pranonte se ata ishin donatorë të partisë. 

Por katër vjet më pas kur vëllëzërit Krasniqi ndodhen në burg, të dyshuar për vepra penale, vëllai i Ramushit, Dauti,  mohon mbështetjen financiare të partisë nga bizneset e lojërave të fatit. 

“Nuk besoj që kanë dhënë (donacione), me ligj nuk lejohet një gjë e tillë”, deklaroi Haradinaj në emisionin Rubikon të KTV-së, më 18 shkurt të këtij viti. 

Ai tha se ky biznes ka mundur të ndihmojë duke punësuar njerëz të AAK-së dhe mbështetës të saj. 

Megjithatë, raporti i auditimit për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2009, tregon se Astrit Krasniqi ka dhënë 5 mijë euro donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, subjektin politik të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur anëtarin e kryesisë dhe deputetin e AAK-së Daut Haradinajn për deklaratën e tij që ndryshon nga ajo e vëllait të tij, por ai nuk ka kthyer ndonjë përgjigje dhe nuk ka pranuar të takohet për këtë çështje.

Ndërkohë Ramush Haradinaj më 21 maj 2010 në emisionin Rubikon të KTV-së kishte thënë se i njeh vëllezërit Krasniqi dhe kishte pranuar se ata janë donatorë të partisë. 

“Po janë donatorë të partisë. Realisht edhe ‘Elkosi’ edhe ‘Dukagjini’, edhe ‘Play for Win’ … ka edhe të tjerë që janë donatorë të partisë”, kishte thënë Haradinaj në deklaratën e tij më 2010. 

Daut Haradinaj bën përgjegjës qeverinë

Më tej, Daut Haradinaj thotë se një biznes i tillë mund të operojë vetëm me mbështetjen e pushtetit.

“Nuk mundesh me i thënë një subjekti politik që është në opozitë ti ke lidhje me ta, ose i udhëheq ata… nuk munden këto natyra të bizneseve me funksionu pa e pasur mbështetjen e qeverisë… Institucionet e Kosovës u kanë dhënë licencë dhe unë në atë kohë kam qenë në burg. Unë kur kam dalë prej burgut, ata kanë qenë të pajisur me licencë”, thotë Haradinaj.

Por biznesmeni Astrit Krasniqi mori licencën gjatë kohës sa në pushtet ishte Haki Shatri, një anëtar kryesie i AAK-së.

Shatri deklaroi se para nëntë vjetësh kishte takuar në kabinetin e tij biznesmenin Astrit Krasniqi. 

Tha se ia ka shpjeguar procedurat për regjistrimin dhe licencimin e biznesit të lojërave të fatit. 

 “Unë i kam thënë se në atë moment që ju i plotësoni kriteret, s’ke as nevojë me marrë pëlqim prej meje… ligji ta mundëson – punon. Dhe i kam urdhëruar njerëzit që punojnë aty që t’ia dorëzojnë kriteret për licencim”, deklaroi Shatri.

Shatri bazuar në deklarimin e Jeta Rukiqit, bashkëshortes së Astrit Krasniqit, punon si konsulent financiar i bizneseve të lojërave të fatit. Shatri e ka mohuar këtë.