Foto: Universiteti i Mitrovicës së Veriut

Marrëveshja politike që legalizoi diplomat e universitetit paralel të Prishtinës

Shumëçka i ndan profesorët Marjan Dema e Rade Grbiç. Por, ata e kanë një pozitë të njëjtë. Të dy janë rektor të Universitetit të Prishtinës. Grbiç është rektor i Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut, kurse Dema është rektor i Universitetit të Prishtinës.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV) që prej vitit 1999 nuk ka funksionuar në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë të Kosovës, mirëpo i ka zbatuar rregullat e shtetit fqinjë, Serbisë, duke ia ka ‘vjedhur’ identitetin Universitetit të Prishtinës.

Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se ka kërkuar takim me rektorin e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

“Jemi takuar me disa profesorë të këtij Universiteti, me rektorin nuk jam takuar”, tha shkurt Dema për BIRN-in.

Rektori Dema nuk ka dashur të flasë nëse Universiteti i Mitrovicës, ia ka vjedhur identitetin atij të Prishtinës. Ka thënë se nuk dëshiron të merret me këto çështje, me arsyetimin se është “duke punuar që të ngrisim cilësinë e arsimit”.

Derisa Dema është përgjigjur shkurt, rektori serb Gërbiç, ndonëse në fillim  pranoi  t’i shpjegohet çështja e t’i dërgohen pyetjet, pavarësisht pritjes disa javëshe, ai nuk deshi të përgjigjet.

Tetë universitete publike

Përveç shtatë universiteteve publike në vend, themeluar rreth pesë vjet më parë me vendim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, është edhe një i tetë i cili ka 18 vjet që funksionin në Mitrovicën e Veriut dhe nuk i nënshtrohet Ligjit mbi Arsimin e Lartë në Kosovë

Në nenin 1, pika 2 e këtij Ligji thotë se qëllimi i tij është: “barazia para ligjit për të gjithë bartësit e arsimit të lartë”. Por, kjo pikë nuk ka qenë e zbatueshme në gjithë Kosovën.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe programet e tij nuk kalojnë fare nëpër filtrat e përvitshëm të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, institucionit që merret me akreditimin e programeve në nivelin e arsimit të lartë në vend. E një gjë e tillë është kërkesë ligjore.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim është agjenci e pavarur përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë. Përmes proceseve profesionale dhe transparente të vlerësimit dhe kontrollit të cilësisë apo mjeteve të tjera që konsiderohen të përshtatshme nga ajo, tëçilat i plotësojnë praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në nenin 7 të Ligjit mbi Arsimin e Lartë në Kosovës. “AKA-ja siguron që standardet dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë të plotësojë kërkesat dhe pritjet e Rrjetit Evropian të Asociacionit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. (ENQA)”.

I vetëquajturi “Universiteti i Prishtinës” me seli në Mitrovicën e Veriut ka një planprogram i cili funksionon sipas ligjeve të Serbisë. Madje, filluar nga domeni zyrtar në faqen e internetit i cili i përket shtetit serb, e që është: “en.pr.ac.rs”.

UMV institucion pa akredimit të Kosovës

Pavarësisht obligimit ligjor, ky universitet nuk ka aplikuar asnjëherë në AKA për akreditim. Përkundër kësaj, diplomat e këtij universiteti tani janë të pranuara në tërë Kosovën.

“Ky institucion nuk ka aplikuar asnjëherë në AKA për akreditim, apo njohje te akreditimit institucional apo programeve të studimit”, thotë Gazmend Luboteni për BIRN, i cili është ushtrues detyre i kryetarit të Bordit të kësja agjencie. “Ne si AKA nuk kemi asnjë informatë zyrtare nëse është i akredituar apo jo ky institucion dhe programet e tij të studimit”.

Jozyrtarisht, BIRN ka mësuar se UP-ja me seli në Mitrovicën e Veriut, ka akreditim nga e Serbisë.

Megjithatë, Luboteni thotë se statusi juridik i këtij institucioni është rregulluar me nenin 14 të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 03/L-068 21 Maj 2008).

Sipas pikës a të nenit 14 të këtij ligji që flet mbi Kompetencat e Zgjeruara të Komunës së Mitrovicës Veriore, “Universiteti i Mitrovicës Veriore është institucion publik autonom i arsimit të lartë”.

Përvec telasheve ligjore, Universiteti i Mitrovicës së Veriut e ka prezantuar historiku e Universitetit të Prishtinës, i krijuar pas protestave të vitit 1968. Të dy deklarojnë se janë themeluar me 18 nëntor 1969.

Shpjegimet e MASHT-it

E në MASHT, pas disa javësh pritjeje nga BIRN-i për të marrë përgjigje, me e-mail deklarojnë se Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV) është institucion publik autonom i arsimit të lartë, në pajtim me Nenin 14 të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, i ndryshuar me Neni 17 të Ligjit Nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës nr. 25 / 07 shtator 2012) dhe Nenin 21 të Ligjit nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës nr. 28 / 4 qershor 2008).

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi – Foto: Facebook

Megjithatë, ministria e Arsimit e konfirmon se UMV dhe institucionet tjera të arsimit të lartë dhe shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe nuk veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Praktika e arsimimit paralel në Kosovë daton që nga periudha e pasluftës në Kosovë (1999) dhe vendosjes së administratës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), rrjeti arsimor në gjuhën serbe është reduktuar në statusin e rrjetit paralel, jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, dhe përkrahet nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Kjo ministri sqaron se UMV vazhdon të veprojë brenda kornizës ligjore të Republikës së Serbisë, me emrin ‘Universiteti i Prishtinës i vendosur përkohësisht në Mitrovicën e Kosovës’.

Ndër të tjera, MASHT konfirmon se duke filluar nga maji i vitit 2009, Universiteti i Mitrovicës Veriore është akredituar plotësisht nga Komisioni për Akreditim dhe Sigurim të Kualitetit i Republikës së Serbisë.

“Më 23 dhjetor 2010, mori miratimin formal nga Ministria e Arsimit e Serbisë. Më 27 qershor 2011, Universiteti miratoi statutin e ri duke iu nënshtruar plotësisht legjislacionit për arsim të lartë të Republikës së Serbisë”.

Pasi sqarojnë edhe një herë tërë procesin e licensimit nga UNMIK-u e pastaj procedurat që dervivuan nga marrëveshjet e arritura në bruksel në kuadër të bisdeimeve Kosovë-serbi, MASHT-i thotë se procesi i verifikimit te Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe akreditimi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut brenda sistemit Universitar të Kosovës, janë dy gjera plotësisht të ndara.

Sipas tyre, lëshimi i certifikatave dhe përdorimi i tyre si zëvendësim i diplomave të UMV-së është masë e përkohshme afirmative për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të shtetasve të Kosovës.

“Mekanizmi për verifikimin e diplomave – Komisioni për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut është mekanizëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili në pajtim me Rregulloren (QRK) – Nr.21/2015, është themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 5 shkurt 2016 (Vendimi Nr. 08/73 Datë: 05.02.2016)”, thuhet në përgjigjet e gazetës.

Ministria e Arsimit e Kosovës, në përgjigje me shkrim, më tej deklaron se bazuar në raportin e tre mujorit (maj, qershor, korrik- 2018) të Komisionit  për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, që nga koha kur Komisioni për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga UMV ka filluar punën (12 maj 2016), janë lëshuar 1190 certifikata deri me datën 03.08.2018.

“1423 aplikacione të pranuara; 1190 aplikacione të verifikuara pozitive; 38 aplikacione të verifikuara negative; 3 aplikacione të pakompletuara dhe 192 aplikacione të proces të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Pra, janë verifikuar dhe legalizuar 1190 diploma të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Marrëveshja e komplikuar

Në mesin e rreth 10 mijë studentëve të Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë, ku në faqen e internetit pretendohet se janë larguar me dhunë në vitin 1999 nga objektet e tyre në Prishtinë, studente ishte edhe Dnijela Spasojeviç.

Ajo pretendon se shkollimin universitar e ka kryer në Universitetin e Prishtinës, edhe pse asnjëherë nuk ka qenë brenda objektit të këtij universiteti në kryeqytetin e Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga shumë të rinj, ajo pati fat të gjejë punë! Nga viti 2017, Danjela është punësuar si bashkëpunëtore profesionale në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Krejt kjo fal marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Në vitin 2016, sistemi paralel i drejtësisë që vepronte në katër komunat në veri të vendit, u përfshi në atë të Kosovës e që filloi së zbatuari në fillim të vitit 2017.

Danijela Spasojeviç kishte përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut në vitin 2013, ndërkohë që dy vjet më herët, në vitin 2011, ishte arritur për herë të parë edhe marrëveshja Kosovë-Serbi, nga atëherë kryeministrat Hashim Thaçi i Kosovës dhe Ivica Daçiç i Serbisë, që konsistonte në disa fusha, përfshirë edhe atë në arsim.

Danjela u desh të presë edhe katër vjet të tjera që të punësohej. Para këtij viti, ajo kuptoi se diploma që kishte, nuk ishte aq e vlefshme sa të konkuronte menjëherë për një punë. Kjo u bë e qartë sidomos në shtatorin e vitit 2015, kur nga grupet teknike të Kosovës e Serbisë, në Bruksel u arrit marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave.

Kjo marrëveshje prekte studentët shqiptarë të tri komunave me këtë popullatë në Serbinë Jugore, që diplomoheshin në universitet e Kosovës, por edhe ata të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut.

Por as kjo marrëveshje nuk u realizua. U desh të arrihej një tjetër në janarin e vitit 2016, që palët të njihnin diplomat reciproke, nga ato të nivelit fillore e deri ato të doktoratës.

Kështu, pavarësisht se Danjela kreu shkollimin në Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, diploma e saj duhej t’i nënshtrohej verifikimit nga EUA (Asoçiaçioni i Universiteteve Evropiane).

“Më 4 prill 2016 ka filluar zbatimi”, shkruan në Raportin mbi Gjendjen në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit për periudhën janar-15 qershor 2016, publikuar nga Ministria për Dialog e Qeverisë së Kosovës.

“Marrëveshja për diploma është e vlefshme vetëm për diplomat e fituara nga universitete të akredituara në vendet përkatëse, Kosovës dhe Serbisë, për të cilat palët kanë shkëmbyer listën e institucioneve të akredituara të arsimit të lartë, gjatë muajit mars të vitit 2016”, thuhet në këtë prezantim të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve.

Megjithatë, programet e Universitetit të Prishtinës në Mitroviçë, nuk i ishin nënshtruar asnjë kontrolli paraprak nga autoritetet e Kosovës. Sipas marrëveshjes në Bruksel, pranoheshin procedurat përkatëse të cilësisë dhe ligjore nga autoritetet serbe.

Për tu punësuar në institucionin e drejtësisë, edhe diploma e Danjela Spasojeviç është dashur t’i nënshtrohet EUA-së, dhe tani është në mesin e 1.230 të tillave të verifikuara.

“Të gjithë ata që kanë diplomuar në Universitetin e Prishtinës në Mitrovicën e Veriut, nga data 12 maj 2016, kanë pasur mundësi të aplikojnë në MASHT dhe t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme”, thotë Ljubiça Jankoviç, nga Zyra për Komunitete në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. “Procesi i njohjes së diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut nga institucionet e Kosovës, është bërë pas marrëveshjeve të arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit.”

Ajo ka dhënë shifra tjera sa i përket numrit të diplomave që janë validuar.

“Kemi dorëzuar 1.463 aplikacione, 1.230 diploma janë verifikuar e pranuar, 192 kërkesa janë në pritje, 38 vendime negative dhe 3 aplikacione janë të pakompletuara”, tha ajo.

Tani Danjela Spasojeviç dhe tre të tjerë, punojnë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Ata kanë diploma të lëshuara nga ky universitet.

Në fund të listës botërore

Funksionimi i Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë të Veriut, për njohësin e çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, ka të bëjë tërësisht me mospranimin e Republikës së Kosovës.

“Legjislacioni i Kosovës parasheh status të veçantë për Universitetin e Mitrovicës së Veriut, bile, sipas këtij legjislacioni, ky institucion licencohet nga Komuna e Mitrovicës së Veriut”, thotë Pupovci. “Megjithatë, komuniteti serb refuzon të përfitojë nga kjo mundësi dhe vazhdon të mos i njoh ligjet e Kosovës kur bëhet fjalë për këtë Universitet”.

Ai nuk pret që ky problem të zgjidhet tani, para se të marrin zgjidhje problemet tjera politike në mes të dy vendeve.

Qendra për Arsim në Kosovë, të cilën e udhëheqë Pupovci ka bërë edhe një studim sa i përket njohjes se diplomave, të Universitetit të Prishtinës me seli në Prishtinë dhe atij të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Dukagjin Pupovcit, Qeveria e Serbisë ka insistuar në vazhdimësi se diplomat e Universitetit të Mitrovicës Veriore, t’i nënshtrohen procesit të njohjes nga ana e organeve të Kosovës, sikur të ishin diploma të Serbisë.

“Kjo nuk është pranuar nga ana e autoriteteve të Kosovës, dhe në vend të kësaj autoritetet e Kosovës kanë kërkuar një zgjidhje të veçantë për njohjen e diplomave të këtij universiteti, përmes një pale të tretë”, thotë Popovci.

Ndërkohë, cilësia e këtyre universiteteve mbetet shumë e diskutueshme. Sipas faqe interneti e cila radhit universitetet dhe kolegjet ne nivel global, bazuar në citimet që u bëhen atyre në punime të ndryshme, Universiteti i Prishtinës është i ndarë në atë në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe.

Universiteti i Prishtinës me seli në Prishtinë është në pozitën e 2435 në radhitjen botërore.) Ndërkohë, ai i Prishtinës me seli në Mitrovicën e veriut e që identifikohet si UP në gjuhën serbe, është në pozitën e 18,575.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.