Sajti i Universitetit të Mitrovicës së veriut Foto: Printscreen

Qeveria Njeh Diplomat e Universitetit të Mitrovicës së Veriut

Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Planin Vjetor të Punës për vitin 2016, i cili përmban prioritet dhe objektivat e qeverisë.

Zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi tha se ky plan është në harmoni të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

“Plani Vjetor i Punës 2016 integron dhe harmonizon prioritetet e vendosura në programin e qeverisë me dokument ete tjera të rëndësishme sikurse draft-strategjia për Zhvillim 2014-2020, programin e reformave ekonomike për vitin 2016,” tha Abrashi.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit, qeveria miratoi  edhe rregulloren për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave shtetasve të Kosovës të cilët kanë marrë diploma në Universitetin e Mitrovicës së Veriut.

Sipas Abrashit studentët e këtij universiteti janë kryesisht qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë pjesëtar të komuniteteve jo shumicë , boshnjak, malazez, goran si dhe vendeve fqinje të Kosovës veçanërisht të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Përmes njohjes së këtyre diplomave këta studentë mund të aplikojnë për vende pune në Kosovë.

Emërtimi zyrtar i këtij institucioni të arsimit të lartë është “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”, ndërsa që nga viti 1999 ka funksionuar jashtë ombrellës institucionale të Kosovës.

“Lëshimi i certifikatave dhe përdorimi i tyre si zëvendësim i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut është masë e përkohshme afirmative për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të shtetasve të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se kjo Projekt-rregullore është në pajtim me Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Kosovë.

“Kjo do të mundëson integrimin e tyre në tregun e punës, është një kornizë e mirë ligjore që studentët e diplomuar të Mitrovicës Veriore të integrohen në tregun e punës në Kosovë,” deklaroi Bajrami.

Në mbledhjen e 67-të të qeverisë u miratuan edhe propozim-vendimi mbi Koordinimin e Reformave të të Bërit Biznes, Shqyrtimi i Draft-konceptit për Pronën Publike dhe bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Sllovenisë për çështje penale.