Kryeshërbyesi Civil Shef në PDK

Pozitën e kryeshërbyesit civil të Kosovës e mban një kryetar dege i partisë së drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi. 

Muhamet Latifi, Drejtori i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, njëkohësisht është edhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë. 

Ai po ashtu është anëtar i Këshillit Drejtues të së njëjtës parti, organ që përbëhet 154 zyrtarë të partisë. 

Latifi udhëheq zyrën që bën monitorimin, organizimin dhe koordinimin e punëve të shërbyesve civilë e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. 

“Unë e kam ngrirë aktivitetin politik derisa jam këtu dhe po që se vazhdoj të merrem me politikë do ta pezulloj aktivitetin tim si drejtor” Muhamet Latifi

Ai thotë se në punën që mban në këtë ministri është zgjedhur nëpërmjet konkursit në vitin 2010. 

Mirëpo Latifi, përpos kësaj pozite, në të cilën është emëruar nga viti 2010, është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit Drejtues të kësaj partie në konventën e fundit zgjedhore të PDK-së, e cila është mbajtur në janar të këtij viti.

Ai kishte marrë 170 vota dhe ishte renditur i 143-ti në mesin e 154 anëtarëve të Këshillit Drejtues.

“Është e vërtetë që unë jam zgjedhur në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Latifi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shërbyesit civilë e kanë të ndaluar të mbajnë pozita politike. Bazuar në ligjin për shërbyes civilë, Latifi duhet të pezullojë njërën prej këtyre pozitave. 

Paragrafi i tretë i nenit 17 thotë se “nëpunësit nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht”.

Megjithatë Latifi thotë se nuk është duke e ushtruar aktivitetin politik në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë e kam ngrirë aktivitetin politik derisa jam këtu dhe po që se vazhdoj të merrem me politikë, sipas ligjit për shërbyes civilë, do ta pezulloj aktivitetin tim si drejtor”, tha Latifi duke folur për pozitën që mban si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. 

Ai ka treguar se që nga viti 2004 është anëtar, militant dhe votues i Partisë Demokratike të Kosovës. 

Latifi thotë se nuk merr pagë nga partia të cilën e simpatizon. “Ligji nuk ia ndalon askujt të jetë simpatizant i ndonjë partie politike. Jam i vetëdijshëm për këtë, por është vullnet i personit që të merret me politikë”. 

Kur është pyetur për pozitën tjetër në PDK ai ka deklaruar se ka “ngrirë pozitë në degë të partisë”. Ai është kryetar i degës së PDK-së në Podujevë dhe ishte rizgjedhur pa kundërkandidatë më 23 dhjetor të vitit 2012. 

Agjencioni Kundër Korrupsionit ende nuk ka kthyer përgjigje nëse ky rast përbënë konflikt interesi.

“Kur ka konflikt interesi duhet të zgjedhin njërën pozitë”.

“Ne jemi ende në konsolidim e sipër dhe kur e shohim që ka një konflikt interesi, ne kërkojmë prej njerëzve me zgjedhë njërën ose tjetrën pozitë dhe kjo rregullohet” Basri Masmurati

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së, i ka thënë gazetës se zyrtarët e PDK-së që janë shërbyes civilë në institucionet e Kosovës, nuk kanë pozita udhëheqëse por janë vetëm anëtarë forumi.

“Ne jemi ende në konsolidim e sipër dhe kur e shohim që ka një konflikt interesi, ne kërkojmë prej njerëzve me zgjedhë njërën ose tjetrën pozitë dhe kjo rregullohet”, tha Musmurati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por Statuti i Partisë Demokratike të Kosovës thotë që Këshilli Drejtues është organi më i lartë i kësaj partie. 

Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë edhe rol vendimmarrës sipas nenit 40-të të statutit të PDK-së. 

Këshilli Drejtues zgjedh, anëtarët e kryesisë, miraton llogarinë përfundimtare dhe buxhetin për vitin vijues, krijon fondacione sipas nevojës së PDK-së, aprovon dhe rekomandon botime për nevoja të caktuara etj.  

Ndërkaq Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil të cilin e drejton Latifi, harton dhe mbikëqyrë politikat për një shërbim civil, me të drejtë sipas tij. 

Ky departament harton dhe promovon koordinimin dhe zbatimin e politikave për aftësimin e zhvillimit të kapaciteteve të shërbyesve civil, si dhe mbikëqyr zbatimin e politikave në fushën e pagave. 

Arianit Bytyçi, maj 2012 | Foto: kryeministri-ks.net 

Shefi i Informimit në Kryeministri Dërgon Kumtesë të PDK-së 

Njoftimi për emërimin e Kadri Veselit në pozitën e zëvëndëskryetarit të PDK-së iu është shpërndarë mediave nga një shërbyes i lartë lartë civil i Zyrës së Kryeministrit. 

Më 26 mars, PDK-ja njoftoi se ka emëruar ish-shefin e SHIK-ut në pozitën numër dy në parti dhe se në mbledhjen e kryesisë u diskutua për “procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, aktualitetin politik në Kosovë si dhe për për çështje organizative të PDK-së” 

Përmbldhjen e diskutimeve të kryesisë së partisë në pushtet e kishte shpërndarë nëpërmjet një kumtese shtypi, Arianit Bytyçi, i cili mban pozitën e Drejtorit të Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeministrit.  

Ligjërisht Bytyçi nuk ka të drejtë të merret me aktivitete politike.

Funksioni i tij rregullohet me ligjin për shërbimin civil i cili në nenin 3 thotë ndër të tjera se “ky ligj përcakton rregullat për menaxhimin dhe organizimin e përgjithshëm të një shërbimi civil të paanshëm politikisht”.

Po ashtu ligji qartësisht parasheh në nenin 7 se shërbyesit civilë nuk mund të jenë aktivë politikisht.

Bytyçi nuk dha përgjgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë se pse dërgoi kumtesën e PDK-së ndonëse punon si shërbyes civil. 

Shërbyesit civilë nuk mund të jenë aktivë politikisht. Ligji pë shërbyes civilë

Po ashtu, as Fitim Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, nuk komentoi veprimin e Bytyçit. 

Gazeta i është drejtuar edhe Agjencionit Kundër Korrupsion për këtë rast. AKK ende nuk është përgjigjur.

Raste të ngjashme kur zyrtarët shtetërorë për informim dërgojnë njoftime në emër të partisë kishin ndodhur në Deçan e në Junik. 

Por, derisa Bytyqi kishte dërguar njoftimin nga emaili privat i tij zyrtarët e informimit në këto dy komuna njoftimet partiake të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kishin dërguar me emaile zyrtare. 

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, e kishte vlerësuar këtë si gabim teknik dhe nuk kishte dashur të komentonte më shumë.

Njejtë e pati vlerësuar edhe Rasim Selmanaj kryetar i Deçanit.  

“Normalisht, unë i kam thënë zyrtares për informim që të dërgojë e-mail prej adresës së partisë, por nëse ka ndodhë, është një gabim teknik që nuk është dashur të ndodhë dhe nuk do të përsëritet”, pati thënë Selmanaj.