Kosovarja që Do Drekë me Barack Obamën

Hiljmnijeta Apuk gjendet në New York ku në selinë e Kombeve të Bashkuara do të marrë pjesë në Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar që zhvillohet për herë të pestë prej datës 12 deri më 14 shtator.

Konventa do të diskutojë për fëmijët dhe gratë me aftësi të kufizuar si dhe mundësitë për përfshirjen e tyre në shoqëri. Disa nga parimet e saj bazë janë liria për të zgjedhur dhe autonomia individuale, pjesëmarrja e plotë dhe efektive në shoqëri, respektimi i dallimeve, mundësitë e barabarta, e drejta e fëmijëve me aftësi të kufizuar për të mbrojtur identitetet e tyre etj.

Apuk, 56, flet me krenari se si kishte arritur që më 2006 të jetë pjesë e përpilimit të konventës zbatimi i së cilës do të monitorohet sivjet. Ajo tregon edhe se si një organizatë që drejton në Mitrovicë e që ka 125 anëtarë ka status konsultativ në këtë konventë.

Ekipi kosovar do të flasë aty sivjet për temën e qasjes së studentëve në fakultetet e Mitrovicës dhe do paraqes një ekspozitë të kulturave të përziera të personave me aftësi të kufizuar, Apuk i tha Gazetës Jeta në Kosovë. “Duam të tregojmë se edhe ne jemi këtu”.

Për shijen e saj, vizitat në SHBA tejkalojnë thjesht pjesëmarrjen në punëtoritë e kësaj konvente. Kosovarja flet me admirim të madh për SHBA-në në aspektin e respektimit të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

Sikur edhe shihet në webfaqen e Shtëpisë së Bardhë, kjo kategori hyn në mesin e prioriteteve të përkujdesjes së Qeverisë amerikane. Aty flitet për forcim të kujdesit shëndetësor ndaj tyre, rritjes së mundësive të punësimit e arsimimit, të përdorimit të teknologjisë, të pjesëmarrjes në jetën shoqërore si dhe forcimin e pozitës së këtyre njerëzve në gjithë botën. Në fund të fundit, SHBA është vendi që ka ndërtuar mbi synimet e barazisë së të gjithëve.

“Do të doja të kisha drekë me Presidentin e SHBA-së”, thotë Apuk. Ajo s’do të mund ta takojë Barack Obamën gjatë javës që vjen, por ndoshta kjo ëndërr asaj do t’i mundësohet një ditë. Ajo është veterane e përpjekjeve të barazisë në Kosovë — përpjekje me të cilat identifikohet edhe vetë Obama në nivel botëror — dhe ishte radhitur si një nga gratë më të fuqishme kosovare dhe e treta në radhën e atyre nga komunitetet në një kabllo të ambasadores Tina Kaidanow, të vitit 2007, publikuar më vonë nga Wikkileaks.

foto  
Hiljmnijeta Apuk  

Juriste dhe ekonomiste me profesion, Apuk drejton organizatën joqeveritare “Njerëzit e Vegjël të Kosovës” me seli në Mitrovicë e që merret me preokupimet e këtyre banorëve të vendit, të themeluar më 1990, e para e këtij lloj në gadishullin ballkanik. Ka 25 vjet që merret me këso aktivitetesh dhe ka qenë edhe anëtare e kryesisë së shoqatës për personat me distrofi të muskujve në ish-Jugosllavi dhe e shoqatës simotër në Kosovë.

Gjatë luftës, zyrës ishte i vënë zjarri por ajo kishte drejtuar rindërtimin e saj dhe organizata ishte rihapur më 2002. Dëshira për të ndihmuar njerëzit në disavantazh natyror në shoqëri kishte lindur që kur ishte fëmijë. Ajo kujton ditën kur nëna e saj ia kishte veshur një fustan dhe e kishte dërguar në klasën e parë në shkollë dhe më pas se si motra e shoqëronte deri në klasën e pestë.

Apuk është e bindur se këta njerëz kanë shumë për të dhënë për shoqërinë.  “Edhe pse kam qenë kështu kam vazhduar shkollimin edhe kam qenë më e mira në shkollë”, thotë ajo, e vetmja në familjen me shtatë anëtarë me aftësi të kufizuara. Nëna e saj është boshnjake, ndërsa babai qerkez. Kjo duket se i jep asaj një këndvështrim edhe më të hapur për njerëzit dhe diversitetin. Edhe organizata e saj ka anëtarë nga të gjitha komunitetet kosovare.

Sipas saj, forcimi i të drejtave të këtyre njerëzve vazhdon të mbetet sfidë e madhe e Kosovës. “Ky është grupi më i diskriminuar në shoqëri”, tha ajo.

Prandaj, gjatë muajit tetor, Apuk paralajmëroi aktivitete për të lobuar për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. “Kemi organizuar që në gjithë qytetet e Kosovës të kemi një ditë ose një javë pune”, tha ajo. “Të shohim se kush mund të ofrojë vende të punës”.

99 për qind e personave me aftësi të kufizuar, shton ajo, janë të papunë.

Puna llogaritet problemi më i madh, por mungesa e qasjes shtrihet edhe në sektorë tjerë. Për shembull, deri edhe në sport.
     
Apuk përmend Daut Bytyqin, anëtar i organizatës, i cili kishte marrë pjesë në garat botërore për personat me aftësi të kufizuar dhe i cili pati thyer rekordin botëror në gjuajtje me gjyle. “Ai në vitin 2005, në Rambuje, Francë, ka thyer rekord. Ndërsa sot ai ka mbet i shkretë dhe askush nga institucionet nuk i ka ndihmuar që ai të vazhdojë të merret me këtë sport”.