KEK-u Nuk Arrihet Lehtë

Në muajin janar, kur Gazeta Jeta në Kosovë kishte kontaktuar KEK-un, duke kërkuar shpjegime pse nuk funksiononin dy e-mailat zyrtarë për raportimin e korrupsionit, zyrtarët thanë se  janë “në rregullim e sipër të problemit”.

“E-mail adresa ka pasur ndërprerje të përkohshme, sepse jemi në fazën e shthurjes dhe ndërrimeve në sistem (ndarja e domain-ave). Kjo ka qenë arsyeja”, i kishte shpjeguar zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, Gazetës JnK, më 20 janar.

Mirëpo, edhe pas më shumë se dy muajsh, e-maili ku qytetarët do të duhej të raportonin nëse, ta zëmë një punonjës i KEK-ut iu kërkon ryshfet, ende nuk funksionon. Për më shumë adresa është e shkruar gabimisht “kekantikporrucion” dhe e hapur në yahoo, e jo me domanin zyrtar të korporatës.

 

Korporata nuk është treguar serioze as me listën e kontakteve të qendrave të thirrjes që ka nëpër degët e saj, duke mos i azhurnuar.

Një qytetar i Pejës i tha gazetës se është i lodhur nga thirrjet e shumta që po i bëjnë qytetarët, të cilët mendojnë se po thërrasin në Qendrën e Thirrjeve të KEK-ut në Pejë. “Më thirrin në ora 1 të natës, si pat rrymë, si nuk pat. Unë ju them të mos thirrin më, sepse ky numër është privat”.

Ai kishte punuar para disa vitesh në Qendrën e Thirrjeve dhe KEK-u ia kishte postuar numrin e tij privat të celularit te kontaktet. Kjo, pasi KEK-u kishte dashur që përveç numrave fiks, të vendosë edhe numra të telefonave mobilë, të punëtorëve që punonin nëpër qendrat e thirrjes.

 

Edhe pse ka disa vjet që nuk punon më aty, mirëmbajtësit e uebfaqes së KEK-ut ende nuk e kanë larguar numrin.

Ndërsa, sipas listës së kontakteve të KEK-ut, gjakovarët nuk mund të arrijnë të marrin informacione nga Qendra e Thirrjes. As numri fiks, e as ai i telefonit mobil, nuk janë të duhurit.

Një zyrtar i KEK-ut në Gjakovë i tha Gazetës JnK se përveç numrit 0390 320 622 nuk ka numër tjetër  telefoni. “E mobil nuk kemi fare”, tha zyrtari.

Përgjegjës për rifreskimin e uebfaqes me informacione të reja është Departamenti për Komunikim, në krye të cilit është zëdhënësi Viktor Buzhala. Ky thotë se e bëjnë rifreskimin “çdo ditë”, ndërsa nuk e di pse numrat kontaktues kanë mbetur të vjetër.

“Ne jemi duke e freskuar aktualisht sistemin e numrave dhe këto ditë do të vendosen në uebsajt numrat e rinj… Mund të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim, si pasojë e ndërrimit të sistemit, i cili është në rregullim e sipër”, i tha Buzhala, Gazetës JnK.

Ndonëse tingëllon si problem jo edhe shumë i madh mosmirëmbajtja e uebfaqes, për arkëtarin e nëndsitriktit të KEK-ut në Rahovec postimi i numrit të tij në uebfaqen zyrtare të KEK-ut tek qendra e thirrjeve paraqet një problem shumë të madh.

Ky arkëtar ka gati një vit e gjysmë që pranon telefonata e ofendime nga më të ndryshmet, e tëra kjo si pasojë e neglizhencës së kujdestarëve të kësaj faqeje.

“Veç nuk e di kush ma ka qitë numrin aty, se s’di çka i kisha ba”, tha arkëtari rahovecian.

Pas bisedës me Buzhalën, numri i telefonit të arkëtarit është larguar të nesërmen, nga lista e kontakteve.