Foto: Facebook

Kali i Trojës ulur në qeverinë e Haradinajt

Në vazhdën e një beteje të re gjatë kësaj jave ndërmjet partnerëve të koalicionit, secili prej tyre po kërkon të minojë tjetrin, duke kërkuar zgjedhje të reja – mirëpo kjo nuk është ndonjë gjë e re në kulturën politike kosovare.

Të hënën, megjithatë, gjithçka doli në pah.

Partnerët më të mëdhenj të koalicionit qeverisës në Kosovë, PDK dhe AAK, i kanë ndarë udhët me njëri-tjetrin sa i përket çështjes së vendosjes së taksës kundër Serbisë. Në njërën anë, kryetari i PDK-së dhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka propozuar pezullimin katërmujor të taksës doganore prej 100 për qind për mallrat që vijnë  nga Serbia, taksë kjo e cila u vendos nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj u dërgoi një letër udhëheqësve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, duke i përcaktuar kushtet e kërkuara para se qeveria të dalë me ndonjë vendim për heqjen e taksës, duke e përcaktuar, njëkohësisht, konfirmim publik nga ana e Serbisë për ndërprerjen e “fushatës kundër aspiratave të Kosovës si shtet Sovran”, si njërën prej kërkesave të saj.

Tri orë më vonë, Veseli doli me një reagim kundër  ndaj kushteve të Haradinajt.

“Kosova nuk ka nevojë për konfrontim me SHBA, as me Bashkimin Evropian. Vendosja e kushteve ndaj partnerëve tanë kryesorë strategjikë nuk do ta ndihmojë Kosovën në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ose në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, tha Veseli pas takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Kjo çarje e kohëve të fundit mes Veselit dhe Haradinajt shpërfaqë paaftësinë ose mungesën e vullnetit të të dy partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë për një qëndrim të unifikuar – dhe po bëhet gjithnjë e më pak e qartë se cila anë e këtij koalicioni është ulur brenda kalit të Trojës.

Gjatë ditëve të fundit Kadri Veseli ka dalë kundër vazhdimit të taksës të vendosur. Veseli dhe Enver Hoxhaj, një prej pesë zëvendëskryeministrave të qeverisë Haradinaj, një figurë udhëheqëse e PDK-së, i morën meritat për rritjen e taksës më herët gjatë muajit janar, duke e quajtur atë idenë  e taksës “ekskluzivisht” të tyre.

Megjithatë, Haradinaj mbeti i palëkundur  në përkrahje të vazhdimit të vendsojes së taksës në mungesë të ndryshimit të pozicionit të Serbisë në raport me shtetësinë e Kosovës.

Rënia e mbështetjes për vendosjen e taksës nga radhët e PDK-së gjatë ditëve të fundit përforcon një shpërputhje nga brenda partisë dhe një pozicionim të paqëndrueshëm politik i vënë në zbatim edhe më herët nga politikanë, të tillë si vetë presidenti Hashim Thaçi.

Duke u tallur me komentin e Haradinajt javën e kaluar se taksa do të hiqet atëherë “kur bora të shkrihet”, të dielën, me një postim tijin, Thaçi iu përgjigj, “Bora ka zënë të shkrihet shpejt. Uroj të mos bëhet skllotë.”

Letra e radhës e Haradinajt, e botuar të martën në mëngjes, tregoi se përveç angazhimit për përfundimin e një “marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme” me Serbinë, Kosova ka një tjetër qëllim tjetër për të arritur.

“Me anë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Si një inicues i idesë së shkëmbimit të territorit i mveshur nën petkun e korrigjimit te kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj qartazi aludon në Thaçin si “propogandues për Serbinë” në këtë përballje mes tyre.

Sikurse Haradinaj, edhe liderët e PDK-së po përdorin mjete të paskrupullta për t’iu kundërvënë njëri-tjetrin, me gjithë faktin se që të dy palët e udhëheqin vendin së bashku. Përderisa Thaçi dhe kolegët e tij nga PDK-a janë të përkushtuar ti “ruajnë” marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, Haradinaj është na paraqitet sikur super-heroi i cili do të ruajë çdo centimetër të territorit të Kosovës.

Edhepse armiqësia ndërmjet Thaçit dhe Haradinajt ka një histori më të gjatë, nuk duhet harruar se PDK dhe Haradinaj kishin punuar krah për krah njëri-tjetrit për formimin e koalicionit dhe ruajtjen e pushtetit të tyre.

Kjo armiqësi nga PDK-ja e Thaçit nuk është diçka e re. Shikuar në retrospektivë, në dhjetorin e vitit 2017, më shumë se 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryesisht nga PDK-ja, kishin iniciuar  procesin e votimit për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Shumë shpejt u bë e qartë se forcë shtytëse për diskreditimin e gjykatës ishte presidenti i Kosovës, duke përdorur perden e hollë të strukturës politike të PDK-së në mënyrë që të shpie përpara pozicionin e tij.

Në gusht të vitit 2015, ishte Thaçi dhe PDK ata të cilët dhunshëm nxitën mbështetjen për të votuar  Dhomat e Specializuara, pavarësisht kundërshtimit konstant nga partitë opozitare duke dënuar hetimet fillestare selektive në lidhje me pretendimet për krime lufte, kryesisht ato që thuhet se janë kryer nga shqiptarët e Kosovës gjatë luftës në Kosovë.

Kur Dhomat e Specializuara filluan t’i ftonin anëtarët kyç të PDK-së për intervista në Hagë në dhjetor të vitit të kaluar, PDK e quajti Gjykatën Speciale një  “re të zezë” mbi Kosovën.

Duket të jetë e pabesueshme se, ata që e inicuan propozimin për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, propozim ky i cili pasoi me refuzimin e plotë nga ana e SHBA-së dhe BE-së, tani do të zhvendosnin pozicionimin e tyre tek taksa kundër produkteve të importuara nga Serbia në emër të partneritetit të Kosovës me këto shtete.

Pretendimet e PDK-së se aleanca amerikane është duke u rrezikuar nga taksa në fjalë nuk përbën asgjë më shumë sesa një alarm ndjellakeqës, se “aleancës së shenjtë” midis Kosovës dhe SHBA-së po i vie fundi.

SHBA, e po ashtu BE, sigurisht se e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kur bëhet fjalë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e jashtme të SHBA-së, është e iluzore të besohet se SHBA është aq shumë e  angazhuar në ekonominë e Serbisë, saqë të keqësojë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera për të mbrojtur ekonominë serbe.

Shitja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, sa i përket çështjes së taksës së vendosur ndaj mallrave të Serbisë, thjeshtë, duket të jetë jorealiste.

As SHBA as BE nuk duan të shohin ndonjë përshkallëzim midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të ishte absurde të sugjerohej se kjo do të ishte një fije kashtë që thyen shpinën e devesë, duke shënuar fundin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

Ky debat i brendshëm midis koalicionit po shpaloset në një kohë kur të punësuarit në sektorin e arsimit në Kosovë po hyjnë në javën e tretë të grevave në shenjë proteste për paga të ulëta, ndërsa një valë tjetër e protestave dhe bojkoteve duket të jenë shumë afër së filluari.

Ora e qeverisë së Kosovës mund të trokasë dhe, zgjedhjet e parakohshme mund të duken në horizont. Sjellja e partive politike në pushtet në javët e fundit tregon saktësisht se si kjo orë po troket: me mosbesim dhe tallje, por edhe me një gatishmëri për kohabitacion (bashkëjetesë) atëherë kur edhe interesi vetjak e kërkon një gjë të tillë.

30 Janar 2019 - 16:58

Eraldin Fazliu 30/01/2019 - 16:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend