Kulla në aeroport | Foto: KALLXO.com

Avancimi i parregullt i punëtorit në ASHNA

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror, Bahri Nuredini avancoi një Ushtrues Detyre të zyrtarit çertifikues në pozitën e menaxherit të financave pa përfillur procedurat për avancim.

Nuredini këtë e kishte bërë me një akt-emërim në bazë të propozimit nga menaxheri i Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur që ky avancim është bërë në formë diskriminuese pa procedurat avancues që janë shpallja e konkursit brendshëm, formimi i komisionit dhe testimi i kandidateve.

Lidhur me avancimin e këtij zyrtari dhe shumë parregullsi të tjera në punësim në ASHNA, ‘Jeta në Kosovë’ kishte realizuar disa emisione hulumtuese.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ , në pjesën e tretë të hulumtimit, janë diskutuar dhjetëra raportime që kanë ardhur në KALLXO.com lidhur me punësimet familjare në ASHNA dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Përballë Jeta Xharrës, Nuredini pranoi se kishte ndikuar për të punësuar vëllanë në kompaninë Aeroportin e Prishtinës të koncesionuar nga LIMAK.

Përveç kësaj, Nuredinit i janë punësuar edhe kushërinjtë e tjerë, disa në ASHNA e disa në LIMAK.

Sipas auditorit, ky avancim paraqet rrezik edhe në performancën e organizatës në përgjithësi.

“Ne kemi vërejtur se DP i ASHNA-së kishte nxjerrë akt-emërim për avancim në pozitë nga U.D zyrtar certifikues në pozitën e menaxherit të financave në bazë propozimit nga menaxheri i departamentit të burimeve njerëzore, pa i ndjekur procedurat për avancim në pozitë të nëpunësve civil. Mos zbatimi i procedurave për avancim kufizon transparencën, konkurrencën e hapur dhe rrit mundësinë e avancimit e nëpunësve civil që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme për të menaxhuar me ato pozita. Kjo mund të ndikojë negativisht në performancën e organizatës në përgjithësi”, thuhet në raportin e auditorit.

Ky avancim nuk ishte vërejtja e vetme e auditorit sa i përket punësimeve në ASHNA.

Sipas këtij raporti, ASHNA ka mbajtur zyrtarë si ushtrues detyre më gjatë sesa që e parasheh ligji.

“Ligji për Shërbimin Civil nr. 03L/149 në nenin 30, përcakton se në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se (3) tre muaj. Gjatë auditimit, ne identifikuam dy pozita që mbulohen me ushtrues detyre (UD) që kanë tejkaluar afatin e lejuar për mbajtjen e pozitës UD. Pozita e Menaxherit të dep. Financave mbulohet me UD nga dt.29.07.2016 deri 24.11.2017 dhe pozita e Menaxherit të Prokurimit mbulohet me UD nga dt. 31.01.2017 dhe vazhdohet ende”, thuhet në raportin e Zyrws Kombwtare tw Auditimit.

Auditori po ashtu thotë se në këtë agjenci mungon organizimi i dosjeve të punëtorëve në sistemin informative.

“Edhe në vitin 2017 nuk është aplikuar Sistemi Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNj), përmes të cilit menaxhohen informatat për secilën dosje të personelit. Mos aplikimi është si rezultat i mungesës së përditësimit të shënimeve për të punësuarit e ASHNA-së, të cilët më parë janë trajtuar me Ligjin e Punës, ndërsa pas ndryshimit të statusit të organizatës të gjithë të punësuarit i përkasin kategorisë së shërbyese civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

ASHNA po ashtu nuk ka paraqitur saktë pozitat dhe pagat e punëtorëve në dosjet personale.

“Gjatë testimit të listave të pagave, ne kemi vërejtur se ASHNA nuk kishte aplikuar përditësimin e dosjes së të punësuarave me emërtimin e pozitave të vendeve të punës. Në listën e pagave u identifikuan tre raste të pozitave të njëjta të vendeve të punës (zyrtar kryesor financiar) të cilët nuk e ushtronin pozitën e ZKF-së. Për me tepër, ne kemi vërejtur se dosjet e nëpunësve nuk ishin të kompletuara (azhurnuar), pasi që ju mungonte përshkrimi i vendeve të punës dhe akte-emërimet në pjesën më të madhe të rasteve. Më tutje, në dy pozita të rekrutuara në vitin 2017, mungonin vlerësimet gjatë procedurës së rekrutimit”, thuhet në raport.

Afër 20 punësime të dyshimta dhe familjare ishin identifikuar nga ‘Jeta në Kosovë’ në emisionet hulumtuese mbi Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA-n.

Këto çështje u trajtuarn në pjesën e tretë tëhulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak dhe i dyti sigurinë e këtij aeroporti ndërsa i katërti intervistën me Drejtorin e Aeroportit.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar- 3