Analisti nga Beogradi: Nuk e di si do t’ia shpjegonte Vuçiqi shkëmbimin e territoreve opinionit në Serbi

Analisti nga Beogradi, Dragomir Angjelkoviq, thotë se nuk pret që Presidenti i Serbisë do ta jepte territorin e Luginës së Preshevës në këmbim të veriut të Kosovës, në një marrëveshje eventuale me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Angjelkoviq, një analist i afërt me Vuçiqin, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” thotë se opinioni serb nuk do ta pranonte një zgjidhje në të cilën Serbia do të duhej të jepte territor dhe ta pranonte pavarsinë e Kosovës në këmbim të marrjes së një territori nga Kosova.

 

Jeta Xharra: Z. Angjelkoviq, a mund të na thoni se për cilat pjesë të territorit po diskutohet? Çfarë dini lidhur me atë se për shkëmbimin e cilave pjesë të tokës po diskutohet saktësisht?

Dragomir Angjelkoviq: Është vështirë të thuhet se çka kanë diskutuar dhe se për çka janë dakorduar Vuçiq dhe Thaçi. Në Serbi ekziston qëndrimi i përgjithshëm se nëse flitet për demarkim të kufijve mund të flitet për demarkim të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, dhe jo për demarkim të përgjithshëm. Me fjalë tjera, për shumicën është akoma temë tabu dhe është i papranueshëm shkëmbimi i territoreve, mirëpo nisen nga ajo që është shkëmbim interesash. Me fjalë tjera, në mënyrë që Serbia të jetë e gatshme të pranojë pavarësinë e pjesës më të madhe të Kosovës, t’i mundësojë Kosovës të hyjë në OKB dhe ta trajtojë Kosovën si shtet – Serbia duhet të fitojë një pjesë të territorit. Kjo bazohet në atë se Kosova paraqet territor të veçantë sipas Rezolutës 1244. Shqiptarët e konsiderojnë shtet, ne e konsiderojmë si krahinë jugore, dhe në mënyrë që të dilet nga ky pozicion ‘pat’, meqë Kosova nuk mund ta kompletojë shtetësinë e vet realisht, dhe nuk mund të hyjë në OKB meqë gjysma e shteteve të botës nuk e njohin Kosovën, dhe në anën tjetër Serbia vështirë që mund ta kthejë një pjesë të territorit ndryshe vetëm se përmes negocimeve dhe bisedimeve, sepse një gjë e tillë do të shkaktonte turbulencë ndërkombëtare, prandaj bazohet në atë se për një njohje ndërkombëtare Serbia duhet ta fitojë veriun e Kosovës. Kjo është ajo që kryesisht flitet në publik, por dikush tjetër shkon përtej kësaj dhe përmend edhe territore tjera. Por, megjithatë kjo temë shtrihet gjerësisht si qasje realiste, dhe që Serbia nuk mund të insistojë në pjesë tjera të Kosovës sikurse ajo e Anamoravës apo zona tjera dhe se mund të kufizohet vetëm në veri, dhe duhet të ofrojë nga vetja njohjen e pavarësisë së pjesëve tjera të Kosovës.

Jeta Xharra: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke i thënë publikut se a do të dëshironin bashkimin e Kosovës me Luginën e Preshevës dhe kjo është mënyra se si ai po e reklamon këtë marrëveshje para popullit. Mënyra si ai po e reklamon atë është kinse 3 komunat, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja do të bashkohen me Kosovën. A mund të më thoni nëse, edhe në mediat më liberale të Beogradit a ekziston mundësia që këto 3 komuna, pra jo 2 komuna por 3, do të lejohen në shkëmbim të territoreve?

Presheva. Foto: BIRN

Dragomir Angjelkoviq: Nuk ekziston një mundësi e tillë për arsyet në vijim. Baza për këtë është se Kosova është territor i kontestuar dhe nuk kontestohet territori i përgjithshëm i Serbisë. Po të hapej procesi i shkëmbimit të territoreve atëherë, nesër pasnesër, boshnjakët në zonën e Rashkës apo Sanxhakut mund të paraqesin çështjen e ndarjes së territorit, pastaj hungarezët në Vojvodinë po ashtu. Kosova paraqet territor të veçantë sipas Rezolutës 1244 të cilën ne nuk e kemi nën kontroll edhe pse e konsiderojmë tonën dhe se për këtë mund të bëjmë kompromise. Por, çkado tjetër jashtë kësaj është e papranueshme. Së pari, në jug të Serbisë, shqiptarët jetojnë si shumicë në Preshevë, ndërsa në Bujanovc popullsia është e ndarë. Në Medvegjë shqiptarët janë pakica më e madhe. Krahas kësaj, Bujanovci dhe Presheva kanë rëndësi strategjike të madhe sepse paraqesin korridor të rëndësishëm komunikimi. Pa të, Serbisë i ndërpritet komunikimi drejt Maqedonisë dhe detit Egje. Prandaj, mendoj që as teorikisht nuk ka mundësi të tillë. Së dyti, ekziston mendimi se nëse ka shkëmbim do të thotë se diçka do te jepet për të marrë diçka. Pra, Serbia i jep Kosovës njohjen e pavarësisë dhe i mundëson asaj që të radhitet në mesin e shteteve të botës dhe që shtetet e Europës që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin atë, dhe do të merrte një pjesë të territorit e cila ashtu-kështu është nën kontroll të banorëve serbë vendorë të veriut. Sikur Serbia të jepte edhe territore, do t’i binte që shkëmbimi është 2 me 1, pra do t’i jepte Kosovës edhe status ndërkombëtar, edhe pjesë të territorit. Një gjë e tillë do të ishte absolutisht e pamundur t’i shpjegohet opinionit serb.

Jeta Xharra: Atëherë, a është e mundur teorikisht, marrë parasysh që ju i njihni qarqet e afërta me Vuçiqin, se Vuçiqi i ka thënë Hashim Thaçit se është e mundshme teorikisht që të jap Preshevën, Bujanovcin apo disa fshatra të Preshevës e Bujanovcit, apo gjysmën e tyre. A është sadopak e mundshme, me çfarëdo skenari, që presidenti Vuçiq do t’i jepte këto 3 komuna, apo 2 komuna me shumicë shqiptare?

Dragomir Angjelkoviq: Për mua është diçka e pamundshme një gjë e tillë, përveç nëse është biseduar për ndonjë konferencë mbarë-ballkanike, ngjashëm me kongresin e Vjenës, apo kongresin e Berlinit nga shekulli i 19, në të cilin do të zgjidheshin të gjitha çështjet. Sepse Serbia ka interes të bashkojë Republika Srpska-n, Serbia ka interes ta zgjidhë çështjen serbe, dhe nëse fuqitë e mëdha do të mundësonin zgjidhje të gjithmbarshme të çështjes serbe dhe të çështjes shqiptare, atëherë edhe mund të flitet për ndryshime të tilla të kufijve. Por, nëse flasim vetëm për çështjen e kontestit të Kosovës, mua më duket e pamundshme që Vuçiq të ofrojë komunat Preshevë dhe Bujanvoc…

Jeta Xharra: A e keni dëgjuar ndonjëherë Presidentin Vuçiq duke sugjeruar personalisht këtë si opsion?

Dragomir Angjelkoviq: Nuk e di se si do ta shpjegonte Vuçiqi para opinionit të Serbisë këtë gjë, meqë gjithmonë tema ka qenë ekskluzivisht Kosova. Siç e dini, Kosova nuk është nën juridiksionin e Beogradit. Serbia nuk polici, as ushtri në Kosovë. Në veri të Kosovës janë banorët serbë të cilët kontrollojnë gjërat në masë të madhe, por në përgjithësi, si do të mund ta shpjegonte Vuçiqi para opinionit serb se Serbia do të heqë dorë nga 2 komuna që janë pjesë e Serbisë, dhe që serbët që jetojnë aty do të bëhen pakicë. Qëndrimi i përbashkët është se Kosova, në aspekt të kontrollit ndaj saj, është humbur efektivisht nga agresioni i NATO-s. Por, nëse sot nuk ka agresion të tillë, si do të shpjegohet para qytetarëve që në kohë paqe jepet diçka që është dhënë në kohë lufte. Prandaj mua nuk më duket si diçka e mundshme. Ndoshta ka qenë ndonjë narracion, që në emër të ndonjë kompensimi moral, Serbia eventualisht do të ofronte ndonjë fshat në afërsi të kufirit, pra, në vijën administrative të komunave Preshevë dhe Bujanovc. Pra, nuk do të ishte shkëmbim kilometër për kilometër, por do të merrte veriun e Kosovës dhe do të ofronte diçka simbolike që edhe Kosova të fitonte diçka…

Jeta Xharra: Pra, kur po thoni ‘simbolike’ gjithsesi nuk është fjala për tërë Preshevën. Për shembull, jo autostrada. Pra nuk ka gjasa që të jetë fjala për tërë Preshevën, por disa fshatra të Preshevës…

Dragomir Angjelkoviq, analist nga Beogradi

Dragomir Angjelkoviq: Mendoj që për Serbinë rëndësia strategjike e autostradës më e madhe se rëndësia strategjike e veriut të Kosovës. Prandaj, nuk ekziston qeveri serbe që do të jepte autostradën dhe korridorin e komunikimit drejt Maqedonisë, dhe Selanikut. Serbia është shtet pa dalje në det. Me Malin e Zi nuk kemi marrëdhënie të mira, dhe shtrohet çështja për dalje në det nga kjo anë. Pra, duhet të kemi një rrugë të sigurt kah deti, dhe kjo është e mundshme vetëm përmes rrugës në pjesën jugore të Serbisë, të cilën shqiptarët e quajnë ‘Lugina e Preshevës’.

Jeta Xharra: Faleminderit për qartësimin tuaj rreth kësaj pike. Folët për pikat strategjike që Serbia ka në Luginën e Preshevës, dhe tani dua t’ju pyes për pikat strategjike që Kosova konsideron se ka në veri të vendit, dhe këto dy pika strategjike janë liqeni i Ujmanit (Gazivodës) dhe Trepca. Më thoni, a ka Serbia apetit të qartë për të siguruar këto dy pika strategjike me këtë shkëmbim territoresh apo korrektim të kufijve?

Dragomir Angjelkoviq: Në përgjithësi, në opinion publik të Serbisë konsiderohet se është shumë pak edhe nëse Serbia fiton gjithë veriun e Kosovës. Sepse, për ne kjo paraqet 1000 kilometra katrorë me 50-60 mijë banorë, dhe se kjo paraqet territor shumë të vogël për të hequr dorë nga pjesa tjetër e Kosovës. Sepse, shtrohet pyetja, nëse nuk heqim dorë ne vetë, çka do të ndodhë në të ardhmen. Gjeopolitikisht, gjithfarë kthesash janë të mundshme. Prandaj, mendoj që momentalisht nuk ekziston në Serbi konsensus rreth kësaj, se ne duhet të pranojmë ndarjen dhe të pranojmë vetëm veriun e të heqim dorë nga pjesët jugore, e lërë më të jemi gatshëm të japim edhe ndonjë pjesë të veriut. Me fjalë tjera, shqiptarët e konsiderojnë liqenin e Ujmanit pikë strategjike, por realisht nuk e kontrollojnë atë. Njëjtë, shumë serbë e konsiderojnë Obiliqin, apo termocentralet, apo rezervat e thëngjillit si pika strategjike. Dhe prandaj, kur qeveria në Serbi flet për mundësinë e heqjes dorë nga ajo, në pjesë të mëdha të opinionit publik përjetohet tronditje.

Jeta Xharra: Para se Vuçiqi të flasë për Kosovën në konferenca ditore, njerëzit në Serbi, a nuk shqetësoheshin thjesht vetëm për gjendjen ekonomike, shëndetin dhe mirëqenien dhe jo për mbajtjen e një territori të cilin nuk e kanë nën kontroll. A është aq me rëndësi jetësore Kosova për banorin e thjeshtë serb në Serbi?

Dragomir Angjelkoviq: Sondazhet e opinionit publik tregojnë se po. Nëse i pyetni qytetarët e Serbisë se a janë të gatshëm të hyjnë në BE me kusht që të hiqet dorë nga Kosova, shumica dërmuese nuk janë të gatshëm. Hulumtimet tregojnë se serbët janë të gatshëm për ndarje të Kosovës. Por, kur sheh analizat e intervistave dhe fokus grupeve me njerëz se çka nënkuptojnë me ndarje del se një pjesë e vogël e tyre mendojnë se mjafton vetëm veriu. Shumica mendojnë se veriu, manastiret, Anamorava dhe pjesë të tjera. Pra, shumica e banorëve, edhe nëse janë për ndarje, nuk e mendojnë vetëm veriun. Vuçiqi sigurisht që është duke zhvilluar procesin e bisedimeve me Thaçin, duke llogaritur që me anë të autoritetit dhe popullaritetit të vet të lartë mundet që të ndryshojë pulsin publik gradualisht dhe herëdokur t’u thotë banorëve që me anë të ndonjë referendumi t’u thotë qytetarëve ‘merreni ose lëreni’, dhe ‘e keni mundësinë ta pranoni këtë ndarje, dhe në këmbim do të marrim nga BE përshpejtim të procesit të anëtarësimit, kompensim të caktuar material dhe shtrohet pyetja se çka nëse e refuzojmë këtë ofertë. Vuçiqi është shumë i aftë në propagandë dhe në këtë moment ka edhe rejting të lartë dhe në bazë të kësaj dhe aftësive të veta të marketingut llogaritë që do t’ua imponojë qytetarëve modelin e ndarjes të dakorduar me Thaçin.

Jeta Xharra: Hashim Thaçi nuk ka të njëjtin rejting dhe nuk mund të imponojë marrëveshjet në Kosovë siç edhe pamë në rastin e demarkacionit në Kosovë. Siç e dini, kishim krizë politike me opozitën për 3 vite dhe ai nuk mundi ta nxjerrë para Parlamentit. Tash, ai po i thotë opinionit se ai do ta marrë Luginën e Preshevës për veriun. Më thoni, a mendoni se kjo është një fantazi e tij dhe se nuk ka gjasë të pranohet në Serbi nga ana e Vuçiqit?

Liqeni i Ujmanit. Foto: Kallxo.com

Dragomir Angjelkoviq: Mendoj që një gjë e tillë nuk ka mundësi të pranohet në Serbi, dhe se një qasje e tillë në Serbi është e papranueshme. As Vuçiqi nuk u thotë qytetarëve se çfarë ndarje e mendon ai për Kosovën. Asnjëherë nuk ka thënë se është fjala vetëm për veriun. Deklarime të tilla ka bërë Daçiq, por Vuçiq ruhet shumë nga deklarimet se për cilat territore bëhet fjalë. Prandaj, qytetarët janë të bindur se bëhet fjalë për më shumë territore sesa veriu. Prandaj, të dy liderët janë në pozitë të palakmueshme…

Jeta Xharra: Pra, ju po thoni që skenari më i keq për Serbinë do të ishte nëse është vetëm veriu?

Dragomir Angjelkoviq: Mendoj që për shumicën e serbëve ky paraqet skenarin më të keq. Madje, edhe për këtë ekziston bindja se ky demarkim nuk nënkupton njohje të Kosovës dhe se Kosova mund të hyjë në OKB si vëzhgues dhe pastaj do të shohim. Prandaj, është shumë vështirë që dikush në Serbi të thotë ‘ne do ta njohim Kosovën dhe pastaj le të jetë çfarëdo territori’. Por, kjo bëhet me faza. Bëhet njëherë një qasje e caktuar dhe pastaj llogaritet që pas disa vitesh do të vijë atmosferë tjetër, por nuk ekziston asnjë gjasë që Serbia të jepë Preshevën dhe Bujanovcin për veriun.

Jeta Xharra: Do t’ju pyes më detajisht, nëse e dini, Liqeni i Ujmanit kontrollohet 70% nga Kosova dhe 30% nga veriu. Si paramendohet marrëveshja, që serbët të kontrollojnë plotësisht Ujmanin?

Dragomir Angjelkoviq: Qëndrimi bazohet në atë se serbët do të kontrollojnë gjithçka që ndodhet në 4 komunat e veriut. Pra, minimumi i mundshëm për çfarëdo marrëveshje nënkupton gjithë atë që ndodhet në 4 komunat e veriut. Për këto territore mund të ofrohet njohja e shtetit të Kosovës, por nuk ka gjasë që krahas kësaj të jepet edhe ndonjë territor tjetër.

Jeta Xharra: Pra, ju po thoni që edhe nëse ndodhë njohja, për Kosovën konsiderohet status në OKB si vëzhgues, apo si shtet i mirëfilltë i OKB?

Dragomir Angjelkoviq: Mendoj që edhe nëse Beogradi pranon ta njohë Kosovën, një gjë e tillë është shumë vështirë t’u thuhet qytetarëve, dhe se duhet të zbatohet një taktikë suksesive lidhur me njohjen. Pra, që do të njihet ulësja në OKB, e pastaj gradualisht edhe njohja e pavarësisë së plotë, pra kalimi nga vëzhgues në anëtar të plotë…

Jeta Xharra: Atëherë, nuk do të jetë njohje e plotë? Hashim Thaçi po thotë se marrëveshja do të jetë ligjërisht e detyrueshme, me ç’rast nënkupton se brenda kësaj marrëveshje ka rreshta të qartë që cekin se Kosova do të pranohet në OKB dhe do të ketë ulëse në të. A mendoni se kjo është e mundshme?

Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Dragomir Angjelkoviq: Shikoni, qytetarët e Serbisë mund të vendosin një gjë të tillë në referendum, por për të vendosur diçka të tillë gjithsesi se duhet të pranojnë zgjidhjen e cila iu tingëllon e pranueshme, gjë të cilën Vuçiq dhe qeveria e Serbisë duhet ta reklamojnë atë zgjidhje sa më mirë. Kur flitet për ndarjen, shumica e qytetarëve të Serbisë nuk mund ta imagjinojë Graçanicën, Manastirin e Deçanit apo Patriarkanën e Pejës që nesër pasnesër të trajtohen në aspekt ndërkombëtar si trashëgimi kulturore e Kosovës. Edhe nëse ato mbesin pjesë e trashëgimisë ortodokse serbe, gjë që do të mbesin, nëse Kosova hyn në OKB nuk mund të pengohet nga anëtarësimi në agjenci të OKB-së, si p.sh. UNESCO. Prandaj, kjo gjithsesi do të konsiderohet si trashëgimi kulturore e Kosovës, edhe pse ato janë objekte të kishës ortodokse serbe. Nëse shikojmë për shembull Turqinë; shumë objekte greke të kohës bizantine sot ndërkombëtarisht konsiderohen trashëgimi kulturore e Turqisë. Cili qytetar i Serbisë mund të imagjinojë diçka të tillë?

Jeta Xharra: Pyetja që po shtroni është shumë e mirë, por sa për qind e njerëzve në Serbi janë me të vërtetë fetarë? A ua ndien atyre me të vërtetë për kishat të cilat nuk mund t’i vizitojnë?

Dragomir Angjelkoviq: Shikoni, ato janë pjesë e identitetit tonë dhe ne nuk mund t’i vizitojmë ato njëjtë sikurse hebrenjtë që nuk mund të vizitonin Jerusalemin për mijëra vite. Edhe për neve Graçanica është me rëndësi, dhe është e mishëruar në identitetin tonë kombëtar.

Jeta Xharra: Atëherë si e shpjegoni qëndrimin e kishës serbe që është kundër shkëmbimit të territoreve të cilin e synojnë Vuçiq dhe Thaçi?

Dragomir Angjelkoviq: Kisha nuk mendon me vetëm një kokë, kisha përbëhet nga mijëra priftërinj, monarkë, peshkopë, etj. Shumica e hierarkisë së kishës është kundër ndarjes. Momentalisht kemi edhe qëndrimin e Sinodit të kishës, dhe qëndrimi është kundër ndarjes. A mund të evoluojë ky mendim apo jo, apo a do të bazoheshin qytetarët në këtë qëndrim në referendum të mundshëm, mund të shohim. Por, për momentin, për kishën ndarja është e papranueshme.

Jeta Xharra: Dua të theksoj se në Serbi kjo marrëveshje po diskutohet si ndarje e Kosovës, dhe jo si shkëmbim territoresh dhe jo si korrektim kufijsh, por vetëm si ndarje e Kosovës…

Dragomir Angjelkoviq: Deri vonë diskutohej vetëm ndarja e Kosovës, por në muajin e fundit Vuçiq disa herë ka folur për demarkim por asnjëherë nuk ka sqaruar se çfarë nënkupton ai demarkim. Ndërkaq, në media, kur flitet për demarkim, flitet kryesisht për demarkim të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Jeta Xharra: Cili mendoni do të jetë qëndrimi i Rusisë rreth kësaj? Sepse, ju thatë që Serbia duhet të marrë diçka prapa për njohjen e Kosovës. A mundet Serbia ta bindë Rusinë të pranojë Kosovën në OKB?

Dragomir Angjelkoviq: Nuk mendoj se Rusia do të pranonte një gjë të tillë edhe nëse Beogradi dhe Prishtina do të bienin dakord. Sepse Rusia ka thënë disa herë se ajo kërkon zgjidhje universale, për shkak të Abkhazisë, Osetisë jugore dhe Pridnjestrovljes. Pra, Rusia ka zona krize të cilat duhet të zgjidhen sipas ndonjë modeli universal. Moska disa herë ka deklaruar se Kosova nuk paraqet rast të veçantë, por është pjesë e një vargu zonash krize. Për interesa të vetat, mendoj që Rusia nuk do të pranonte aq lehtë një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. Rusia do të pajtohej që procesi të zgjasë, dhe të shihet se çka do të ndodhë, por marrë parasysh që as Serbia nuk ka qëndrim homogjen rreth kësaj…

Jeta Xharra: A mendoni se Rusia do të zbatonte drejtën e vetos për Kosovën në OKB qoftë edhe nëse dakordohen Vuçiq dhe Thaçi?

Dragomir Angjelkoviq: Mendoj që Rusia nuk do ta pranonte këtë gjë me automatizëm. Beogradi me siguri do të duhej të bënte shumë përpjekje për t’u dakorduar me Rusinë rreth kësaj. Rusia me siguri do të shtronte pyetjen në vijim: Nëse Serbia i ka të zgjidhura problemet me perëndimin, e që për momentin e ka Kosovën si kontest të hapur, ndoshta nesër pasnesër Serbia a do të hyjë në NATO? Pra, përderisa Serbia është në situatë të tillë, është larg çfarëdo mundësie të hyrjes në NATO. Për Rusinë kjo paraqet si një lloj sigurese. Prandaj, nuk besoj se Beogradi kollaj mund të zgjidhë këtë çështje me Moskën, sepse logjikisht Moska ka interesat e veta në këtë çështje, dhe në anën tjetër, Moska gjithnjë do të mbështetet në pjesën e madhe të opinionit patriotik serb, e cila nuk do të jetë e kënaqur me marrëveshjen për ndarjen e Kosovës, sepse nuk mund të pritet që Serbia të fitojë më shumë se veriun, dhe kjo për shumicën është tronditëse.

Jeta Xharra: BIRN ka qenë në rrjedha me bisedat jozyrtare të diplomatëve në Kosovë, Serbi dhe në regjion, dhe ambasadorë të ndryshëm kanë mbajtur qëndrimin se Rusia kurrë nuk do të pajtohet ta njohë Kosovën edhe nëse Serbia e njeh. Thjesht do të përdorin drejtën e vetos në OKB nëse kjo çështje shtrohet në tryezë. A përputhet kjo me ato që keni dëgjuar ju nga bashkësia ndërkombëtare në Beograd apo vetëm BIRN ka dëgjuar këso lloj deklaratash?

Dragomir Angjelkoviq: Në përgjithësi, me aq sa e njoh skenën politike dhe disponimin politik rus, ndoshta për Rusinë dhe rusët është më vështirë sesa për Serbinë dhe serbët ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Sepse, për rusët kjo paraqet sfidë të madhe. Meqë rusët nuk qenë në gjendje të parandalojnë gjërat që kanë ndodhur në vitin 1999, ata e përjetojnë këtë si një lloj turpërimi. Sikur Serbia ta pranonte marrëveshjen me Prishtinën, shumë njerëz në Rusi do ta konsideronin këtë si tradhti të Rusisë nga ana e Serbisë, kur me ardhjen e Putinit mbështetja ishte e madhe për Serbinë. Prandaj, vështirë mund të thuhet nëse Rusia do ta pranonte këtë marrëveshje. Mendoj që do ta pranonte, por jo me automatizëm, dhe po aq vështirë sa do ta kishte Vuçiqi ta bindë opinionin serb që ta pranojnë marrëveshjen me të cilën Serbia fiton vetëm veriun, po aq vështirë do ta kishte ta bindë Moskën. Serbia me siguri do të duhej ta inkuadronte neutralitetin në kushtetutë, pra do të duhej që kushtetutshmërisht të zotohet se nuk do të hyjë në NATO apo diçka ngjashëm, apo të ofrojë garanci për Moskën se nuk do të çrregullojë pozicionin e balancuar të cilën e ka momentalisht.

Jeta Xharra: Si e shpjegoni ndërrimin e qëndrimit të SHBA-së rreth kësaj çështje, dhe qëndrimin e kundërt të Gjermanisë dhe Britanisë?

Dragomir Angjelkoviq: Pikë së pari, SHBA, që nga fitorja e Trump është shumë më pak e interesuar për Ballkanin, qoftë për Kosovën apo Bosnjën, apo zona tjera krize në Ballkan. Siç ka deklaruar Trump disa herë, interesat amerikane janë të fokusuara andej nga ndodhen interesat e tyre energjetike, financiare, etj. dhe gjithsesi që kjo pjesë nuk është prioritet. Së dyti, Trump ka qëndrim negativ ndaj gjithë asaj që ka bërë administrata e kaluar amerikane, qoftë e Klintonit, qoftë e Obamës. Dhe, për të dëshmuar se ato që kanë bërë ata nuk janë bërë mirë, ai tregon një lloj gatishmërie për mos-vazhdimësi të politikës së tyre. Prandaj, Amerika ndryshon qëndrim. Në Serbi, ekziston mendimi i gjerë tek qarqe opozitare, dhe në disa media, se Serbia nuk duhet të ndryshojë asgjë sepse qëndrimi në Amerikë do të ndryshojë shumë më shumë se ai aktual në vitet e ardhshme. Në anën tjetër, priten zgjedhjet për Parlamentin Europian. Nëse në ato zgjedhje fitojnë qarqet e djathta, të cilat janë shumë më pak të prirura të mbështesin politikën e NATO-s së viteve të 90-ta dhe të cilën partitë kryesore, siç janë ato që përfaqëson Merkel – do të ndryshojë klima në BE. Prandaj, për Serbinë është shumë më mirë që të bisedojë me Prishtinën pas 2 apo 3 vitesh dhe jo sot, pra sepse do të ndryshojë klima në Europë. Kështu që, në përgjithësi, ky ndryshim i qëndrimit amerikan përshëndetet në Serbi, jo për shkak të ndarjes, por për shkak të mundësisë që Serbia të jetë në pozicion më të mirë pas disa vitesh.

Jeta Xharra: Sa është me rëndësi për Serbinë që të mbajë miqësinë me Gjermaninë dhe Britaninë dhe t’i dëgjojë rreth idesë së shkëmbimit apo ndarjes?

Dragomir Angjelkoviq: Në Serbi nuk ka ekzistuar kurrë mendimi se duhet të zhvillohen raporte të veçanta me Londrën. Te ne ekziston besimi se Londra ka tradicionalisht qëndrim negativ ndaj serbëve. Te ne ekziston shprehja se ‘Londra i sheh serbët si rusë të vegjël’ dhe meqë ka qëndrim negativ ndaj rusëve gjithmonë do të ketë qëndrim të tillë edhe ndaj serbëve. Prandaj, qëndrimi i Londrës nuk i shqetëson fort politikanët serbë. Qëndrimi i Berlinit ka rol më të madh për serbët deri diku. Mirëpo, edhe në këtë rast thuhet se Angola Merkel nuk është më ajo që ka qenë para 3 vitesh. Më parë ishte e fuqishme, stabile, ndërkaq sot shtrohet pyetja se a mund të mbijetojë në skenën politike gjermane, kur pritet që vitin e ardhshëm që ajo dhe blloku politik i saj do të ketë ndikim shumë më të vogël në Parlamentin Europian dhe, përmes tij, në institucionet europiane.

Jeta Xharra: Para kësaj idesë së shkëmbimit apo ndarjes së territoreve ekzistonte përshtypja se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë paraqet gjënë e fundit që Kosova duhet t’i japë Serbisë, pra, kontrolli i organizuar mbi komunat e veriut në formë Asociacioni. Si ka mundësi që kjo nuk po mjafton më?

Dragomir Angjelkoviq: Në Serbi asnjëherë nuk ka ekzistuar qëndrimi se kjo gjë është subjekt diskutimi me qëllim të statusit të Kosovës. Kjo gjithmonë është konsideruar si pyetje teknike, dhe se do të gjindet një model përmes të cilit shqiptarët do të pretendojnë se Kosova është e pavarur dhe serbët do të konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, dhe që të dy palët do të kenë një lloj modus vivendi se si do të jetojnë përskaj njëri- tjetrit, por tani supozohet se BE kërkon më shumë, apo qarqe të caktuara të Berlinit etj. kërkojnë marrëveshje detyruese, gjë që nuk dukej në fillim në marrëveshjet e Brukselit. Kështu që, marrëveshja e Brukselit konsiderohet e tejkaluar në Serbi nëse paraqiten kërkesa të reja, siç flitet në Berlin.

Jeta Xharra: Ju po flisni për kërkesa të reja, mirëpo shumica e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, siç janë marrëveshja për Telekomin, për energjinë, për diplomat nuk janë zbatuar…

Dragomir Angjelkoviq: Nuk janë zbatuar, mirëpo nuk është zbatuar as marrëveshja për Asociacionin. Nëse shikojmë marrëveshjet origjinale 15 pikëshe të Brukselit, 8 prej tyre u referohen krijimit të Asociacionit të komunave serbe, por i cili nuk është krijuar.

Jeta Xharra: Kjo është e vërtetë. Atëherë, ku qëndron problemi me mos-zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe njohjes nga Serbia. Pse, papritmas kjo nuk mjafton?

Dragomir Angjelkoviq: Në asnjë moment Serbia nuk ka konsideruar se ky është çmimi për njohjen e Kosovës. Thjesht është bazuar në atë se kjo paraqet model teknik se si mund të jetojnë dy popuj dhe se Bashkimi Europian nuk ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ndërkaq, tash gradualisht aty- këtu po përmendet njohja. Mendoj që kjo paraqet ndryshim të tërësishëm të formatit origjinal të procesit të Brukselit. Dikush në BE ka menduar se me këtë do të përfitojë në kohë, dhe se opinioni publik në Serbi do të ziejë dalë ngadalë pa u vërejtur, sikurse bretkosa, dhe që në fund Beogradi të jepte njohjen. Këtë e kanë menduar gabimisht. Plus, BE-ja ka qenë më e fuqishme se që është tash, por nuk duhet të shmangim faktin se shumë njerëz mendojnë se BE-ja është histori e kaluar dhe nëse është e tillë atëherë pse të ndërmarrim udhëzime nga ajo për të ardhmen.

Jeta Xharra: Për fund z. Angjelkoviq, po më intereson mendimi juaj personal. A mendoni se kjo është marrëveshje e mirë dhe që do të na jep në fund rezultatet që duam?

Dragomir Angjelkoviq: As unë nuk e di nëse është marrëveshje e mirë. Në njërën anë, duhet të gjejmë zgjidhje për kontestet e përbashkëta njëherë e përgjithmonë. Tash, si do t’ia bëjmë do të shohim. Se a është ky moment i mirë, vështirë është të thuhet. Nga ana teknike, pa marrë parasysh se a mendoj që Serbia duhet të hyjë në marrëveshje tani, personalisht mendoj që duhet të hyjë në marrëveshje më vonë, dhe se periudha më të mira kohore ndodhen para nesh, për nga perspektiva e Beogradit. Mirëpo, nëse flasim për vetë marrëveshjen, tani është një moment unik, sepse Vuçiqi ka forcë të mjaftueshme për ta pranuar dhe për ta zbatuar. Pas një viti a dy do të shtrohet pyetja nëse Vuçiq do të ketë prapë këtë forcë dhe nëse lideri që do të vijë pas tij do të ketë gatishmërinë për diçka të tillë.

07 Shtator 2018 - 14:00

Jeta Xharra 07/09/2018 - 14:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend