Ambasadori i Kosovës në Bosnjë

Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit të Bosnjës e Hercegovinës, në Sarajevë, në sallën e Teatrit Ushtarak të Sarajevës, SARTR, po luan në shfaqje aktori kosovar, Alban Ukaj.

Në sallën e mbushur plot, publiku është kryesisht i moshës së re.

Albani me kolegë po japin më të mirën para publikut sarajevas, të cilët ua kthejnë në të njëjtën mënyrë, me duartrokitje të gjata e të pandërprera. Është shfaqja “E ardhmja është në ve”, nën regjinë e Eduard Miler.

Pas shfaqjes, 31-vjeçari i lindur në Kosovë, duket mjaft i lodhur. Është munduar ta japë krejt energjinë para publikut sarajevas.

Alban Ukaj ka 11 vjet që jeton në qytetin e Sarajevës dhe është njëri ndër pak kosovarët që kanë mbetur në qytetin e rrethuar nga Alpet Dinarike.

Afër qytetit të vjetër të Sarajevës, në Çarshinë me ëmbëltoret dhe qebaptoret më të njohura, shumë prej tyre me pronarë shqiptarë, ndodhet edhe Hotel Europa.

Alban Ukaj sillet si një njeri modest, por me të hyrë në hotel, shihet se atë e njohin shumë qytetarë, të cilët e përshëndesin dhe shtrëngojnë duart me të.

Skenë nga shfaqja “E ardhmja është në ve”. Ukaj, i dyti nga e majta

Tashmë Ukaj është bërë aktor i njohur, jo vetëm në Sarajevë.

Ai kishte filluar të studiojë në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në gjeneratën e parë të pasluftës, në klasën e aktorit të njohur, Faruk Begollit, tashmë i ndjerë.

Dy vjet të studimeve i përfundon në Prishtinë dhe pastaj vazhdon në Sarajevë. Thotë se krejt rastësisht ka ardhur këtu. E pranon se fillimi ka qenë shumë i vështirë.

Gjuhën boshnjake nuk e fliste dhe iu desh “të humbë” gati një vit për ta mësuar.

Fillimi ishte i vështirë

Ukaj tregon për Gazetën Jeta në Kosovë fillimet e tij në Sarajevë. Thotë se kishte ardhur disi rastësisht. “Kam ardhë me një kolege në Sarajevë, në një festival. E pamë Akademinë e Aktrimit, dhe pastaj e pashë që kish afat me apliku… I dorëzova dokumentet edhe u pranova. Pastaj vitet e tjera i kam kry këtu dhe kam diplomu i pari në klasë”, rrëfen Ukaj.

E pranon se ka pasur momente, në fillim, kur kishte menduar të ikte nga Sarajeva e të kthehej në Prishtinë.

“Ka qenë pak e çuditshme për njerëzit në Kosovë. Krejt, në atë kohë, shkojshin jashtë Ballkanit me studiu, e unë vendosa në Sarajevë…Ka qenë njëfarë çudie, pse erdhë ky djalë këtu. Kam ardhë pa e njoftoë gjuhën, pa e njoftë askënd. Mirëpo, edhe këtyre ju ka dok interesant që ka ardhë një shqiptar, edhe kam pas ndihmesë të madhe. Është vështirë me hi në Akademi të Aktrimit, pa e ditë mirë gjuhën. Por, e kam pas një lloj shtytje që nga fillimi: ‘Hajde se mundesh ti’. Pra nuk më kanë qortu, por me kanë dhanë vullnet. Edhe kam punu”.

Në fillim, i është dashur të punojë shumë. “Ka pasë raste që nuk kam dalë nga 12 -13 orë prej Akademisë. Veç kam punu, edhe e kam mësu gjuhën. Ka pasë edhe profesorë që kanë nejt shumë edhe me mu… Dikur, në vitin e tretë, unë e pata shfaqjen e parë profesionale. Në njëfarë mënyre, veç në vitin e tretë dhe të katërt, kam fillu me siguru, me gjet paren për veti”.

Kur Ukaj kishte filluar të studionte në Sarajevë, ishte ndier tepër mirë kur profesorët e tij të vjetër si Benjamin Filipoviq, Marko Kovaceviq, e profesorët që kanë qenë prej fillimit të themelimit të Akademisë, i kishin njohur mirë strukturën e parë të aktorëve kosovarë, si Abdurrahman Shala, Istref Begolli, Faruk Begolli, Enver Petrovci, Bekim Fehmiun etj.

“Gjithmonë i kanë përmend gjatë ligjëratave, edhe kanë thënë se janë disa aktorë shqiptarë, që kur i shtinë në kuadër, nuk kanë nevojë me folë kurgjë, sepse janë të tillë që ta blejnë filmin menjëherë. Kanë pasë një respekt të madh për ta… Pas një periudhe kam dalë unë edhe masanej më pyetshin shumë për ta”, ka thënë Ukaj.

Aktori i ri thotë se aktorët shqiptarë kanë lënë histori në ish-vendet e Jugosllavisë dhe se ky ndien një lloj borxhi dhe obligimi për ta.

Ukaj ishte student i gjeneratës së parë të pasluftës, në klasën e aktorit të njohur, Faruk Begolli

“Kam me siguri një lloj borxhi. Edhe sa herë që ndodhë diçka, unë e ndiej atë lloj borxhi. Për shembull, kur ishte promovimi i librit të Bekim Fehmiut, unë e kam ndi një lloj obligimi dhe e kam promovu shumë librin e tij. Kënd e kam njofto, i kam thanë bleje edhe lexoje. Pra, kam qenë njëfarë promovuesi, sepse këtu nuk njohin shumë shqiptarë, përpos Ismail Kadaresë, Bekim Fehmiut e Faruk Begollit”.

Pa nënshtetësi, për shkaqe politike

Megjithëse një aktor me shumë perspektivë, shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë diskriminues ndaj Ukajt. Thotë se i plotëson të gjitha kushtet për të marrë nënshtetësinë e këtij vendi, por ajo po i refuzohet rregullisht.

“Po kam mllef, se jam që 11 vjet këtu dhe vazhdimisht është stopu pranimi jem si qytetar i Bosnjes, edhe pse i kam të gjitha të drejtat për me marrë atë nënshtetësi. Ma kanë refuzu veç se jam shqiptar, dhe nuk ka arsye tjetër. Siç e dini, këtu janë tri etnitete, dhe kur vjen puna me vendos diçka në Parlament, del dikush atje nga Republika Srpska edhe bën problem. Pra ata janë brenda shtetit edhe mundohen më rrënu këtë shtet, dhe me tregu që nuk funksionon. Për këtë arsye, Alban Ukaj nuk mundet me marrë nënshtetësinë”.

Sipas Ukaj, fatkeqësisht lufta në Bosnje veç është ndalur, por nuk është kryer. ‘U ndal për mos me pasë viktima, por nuk është kry. Edhe unë kam vjellë nëpër gazeta, dhe këta e dinë pse, sepse qe 11 vjet m’u ka shkel e drejta elementare”.

Qe 11 vjet sa është në Sarajevë, gjëja më së shumti që e brengos është se prindërit e tij asnjëherë nuk kanë pasur mundësi ta vizitojnë dhe të shohin shfaqjet e tij. “I kam mbi 30 shfaqje profesionale, por prindërit dhe familja nuk kanë pasë rastin me i pa”.

Por, mbështetja nuk i mungon. Megjithëse nuk e ka familjen, thotë se ia ngrit moralin fakti se e di që në një premierë, janë së paku 15 shokë, që ia duan të mirën, kanë ardhur për të dhe ndikojnë në të. “Kështu që mundohem të japë më të mirën në shfaqje dhe mos t’i zhgënjej”, thotë Ukaj, për Gazetën JnK.

Pos shfaqjeve në Teatër, aktori nga Kosova ka luajtur edhe në film. Deri tash ka luajtur në 13-14 filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, kryesisht të realizuar jashtë Ballkanit.

“Suksesi jem ma i madh është roli kryesor në filmin grek, që quhet ‘Just Another Confused Elephant’. Premierën e kemi pasë në Tokio, ku kam qenë i nominuar për aktorin më të mire. Filmi sa e ka fillu jetën e vet, dhe tash presim çka ka me ndodhë, ma vonë. Nuk muj me thanë që është filmi ma i mirë që e kam ba najherë, po ma i interesanti, dhe në të cilin kam punu edhe harxhu shumë energji”.

Ai tregon se kur patën filluar xhirimet, ishte kriza në Greqi, dhe kanë pasur vështirësi. “Në këtë film i pata humb 9 kilogramë për 6 javë”.

Teatri merret me politikë, jo anasjelltas

Alban Ukaj, deri më tash, ai ka realizuar më shumë se 30 shfaqje teatrore profesionale.

Ka luajtur shfaqje edhe në Teatrin e Cetinjes dhe të Kotorrit në Mal të Zi; në Beograd të  Serbisë; në Zagreb të Kroacisë, si dhe në qytete të tjera të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Por në Teatrin Kombëtar të Kosovës, deri më tani nuk ka bërë shfaqje. “Veç kam qenë në vizitë si mysafir nga Sarajeva. Në Teatrin Dodona e kam ba shfaqjen e fundit në vitin 2000. ‘Kjo është normale’ një lloj koreografie, më Agnesa Nokshqin”.

Nga këto vizita dhe informacionet që merr nga kontaktet me kolegë kosovarë, për Ukajn, gjendja në Teatrin Kombëtar është mjaft e zezë. Thotë të ketë pasur një lloj shprese kur Teatri udhëhiqej nga një gjeneratë e re, por ndikimi i politikës, sipas tij, e ka bërë të veten.

“Është në krejt ish-Jugosllavinë, po në Kosovë më doket e trishtueshme situata sa është e involvume politika në Teatër. Teatri guxon me u marrë me politikë, por jo politika me Teatër, se aty rezultati është 200 për qind debakël”, ka thënë Ukaj, për gazetën Jeta në Kosovë.

“Nëse e mban dikush pozitën në Teatër, sepse ka qef me qenë në marrëdhënie të mira me partinë që është për momentin në pushtet, në qeverisje, aty teatër nuk ka. Aty ka veç promovim të partisë, për të cilën ti e qon dorën”, vazhdon ai.

Ai po planifikon të xhirojë një film të metrazhit të shkurtër në Kosovë, por thotë se nuk do të kthehet të punojë, së paku në një të ardhme të afërt, në Prishtinë, sepse terreni nuk është i përshtatshëm.

“Nuk du me i raportu kurrkujt për punën tem. Teatri është vendi ku mundesh me u shpreh lirshëm, si për qeverinë, shtetin, problemet në shoqëri e të tjera. Aty e ndien një lloj lirie të veprimit, e në momentin që është e cenume kjo liri, unë e la e nuk mirrem me këtë punë hiq”.

Alban Ukaj jeton në Sarajevë, e ka një banesë, një biçikletë dhe është i dashuruar.

Si aktor ka qenë i angazhuar në shfaqjet e produksionit MESS, në Teatrin Popullor të Sarajevës, Teatrin Komernog 55, në teatro të ndryshme anekënd Bosnjës e Hercegovinës, në Teatrin Bitef në Beograd. Ukaj gjithashtu është shumë i angazhuar edhe në filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, dhe ka fituar disa çmime vendore për aktorin më të mirë, aktorin më të mirë të ri etj.