Gjendet Edhe Trupi i Dytë i Vdekur nga Shpërthimi në KEK

(E plotësuar)

20:17
Gjendet edhe trupi i dytë i vdekur

Arsim Gërxhaliu, udhëheqës i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo e konfirmoi për gazeta Jeta në Kosovë se ekipet e kërkim- shpëtimit kanë gjetur edhe trupin e dytë të pajetë në gërmadhat e shkaktuara nga shpërthimi i sotëm në KEK.
Kjo e çon në 2 numrin e viktimave nga kjo tragjedi.
Gjatë ditës, ekipet e kërkim- shpëtimit arritën ta nxjerrin një të mbijetuar i cili po trajtohet në QKUK në Prishtinë.

19:25
Avdush Bajgora, mjek kujdestar në emergjencë të QKUK-së tha se pacineti Tefik Bela, i cili pak më herët ishte nxjerrë nga gërmadhat, është në gjendje të rëndë.
“Sipas diagnostifikimit në CT nuk është parë ndonjë ndryshim, i cili do të rrezikonte jetën e pacientit, por ka gjasa që të ketë pasoja”, tha Bajgora.
Bajgora tha se pacientit i është bërë reanimimi.

19:12
Një numër i madh i pjestëtarëve të FSK-së, njësiti i kërkim-shpëtimit janë duke janë duke larguar rrënojat e ndërtesës së elektrolizës në përpjekje për të gjetur punëtorin, i cili ka qenë brenda në kohën e shpërthimit.
Në terren janë edhe forenzika e Policia e Kosovës.

17:46:
Pamje nga vendi i ngjarjes. Foto: Arsim Gërxhaliu.

17:40
Lidhur me shpërthimin në KEK, ka reaguar edhe Avokati i Popullit.
“Nga bisedat dhe kontaktet në vendin e ngjarjes me persona që njohin rrethanat dhe kanë qenë afër vendit të fatkeqësisë në momentin e shpërthimit, Avokati i Popullit konstaton se gjendja e infrastrukturës së Termoelektranave nuk e ofron sigurinë e nevojshme për jetën e punonjësve të KEK-ut”, shkruan Avokati i Popullit Sami Kurteshi, në reagimin e dërguar mediave.
Sipas Kurteshit, mungojnë masat e mjaftueshme për mbrojtjen në punë.
“Gjithashtu, rasti që ka ndodhur, ka nxjerrë në pah mungesën e udhëzimeve për menaxhimin e situatave dhe komunikimin në raste krizash”, thotë Avokati i Popullit..

17:26
Tefik Bela, i mbijetuar nga shpërthimi i sotëm në KEK, ka arritur në QKUK me anë të një autoambulance.
Këtë e konfirmoi Benjamin Guri, daja i Tefikut.
Mjekët ende nuk kanë dhënë informata për gjendjen shëndetësore të Tefikut.
Ai është nxjerrë para gjysmë ore nga gërmadhat e shkaktuara nga shpërthimi i fuqishëm i paradites së sotme.
“Deshi Zoti dhe doli gjallë”, tha në momentin e nxjerrjes së tij nga gërmadhat, miku i tij Arben Berisha.

17:10
Një i mbijetuar nga tragjedia e sotme në termocentralin Kosova A është nxjerrë nga gërmadhat, thanë për JnK burime jozyrtare policore.
Në këto momente, i mbijetuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK me anë të një ambulance.

16:35
Edmon Nulleshi drejtor i shërbimeve në KEK, ka dalur para mediave që po qëndrojnë në afërsi të Termocentralit dhe tha se për momentin është vetëm një viktimë e konfirmuar, emrin e të cilit nuk e bëri të ditur.
“Jemi në kërkim të dy personave, të cilat sipas informacioneve kanë qenë brenda”, tha Nulleshi.
Sipas tij në tërësi janë 16 të lënduar.
“Zona është e siguruar dhe nuk ka rrezik për ndonjë shpërthim pauses”, tha Nulleshi.

16:16
Familjarët e Bashkim Mehanës janë duke pritur para KEK-ut për të mësuar rreth fatit të të afërmit të tyre.
Një i afërm i Bashkimit tha për Jeta në Kosovë se ata po presin informacione nga KEK-u për fatin e tij.
Bashkim Mehana nga Vushtrria që ka punuar qe 30 vjet në KEK, në momentin e shpërthimit ka qenë në vendin e tij të punës, në laboratorin e ujit, i cili gjendet shuam afër vendit ku ka ndodhur shpërthimi.
Familjarët thanë ta kenë kërkuar atë edhe në QKUK.

16:12
Zëdhënësi i FSK-së, Ibrahim Shala e ka konfirmuar për gazetën Jeta në Kosovës se para pak çastesh Njësia e Kërkim-Shpëtimit ka arritur ta nxjerr një person nga rrënojat ku kishte ndodhur shpërthimi.
“ Njësia për Kërkim- Shpëtim ka arritur që para pak çastesh ta nxjerr një person të moshës 55 vjeçe në vendin ku ka ndodhur shpërthimi. Ky person ka qenë pa shenja jete dhe nuk dihet se çfarë nacionalitet është”, tha Shala‏

15:57
Ndërsa Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka shprehur fjalë ngushëlluese për personat që dyshohet se janë të vdekur, nën rrënojat e Termocentralit Kosova “A”.
“Neve na vie keq për personat që humben jetën”, tha Arifi.

15:50
Në QKUK, ka arritur edhe Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR), Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës dhe Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit.
Ismajli tha se ata kanë anuluar të gjitha aktivitete e fushatës, dhe se ju dëshiron shërim të shpejtë të gjithë pacientëve.

15:36
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tani ka mbetur vetëm 1 person duke u trajtuar ndërsa të tjerë janë liruar.
“Deri me tani në QKUK janë trajtuar 14 persona, që janë lënduar nga Shpërthimi në Termocentralin Kosova A”, tha Agani.
Ferid Agani është duke qëndruar në QKUK.

15:24
Drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se janë drejtuar për në vendin e ngjarjes, por për shkak të situatës së rëndë janë detyruar të largohen.
“Jemi ofruar deri te vendi i ngjarjes dhe pritnim lejen e Forenzinkes dhe Policisë për të hyrë. Por kur u afruam u lirua një kimikal dhe u detyruam të tërhiqeshim sepse filluan organet e frymëmarrjes të keqësoheshin, fytyra kishte djegie”, tha Gërxhaliu.
I pyetur nëse ka informata se sa persona janë të vdekur, Gërxhaliu tha: “Jo nuk kemi informacione zyrtare”.

15:23
Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, tha për gazetën Jeta në Kosovë se nuk ka arsye që zgjedhjet të shtyhen.
Në këto momente, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është në takim me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por Dushi thotë se ky është një takim i zakonshëm.
“Ky është një takim i zakonshëm. Zgjedhjet nuk ka arsye që të shtyhen”, tha Dushi për JnK.

15:04 
Bordi i KEK-ut Thotë se Janë Tre të Vdekur‏. 
Së paku tre persona kanë mbetur të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar nga shpërthimi isotëm në termocentralin Kosova A, raporton agjencia e lajmeve AFP.
“Deri më tani kemi konfirmim për tre të vdekur dhe shumë të lënduar”, tha për AFP, kryetari i Bordit të KEK-ut.
Sipas Rukiqit,, shpërthimi i cili është dëgjuar edhe në Prishtinë, besohet të jetë shkaktuar nga gasi.

14:59
Në ndërkohë në QKUK, ka arritur edhe një pacient, për gjendjen e të cilit nuk është bërë e ditur ndonjë informatë.

14:56
Edhe Fatmir Limaj, kryetar i Lëvizjes “Nisma” ka vizituar QKUK-në, duke ju dëshiruar shërim sa më të shpejtë, të gjithë atyre që janë lënduar.
“Ju shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve të cilët si duket kanë humbur familjarët e tyre” , tha Lima.
Ai tha se më nuk ka kuptim që të vazhdohet fushata zgjedhore pas shpërthimit që ndodhi sot në QKUK.

14:53
Izet Mustafa, Kryetar i Sindikatës Energjetike të Kosovës, thotë se 3 persona janë nën rrënoja brenda Termocentralit.

“3 persona dyshohet se kanë vdekur brenda rrënojave”, tha Mustafa
Sipas tij nuk ka pasur asnjë problem teknik brenda Termocentralit Kosova A, qw do të qonte në dyshimin se do të ndodhte kjo që ndodhi sot.

14:24
Gazetari ynë ka parë se Obiliqi i ri është evakuuar, ndërsa rrugës shihen autoambulanca që janë në qarkullim!

14:17
Kryeminstri Hashim Thaçi, i pyetur nëse në rast se ka të vdekur duhet të shtyhen zgjedhjet, tha se ende nuk ka një raport profesional rreth këtij shpërthimi dhe se nuk është në kompetencë të tij caktimi i datës së zgjedhjes e as i caktimit të ditëve për zije.

14:06
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa arriti në QKUK për ti vizituar të lënduarit.
Ai ishte i përcjellur me Sabri Hamitin, nënkryetarë i LDK-SË.
“ Nëse ka të vdekur atëherë do të japin përgjegjësi ata që e udhëheqin këtë shtet” tha Mustafa.
Gjithashtu ai shtoi se është i pajtimit se nëse ka të vdekur të shtyhen zgjedhjet e parapara për datën 8 qershor, dhe se dita e zgjedhjeve të shpallet ditë zie.
Për momentin pritet që edhe Kryeministri i Kosovës në ikej Hashim Thaçi ta vizitoj QKUK-në.

13:50
Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit ekonomik tha se nuk ka më rrezik dhe se rrjedhja e mëtutjeshme është ndalur.

“Kemi futur brenda një robot dhe njerëzit tanë tash do të dalin me informata konkrete rreth asaj çka ka ndodhur”, tha Ismajli‏

13:49
Fadil Kodra, Drejtor i Departamentit për Menaxhim të Emergjencave,në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se ata gjendet në vendin e ngjarjes.

“Ne kemi krijuar shtabin e krizave, dhe jemi duke e përcjellur situatën nga afër”, tha ai.

Kodra shtoi se për momentin janë të lënduar përafërsisht 20 persona, por nuk dha detaje se a ka persona të vdekur.
“Ende nuk e dimi saktë se a ka të vdekur ose jo”.

13:46
Rreth 30 familjarë të punëtorëve të KEK-ut janë mbledhur para Emergjencës në QKUK, duke pritur lajme për të afërmit e tyre.

13:26
Basri Lenjani, shef i Klinikës emergjente në QKUK, tha se në këtë qendër nuk ka rast të vdekjeve, por janë pranuar 14 të lënduar, të cilëve u është dhënë ndihma dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

“Këto janë të dhëna zyrtare”, tha Lenjani.

13:23
Ministri në ikje i Shëndetësisë, Ferid Agani , thotë se gjendja e të lënduarve është stabile, “ Nga informata që mora nga Menaxheri i Situatës së Emergjencës, gjendja është nën kontroll atje (Obiliq)”, tha Agani në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, nuk ka informata nëse ka të vdekur.

13:22
Njëri nga të lënduarit, në KEK – Nuredin Dardhishta 1985‏

13:18h 
Komuna e Obiliqit thotë se janë në vendin e ngjarjes dhe po e përcjellin situatën.

“I kemi ftuar 10 ambulanca që i kemi dhe të gjithë mjekët që të jenë në dispozicion të personave që do të kenë nevojë” tha Burim Gërguri, drejtor i drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjenca.
Sipas tij gjendja për momentin është nën kontroll.

“Pas shpërthimit në termocentralet e KEK në Komunën e Obiliqit, Komuna e Prishtinës i ka vendosur të gjitha resurset e veta në dispozicion për të ndihmuar në operacionet e kërkim/shpëtimit si dhe në trajtimin e të lënduarve. Qendra e thirrjeve emergjente ka pranuar shumë thirrje dhe është në gatishmëri ta ndihmojë komunën e Obiliqit dhe KEK-un në këtë situatë të rëndë”.
Komuna e Prishtinës
Zyra për Marrëdhënie me Publikun‏

Edmond Nulleshi, drejtor i shërbimeve në KEK thotë se është izoluar rrezikun për shpërthimet e mëtejshme. Policia nuk jep shifra të sakta të të vdekurve të mundshëm. Rreth orës 11:00, në hapësirat e termocentralit “Kosova A” ka ndodhur një shpërthim i madh dhe nga burimet jozyrtare mësohet se janë tre deri në katër të vdekur.

13:09
“Shpërthimi i sotëm nuk do të ndikojë në furnizimin e qytetarëve me energji politike, pasi që KEK-u ka realizuar importet e mjaftueshme për t’i furnizuar qytetarët me energji elektrike”,  Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it

13:06
Gjithashtu Kryetar i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, gjendët në QKUK, ai pritet që për pakë minuta të dal me një deklaratë për media.

13:03
QKUK-ja ka publikuar në dyert e emergjencës një listë me 13 emra të punëtorëve të lënduar të KEK-ut, më i riu nga ta është i lindur në vitin 1985.

Ndërkohë edhe Presidentja e Kosovës ka mbërritur në lokalet e QKUK-së.

“Në momentin e shpërthimit kanë qëlluar tre persona fizikisht në vendin e shpërthimit”, tha Nulleshi.

Ai shtoi se skuadrat e kërkim-shpëtimit janë duke kryer punën e vet dhe nuk mund të konfirmojmë numrin e të vdekurve.

Policia e Kosovës thotë se kanë siguruar perimetrin e sigurisë dhe nuk kanë shifra të sakta për numrin e të vdekurve.

“Ka të lënduar me dhjetëra por mund të ketë edhe të vdekur”, i tha Brahim Sadria zëdhënës i policisë i Gazetës Jeta në Kosovë.

11:45

Arsyet e shpërthimit ende nuk dihen, por në vendngjarje kanë shkuar një numër i autoambulancave.

Shpërthimi ka tronditur edhe banorët e Obiliqit dhe ka dëmtuar xhamat e veturave.

Agron Borovci nga Policia e Kosovës thotë se e kanë siguruar hapësirën te vendi i ngjarjes. Ai tregon se ka disa persona të lënduar, por nuk mund ta konfirmojë ende nëse ka të vdekur.

“Për momentin jemi duke vëzhguar situatën dhe ende nuk dimë nëse do të ketë edhe një shpërthim tjetër.

Foto nga shkatërrimi që i është shkaktuar në një shtëpie në Obiliq nga shpërthimi në KEK.

Raportimit i kontribuan Petrit Çollaku, Ardian Gashi, Granit Mavriqi, Paulina Nushi, Njomza Salihi, Qendresa Mustafa, Arben Sylejmani, Kaltrina Rexhepi.