
Kandidatët e LDK-së Shkëmb Manaj dhe Armend Zemaj. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Zotimet e LDK-së: Kthim të RTK-së te publiku, reformë në administratë dhe meritokraci në institucione
LDK zotohet për reformë të thellë në administratën e shtetit, kthimin e RTK-së te publiku, për meritokraci në institucionet e pavarura dhe për përfundim të autostradës Prishtinë-Pejë.
Dy kandidatë për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj dhe Shkëmb Manaj janë zotuar për çkapje të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe të institucioneve të pavarura nga ndikimi politik. Premtimi i tyre është që rekrutimet dhe emërimet në këta mekanizma të bëhen mbi bazën e meritokracisë.
Në “Debat Përnime”, më 03.02.2025, ata kanë kritikuar mënyrën se si janë shpenzuar paratë publike për manifestime të partisë në pushtet- Lëvizjes Vetëvendosje, përmes transmetuesit publi- RTK, duke paralajmëruar se këto “keqpërdorime” nuk do të falen nga LDK-ja dhe se ato para do të “kthehen cent për cent.”
Kandidat i LDK-së për kryeministër është Lumir Abdixhiku, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
Depolitizimi i bordeve, agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike
Zemaj dhe Manaj kanë kritikuar përbërjen e bordeve dhe agjencive të pavarura duke i cilësuar si të kapura nga pushteti aktual, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Këtë veprim, Zemaj e ka cilësuar si një “njollë të zezë” që i ka dëmtuar institucionet në katër vitet e fundit. Ai ka thënë se ka pasur një “tendencë të vazhdueshme për kapjen e bordeve dhe agjencive të pavarura” dhe se kjo “kapje ose dëshirë e flakët për të instaluar njerëz me diktat politik i ka dëmtuar tejmase këto institucione.”
Ai ka përmendur raste konkrete të ndikimit politik në Komisionin e Pavarur për Media, Radiotelevizionin e Kosovës dhe Rregullatorin për Energji, duke i quajtur si shembuj të “kapjes nga pushteti politik”.
“Kemi shembuj të këqij, shembuj eklatantë duke filluar prej sulmeve në institucionet e sigurisë, e mos të flasim për Gjykatën Kushtetuese, por edhe bordet e ndërmarrjeve të pavarura që kanë shkaktuar dëme milionëshe”- pretendon Zemaj.
Nga ana e tij, Shkëmb Manaj e ka cilësuar këtë qeverisje si një prej “më të këqijave”, që ka goditur institucionet e pavarura kushtetuese dhe ka tentuar të kontrollojë administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe mediat.
Ai ka theksuar se pas ardhjes në pushtet, Qeveria Kurti ka ndërmarrë veprime të papranueshme, duke përfshirë “shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës”. Këtë, ai e ka konsideruar si tentativë për të “kapur administratën publike” dhe për të penguar zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës.
Kur u pyet se a do të shkarkohen njerëzit që janë vendosur nga VV-ja e që i konsiderojnë si të emëruar në mënyrë të kundërligjshme, Manaj tha se duhet të garantojnë që njerëzit që emërohen në pozitat e tilla duhet të jenë profesionist, me integritet dhe jo militantë partiak.
“Ka qenë një qasje e organizuar e kësaj qeverie që ta kapë administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe mediat”- theksoi Manaj.
Ai tha se do të rikthejnë meritokracinë te të gjitha bordet dhe institucionet e pavarura dhe në të gjitha nivelet e administratës publike.
“Kjo do të vlejë edhe për kyreshefat e ndërmarrjeve publike. Ne do ta shikojmë edhe aspektin ligjor edhe të pjesa e Shërbimit Civil edhe të Ndërmarrjet Publike. Duhet të krijojmë kritere të qarta dhe të matshme për secilin pozicion të rëndësishëm në vend”- tha ai.
Manaj tha se do ta kthejnë Ligjin për shërbimin civil ku shumica e zyrtarëve publik do jenë nëpunës civil dhe ata do të kenë mbrojtje në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e pastaj edhe në Gjykatë.
Për LDK-në, depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të tjera të pavarura është një nga prioritetet e saj.
LDK ka premtuar se do të rishikohen pozitat ku ka pasur emërime në mënyrë të kundërligjshme dhe se do të krijohen kritere të qarta për emërimet e reja në këto pozita.
“Ne nuk do ta mbrojmë asnjë njeri i cili ka bërë shkelje ligjore e aq më pak ata të korruptuarit. Ky është zotim dhe garanci që i themi qytetarëve që do ta bëjmë”- tha Zemaj.
Për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, Zemaj tha se do të ketë rishikim të këtyre pozicioneve tek ata që nuk kanë arritur të sigurojnë as minimumin e performancës dhe tek ata që e kanë përdorur ndërmarrjen publike për linçime, gjykime dhe “tenderomani”.
Në anën tjetër, Manaj shtoi se në raport me institucionet e drejtësisë nuk duhet të ndërhyhet në aspektin e pavarësisë në vendimmarrje, se duhet të ketë një buxhet i cili përcaktohet nga institucionet e pavarura dhe, as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë të drejtë ta zvogëlojnë buxhetin e institucioneve të pavarura. Krahas tyre, sipas tij, duhet trajtuar edhe çështja e pagave.
“Ju e dini premtimin publik të kryeministrit tonë në ardhje që koeficienti i pagës do të bëhet 150 euro për të gjithë nëpunësit civil dhe zyrtarët publik të shtetit. Po ashtu do të rishikohen te sistemi i drejtësisë, sepse gjyqtarëve dhe prokurorëve u është zvogëluar paga. Nuk e kanë bazën që e kanë pasë”- tha Manaj.
Ai tha se do ta zbatojnë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe do t’i harmonizojnë pagat e sistemit të drejtësisë, të Shërbimit Korrektues, zjarrfikësve dhe të gjitha kategoritë tjera.
Zemaj dhe Manaj theksuan se nëse LDK vjen në pushtet do të angazhohen për të rikthyer integritetin dhe transparencën në emërimet publike dhe do të punojnë për të krijuar një administratë publike që i përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të grupeve politike.
Ndërkaq për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Zemaj pretendon se këto ndërmarrje janë shpenzueset më të mëdha të buxhetit dhe taksave të qytetarëve të Kosovës.
“Te KOSTT- shiheni se me çka janë duke u përballur qytetarët e Kosovës edhe bizneset nga këto vendime të paligjshme. Si ka dy ditë që u takova me bizneset, vetëm nëse harron ose e neglizhon pagesën e energjisë elektrike, vetëm kyçja për biznese ish më shumë se 35 euro, ndërsa 17 euro për njerëzit individualë”- tha ai.
Zemaj një gjë të tillë e konsideroi “zhvatje”, duke pretenduar se Qeveria Kurti ka futur elemente të tilla në emër të vendimeve.
“Këto i ka lejuar KOSTT dhe ZRrE. Kjo do të ndërpritet”- tha ai.
Fati i transmetuesit publik
Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër menaxhimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në mandatin aktual, duke theksuar se ka pasur sfida të tjera përveç çështjeve buxhetore.
Sipas tij, RTK ka shpenzuar më shumë duke paguar dënime për sjellje të paligjshme, sesa duke investuar për rritjen e performancës së televizionit.
“Nëse e përkthejmë në çështje buxhetore, më shumë kanë shpenzuar duke paguar dënime për mënyrën e veprimeve të menaxhmentit dhe të bordit, duke u dënuar Gjykata për sjellje të paligjshme, tenderë dhe për mënyrën sesi kanë vepruar brenda, sesa që kanë shpenzuar për rritjen e performancës të televizionit”- ka thënë Zemaj.
Ai ka shtuar se RTK do të mbahet mend në histori për dy çështje: keqpërdorimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për të sulmuar mediat e pavarura; dhe për ndërprerjen e një seance kuvendore për të dëgjuar një ngjarje të kryeministrit.
Zemaj ka pretenduar se RTK është “e kapur” nga partia në pushtet dhe ka theksuar se financuesi i partisë është drejtor i televizionit.
Ai ka kujtuar se LDK e ka bojkotuar RTK-në para tre vitesh për t’u treguar qytetarëve që “instrumenti opozitar nuk mund të përdoret për të mbytur zërin e opozitës dhe zërin e qytetarëve duke përdorur mediumin publik.”
Zemaj ka thënë se vendosja e një “financuesi të RTK-së” në krye të televizionit e “ka dëmtuar RTK-në dhe ka qenë një tendencë për të dëmtuar demokracinë.”
Ai gjithashtu ka kritikuar mënyrën se si janë shpenzuar paratë publike për manifestime, duke paralajmëruar se këto keqpërdorime nuk do të falen nga LDK dhe se ato para do të “kthehen cent për cent.”
“Mënyra se si e kanë shpenzuar paranë publike edhe për manifestime- që janë edhe raporte kuvendore, për besë nuk do të falen nga LDK-ja, dhe ato para siç po ju themi shpeshherë jo si pjesë e fushatës, por do të kthehen cent më cent” – ka deklaruar Zemaj.
Ai theksoi se në momentin e parë që LDK të vijë në pushtet, do të ketë një rishikim të pozitave vendimmarrëse dhe këta njerëz nuk do të kenë vend në to, për aq kohë se u shërbejnë individëve dhe jo interesave publike.
Shkëmb Manaj tha se kjo qeverisje e ka kthyer Radiotelevizionin Publik në televizion shtetëror, gjë që, sipas tij, është shqetësuese për pavarësinë e mediave.
“Nuk ka pavarësi editoriale, nëse nuk ka pavarësi buxhetore RTK-ja. Ne duhet të garantojnë që buxheti i RTK-së është i garantuar dhe qeveria nuk tenton që përmes buxhetit ta kap këtë institucion”- tha ai.
Raporti i Progresit i vitit 2024 i Bashkimit Europian për Kosovën ka theksuar se nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli të financimit afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Ndër të tjera Raporti i Progresit ka përmendur dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dhe të tre anëtarëve të bordit. Bashkimit Europian e ka vlerësuar të rëndësishme që drejtori i ardhshëm i Radio Televizionit të Kosovës të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita, për të siguruar autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale. Aty përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili kishte thënë se dorëheqja e tij vjen pas presioneve politike.
Sekretarët e ministrive
Në lidhje me sekretarët e ministrive të emëruar nga Qeveria Kurti, Manaj tha se do të ketë rishikim për secilin pozicion, sidomos të kohëve të fundit.
Sipas tij, gjatë qeverisjes katërvjeçare shumica e sekretarëve të përgjithshëm, shumica e kryeshefave të ndërmarrjeve publike, por edhe të institucioneve të sigurisë edhe kryeprokurori edhe drejtori i Policisë kanë funksionuar si ushtrues detyre.
Manaj e cilësoi këtë si një praktik të keqe e cila nuk duhet të përsëritet.
“Pozitat e rëndësishme në shtet duhet të zgjidhen, të kenë mandat të përcaktuar në mënyrë që ata të kenë vendimmarrjen në dorën e tyre. Mënyra qysh ka funksionuar kjo qeveri, ne mendojmë që e ka bërë me qëllim, sepse shpesh ka ndodhë që i kanë shkarkuar sekretarët e përgjithshëm dhe kryeshefat, pasi që ata nuk i kanë dëgjuar të marrin vendime në favor të partisë në pushtet dhe në favor të tyre duke e shkelur ligjin”- pretendoi ai.
Pretendimet e tij janë që Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali është person kyç që pa miratimin e saj nuk bëhet asgjë.
“Ka plote fakte. Po ndërlidhem me konkursin e KEK-ut. Në momentin që ne e kemi bërë Kallëzimin penal në Prokurori Themelore të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka dal në publik komunikimi i Dejona Mihalit me kryeshefin [e KEK-ut] se hajde ta menaxhojmë këtë çështje, sepse LDK-ja e ka ngritë këtë çështje në Prokurori të Shtetit”- tha ai.
Në mesin e 26 dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale lidhur me aktakuzën e dytë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Prokuroria Speciale ka propozuar në cilësinë e dëshmitarëve ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihali.
Në lidhje me konkursin e fundit të shpallur nga KEK përmes të cilit u punësuan punëtorë të rinj, Manaj tha se është politizim i skajshëm dhe të gjitha këto konkurse që shpallen gjatë proceseve zgjedhore do të rishikohen.
“Ne si LDK do të ndërtojmë standard të ri që në kohë të fushatave mos të ketë konkurse grupore çfarë po ndodhin tash edhe çfarë kanë ndodhur edhe në vitin 2021 në zgjedhje lokale”- tha ai.
KEK-u pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025. Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti për disa prej tyre shpërndau kartelat e punës, për të cilën raportoi KALLXO.com.
Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11.01.2025 për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025.
A do të përfshihen britanikët në procese të rekrutimit?
Britanikët kanë monitoruar disa nga proceset e rëndësishme të rekrutimit në Kosovë. Në një rast, Ambasada e Britanisë së Madhe kishte shprehur zhgënjimin e saj, për dështimin e Kuvendit që të emërojë Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi më 17.08.2020.
Të pyetur në “DebatPërnime” se a do të lejohen britanikët që të monitorojnë proceset e rekrutimit, Armend Zemaj tha që nëse do të qeverisin do t’u japin atyre hapësirë.
“Ky memorandum që unë mendoj që ka qenë i nevojshëm edhe në atë kohë, edhe si pjesë e Kuvendit, ta them të drejtën në fillim ka qenë e vështirë, si diçka e re që shkakton transparencë të madhe nganjëherë has edhe në vështirësi edhe prej pjesës politike dhe kuvendore, jo në qëllimin por ndoshta atë dembelinë se si është e mundshme që një konkurs dhe një intervistë të zgjat me ditë të tëra edhe për me ardhë te një vlerësim pozitiv”- tha Zemaj.
Shkëmb Manaj, nga ana tjetër, ka mbështetur idenë e përfshirjes së ekspertëve të huaj për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm të rekrutimit.
Ai ka sugjeruar se projekti britanik mund të jetë modeli më i mirë për emërimin e kandidatëve në pozitat udhëheqëse.
“Në këtë rast projekti britanik është modeli më i mirë, sidomos për këto institucione, ku përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet nga projekti britanik dhe emërimet të bëhen sipas rekomandimeve të tyre”- ka deklaruar Manaj.
Më 02.07. 2020, Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kishte nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi, njërin me Kuvendin e Kosovës dhe tjetri me Qeverinë e Kosovës për bashkëpunim në proceset e rekrutimit. Ambasada Britanike zotohej se do t’i ndihmojë institucionet e Kosovës në rekrutimin e profesionistëve nëpër pozita të larta brenda shërbimit civil dhe institucioneve të pavarura, duke angazhuar një kompani të specializuar rekrutimi, e cila do t’u rekomandojë institucioneve të Kosovës kandidatët më të vlerësuar për secilën pozitë. Kurse, Kuvendi dhe Qeveria, zotoheshin se do t’i zbatojnë rekomanimet e partnerit britanik, duke zgjedhur kështu kandidatët më të mirë dhe të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga partneri zbatues.
Projektet rajonale për Rrafshin e Dukagjinit, fokus i LDK-së për infrastrukturë dhe turizëm
Kandidatët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Shkëmb Manaj, kanë prezantuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Deçanit, duke u fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe turizmit.
Armend Zemaj ka theksuar si një nga prioritetet kryesore autostradën e Dukagjinit, një projekt që, sipas tij, duhet të përfundojë për të lidhur Deçanin me pjesën qendrore të Kosovës.
Ai gjithashtu ka përmendur projektin për rrugën e Plavës, si një mundësi për të lidhur rajonin më afër Malit të Zi.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është Qendra e Skijimit në Bjeshkët e Belegut, për të cilën ai ka propozuar një studim fizibiliteti.
“Në një të ardhme të afërt do të siguronte një investim madhor, dhe nuk do ta kishim vetëm një Brezovicë, por edhe një tjetër”- ka deklaruar Zemaj, duke theksuar mundësitë që ky projekt mund të sjellë për turizmin.
Nga ana e tij, Shkëmb Manaj ka shpallur projekte të detajuara për Rafshin e Dukagjinit, duke përmendur si prioritet ndërlidhjen e autostradës Prishtinë-Pejë, e cila, sipas tij, ka mbetur e papërfunduar nga qeverisja e tanishme.
“Kjo qeveri na ka kthyer mbrapa sepse ka tentuar që pjesën prej Kijevës në Zahaq vetëm ta zgjerojë, duke hequr elementet e autostradës”- ka thënë Manaj, duke shtuar se qeverisja e LDK-së do të ndërtojë këtë autostradë.
Po ashtu, ai ka përmendur zgjerimin e rrugës regjionale Rozhajë-Pejë, një projekt që krijon lidhje më të ngushta me Malin e Zi, si dhe ndërlidhjen e Deçanit me Plavën dhe zgjerimin e magjistrales Istog-Pejë-Deçan-Junik-Gjakovë-Prizren, për të siguruar një lidhje më të mirë me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Në aspektin e turizmit, Manaj ka theksuar projektin e Moknës në Komunën e Istogut dhe të Boreas, si pjesë të programit të LDK-së. Bashkëpartiaku i tyre, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri premtimin për “Borean” e kishte bërë në vitin 2017, atë kohë kur garonte edhe për një mandat për shef ekzekutivi në Pejë. Megjithatë ende nuk është jetësuar.
Për Klinën, LDK ka premtuar furnizimin me ujë të pijshëm, duke theksuar se aktualisht qendra e Klinës nuk ka ujë të pijshëm.
Po ashtu, Manaj ka përmendur projekte të tjera të rëndësishme, si trajtimi i lumenjve, duke përfshirë Lumin Istogu, Drinin Bardhë, Lumbardhin e Deçanit, lumin Klina, si dhe të dy lumenjtë e Gjakovës, si pjesë e një projekti më të gjerë për menaxhimin e ujërave dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.
Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për meritokraci se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetër e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.