Gazmend Muhaxheri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qytetarët e opozita konfrontojnë Gazmend Muhaxherin për qeverisjen në Pejë

Një premtim të madh Gazmend Muhaxheri e kishte bërë në vitin 2017, atë kohë kur garonte edhe për një mandat për shef ekzekutivi në Pejë.

 Ai thoshte se ka ëndërr ndërtimin e projektit për qendrën turistike “Borea”. Qytetarët e Pejës ia dhanë besimin, madje kandidati i LDK-së i fitoi zgjedhjet lokale pa balotazh.

Por, tri vjet pas zgjedhjeve, “Borea” ka mbetur vetëm premtim ndërkohë që plot probleme të tjera të qytetaëve të Pejës presin zgjidhjen nga qeverosisja e Gazmend Muhaxherit.

Për të folur lidhur me  punët që i ka kryer që tri vite si kryetar komune, premtimet, por edhe dështimet, Gazmend Muhaxheri u ftua  në emisionin “Jeta në Komunë”  përballë Jeta Xharrës. 

Pjesë e debatit ishin edhe asamblistët, Bashkim Lajçi, nga Lëvizja Vetëvendosje, Reshat Nurboja, Ish-kandidat për kryetar të Pejës nga Alternativa, Arbër Grabovci nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gezon Berisha, asamblist i pavarur. Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin edhe dy përfaqësues të shoqërisë civile, Naser Lajqi nga OJQ “Syri i Visionit” dhe Gazmir Raci, aktivist.

Premtimet e Gazmend Muhaxherit

“I have a Dream. Unë e kam pa një ëndërr dhe kjo është ëndrra e qytetarëve të Pejës, është ëndrra e njerëzve më të devotshëm në këtë qytet. Ka pasur kundërshtime të mëdha. Ju garantoj që në këtë mandat e mbarkojmë, vitin tjetër kemi me skiju në këtë qendër”. Ky ishte premtimi kryesor i kandidatit të LDK-së në zgjedhjet lokale të 2017-tës në Komunën e Pejës.

Por, tri vjet pas, Gazmend Muaxheri u ka kërkuar falje qytetarëve për mos mbajtjen e premtimit për projektin “Borea”. Ai ka fajësuar Ministrinë e Ambbentit, ndërsa ka pasur një epitet edhe për nënpunësit, që sipas tij, po e pengojnë projektin e ëndrrave.

“Muj me ju kërku falje qytetarëve se u kam thonë që ‘qinovnikat’ e Prishtinës nuk kanë me vendos për Borean. Po më vjen keq që prapë po vendosin ‘qinovnikat’ e Prishtinës. Në Ministrinë e Ambientit, konzorciumi fitues kur e ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis i është kthyer përgjigjja se është pezulluar vlerësimi i tyre për shkak se parku nacional “Bjeshkët e Nemuna’ nuk ka zonim”, ka thënë ai në debatin “Jeta në Komunë”.

Megjithatë, shefi i qeverisë lokale të Pejës mbajti një premtim tjetër.

“Ndërtimi i katër shkollave të reja të partneritetit publiko-privat”, kishte premtuar Muhaxheri. Deri më tani, kur kanë kaluar tri vjet qeverisje, Komuna e Pejës ka ndërtuar katër shkolla, dy prej të cilave janë funksionale.

Por, ky është premtimi i vetëm që Gazmend Muhaxheri e mbajti në plotësi. Një premtim për energji alternative, nuk u përmbushë ende.

Një premtim tjetër e dha për barazinë gjinore në Komunën e Pejës.

“Besoj që numri i tyre do të shkoj prej 3 deri në 5 dhe nënkryetarja e komunës do të jetë e gjinisë femërore”, kishte premtuar Muhaxheri edhe kur u pyet para tri viteve për barazinë gjinore në komunë.

Por, kryetari i Pejës ka vetëm katër drejtoresha gra, njëra prej tyre e emëruar rishtazi, ndërsa nënkryetari që vjen nga LDK, është burrë.

Jeta në Komunë, Pejë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur u pyet për një shtëpi shëndeti në fshatin turistik të Rugovës, Bogë, ai ishte i bindur se atje ekziston një objekt. Por, një Ambulancë ende mungon në këtë fshat.

“Në Bogë nuk ka objekt të ambulancës”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci. Por, me këto pretendime të drejtorit të vetë, nuk u pajtua Gazmend Muhaxheri. Ai insistoi se në objektin e shkollës, është edhe pjesa e Albulancës, ndërsa dha një shpjegim pse nuk po funksionalizohen shtëpitë e shëndetit në zonën e Rugovës.

“Janë, por nuk është funksionale sepse ambulanta në Drelaj për 6 muaj funksionim i ka pas 2 pacienta, edhe nuk ja ka vlejte për 2 pacienta në 6 muaj”, deklaroi kryetari Muhaxheri në “Jeta në Komunë”.

Tenderët në Komunën e Pejës

Në qershor të këtij viti KALLXO.com raportoi se një tender të cilin Komuna e Pejës e dha në muajin prill, ishte kurdisur për familjen e ish-deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi.

Zyra e Prokurimit në këtë komunë, përmes procedurës së negociuar, kishte ftuar tri kompani për të ofertuar në një tender që për qëllim kishte blerjen e gjësendeve ushqimore për familjet në nevojë në komunën e Pejës. Por, KALLXO.com zbuloi se tri kompanitë e ftuara për ofertim ishin nga familja e Ramiz Kelmendit ndërsa tenderi kapte vlerën e afro 100 mijë eurove.

Komuna e Pejës u kërkoj ofertë kompanisë “Express store”, që sipas ARBK-së është në pronësi të fëmijëve të Ramiz Kelmendit, Albulena Kelmendi, Albina Kelmendi, Blerina Kelmendi dhe Egzon Kelmendi.

Gjithashtu, u ftua edhe kompania “Elkos Sh.P.K” që është në pronësi të ish-anëtarit të LDK-së, Ramiz Kelmendi. Dhe në fund, u ftua edhe kompania “Egi group” që është në pronësi të Egzon Kelmendit, djalit të Ramiz Kelmendit.Në mesin e tri kompanive të familjes Kelmendi doli fituese “Express store” me çmimin më të ulët, prej 99 mijë e 742 euro e 50 centë.

Njoftimi për kontratë

Por, reduktimi i konkurrencës te kompanitë e një familjeje të vetme, nxiti Prokurorinë e Shtetit që të nisë hetime.

Në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri e ka arsyetuar dhënien e tenderit për ish-deputetin e LDK-së.

Ai ka thënë se kompanitë e Ramiz Kelmendit i kanë çmimet më të ulëta në treg.

“Është energji negative me thënë i është dhënë ‘Elkos’-it, tenderi për pandemi, kur dihet që e vetmja firmë që i furnizon me çmimet më të lira, jo vetëm në Pejë është ndërmarrja e ‘Elkos’. Para se me qitë konkursin, unë i kam marr krejt çmimet, e pastaj iu kam thënë atyre të prokurimit hapeni konkursin. Kam pasë shokë e jarana, kam mujtë me iu thanë krahasoni edhe merreni”, ka thënë Muhaxheri.

“Ato janë tri ndërmarrjet me çmimet më të lira, u dashtë me i kontrollu çmimet para se me qitë një lajm negativ. Çka ka me bë Prokuroria? Çmimet më të lira në tregun e Kosovës, krahasoji çmimet”, tha Muhaxheri.

Por, me këto pretendime të Muhaxherit nuk është pajtuar asamblisti nga partia Alternativa. Reshat Nurboja tha se Gazmend Muhaxheri e ka shkelur ligjin.

Reshat Nurboja, Alternativa

“Së pari kryetari ka bërë shkelje të ligjit. Komuna e ka operatorin e caktuar për furnizime ushqimore. Është dashtë me i marr aty, kjo i bie se e ka shkelë ligjin. Operatori nuk është vetëm për çerdhe, çdo komunë e ka këtë operator”, deklaroi asamblisti nga Alternativa në Kuvendin Komunal të Pejës.

Në Komunën e Pejës është edhe një kompani tjetër, e afërt me LDK-në, që merr tenderë. Një hulumtim i KALLXO.com zbuloi se kompania “Lugjet e Verdha” në pronësi të Idriz Kurtbogaj, brenda dy viteve i fitoi shtatë tenderë në vlerë të përgjithshme prej 2 milionë e 422 mijë euro.

Idriz Kurtbogajt është babai i drejtorit të Administratës në Komunën e Pejës, Rexhep Kurtbohajt. Ndërsa, vetë pronari i kompanisë e kishte pranuar se familjarisht janë votues të LDK-së.

Idriz dhe Rexhep Kurtbogaj

Dhënien e tenderëve për kompaninë e babait të drejtorit të Administratës e ka arsyetuar i pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ai në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se kompania e Idriz Kurtbogajt ka marrë tenderë edhe në të kaluarën, sa ai nuk ka qenë shef i ekzekutivit lokal.

“Ky operator është i trashëguar prej kohës së Aleancës, domethënë projektet e para, ose krejt kompanitë që aplikojnë në Komunën e Pejës i kam të trashëguara. Nuk është asnjë operator që ka ardhë prej kur jemi ne në pushtet dhe u bë i privilegjum”, ka thënë Muhaxheri. “Ky është njëri prej operatorëve më të mirë në ndërtimin e rrugëve në Rugovë”, deklaroi Gazmend Muhaxheri.

“Balona me ajër” në pronësi të drejtoreshës komunale

Më 10 tetor, në qendër të qytetit të Pejës, nën organizimin e Komunës, u promovua një balonë me ajër të nxehtë si një atraksion i ri turistik. Së bashku me të parin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, u pa edhe drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri.

Për këtë ngjarje, drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik u kujdes që t’i ftoj qytetarët përmes një ftese publike.

KALLXO.com zbuloi se krejt ky organizim doli se po bëhet për kompaninë “Balkan Sky” e cila është në emër të Sani Muhaxheri, babait të drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri.

Organizimi dhe promovimi i “Balonës me ajër të nxehtë” nuk ishte gjëja e vetme që Komuna e Pejës e bëri për biznesin e drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik.

Vetë Lendita Muhaxheri përmes një bisede ka thënë se Komuna që e udhëheq Gazmend Muhaxheri i ndihmoi shumë që “Balonën me ajër” ta fusë në Kosovë. Madje, sipas vetë drejtoreshës, intervenimi i Komunës në Doganë dhe heqja e të gjitha shpenzimeve ekstra, siç është furgoni dhe vetura, ia lehtësuan që “ta jetësojë” idenë që e kishte nisur kohë më parë.

Balona me ajër, Pejë- 2020

E pyetur nëse, “Balona me ajër” është në emër të kompanisë së prindit të saj, dhe kjo mund të paraqes konflikt interesi, pasi u promovua nga vetë ajo dhe kryetari i Komunës, Muhaxheri tha se një gjë e tillë nuk është konflikt interesi.

“Kompania duhet me u regjistrua, dmth duhet me qenë ekzistuese, nuk mundesh me bë fluturime me avion të vegjël ose fluturime me balonë, ose fluturime tjera nëse nuk është ekzistuese edhe nëse ka të hyra mos të jenë të, si më thënë, të paguhen tatimet ose të paguhen taksa, pra duhet me qenë është obliguese”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në emisionin “Jeta në Komunë” nuk e ka mohuar se e ka ndihmuar me mjete fianciare futjen e balonës në Kosovë. Ai ka thënë se balona është një donacion për Komunën e Pejës.

“Kompaninë të cilën e ka regjistruar drejtoresha është tu punu që dy vjet, ideja e drejtoreshës është që në komunë tonë me e pru një aeroplan prej Zvicrës me kcy me parashuta, drejtoresha punon me parashuta dhe është fanse e sporteve ekstreme”, deklaroi Gazmend Muhaxheri.

Punësimet partiake në Pejë

Një hulumtim i KALLXO.com zbuloi se të paktën tre persona, anëtarë e përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës u punësuan në ndërmarrjen publike lokale “Ambienti” në Pejë.

PDK është në koalicion me LDK-në për bashkëqeverisje që dy mandate Komunën e Pejës.

Punësime partiake në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ambienti”, Pejë

Kryesues i bordit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ambienti” është Arton Muhaxheri, anëtar i PDK-së në Pejë. Ndërsa, Ylber Goska që një vit e gjysmë u zgjidh sekretar në ndërmarrjen publike lokale “Ambienti”. Ndërsa, që tre muaj si inspektor në kompaninë lokale “Ambienti” u punësua edhe Lulzim Shala, një simpatizant i PDK-së.

Por, punësimet në ndërmarrjen publike lokale i ka arsyetuar i pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai tha se zgjedhja e personave në Ndërmarrjen Publike Lokale është bërë nga një komision vlerësues, e ajo nga ai personalisht.

“Ai është Bordi Menaxhues i Ndërmarrjes, këta i kemi zgjedhë me komision, unë se kam zgjedhë Bordin edhe me të kallxu drejtë ka qenë komisioni përzgjedhës. Unë e kam kritikuar edhe qeverinë tonë  edhe qeverinë që është tash, Bordet nuk duhet me u zgjedhë as me konkurse, ish dashtë me i emëru kryeministri”, ka thënë Gazmend Muhaxheri në emisionin “Jeta në Komunë”.

Në anën tjetër, edhe anëtarët e LDK-së janë punësuar. Pesë drejtor shkollash të cilët janë edhe pjesë e partisë e cila është në pushtet thanë se janë krenarë që pjesë e LDK-së.

Anëtarë të LDK-së janë drejtorët e shkollave: “Fan Noli” në Kryshec, “Asdreni” në Pejë, “Smajl Hajdari” në Pejë e “Migjeni” në Gllogjan të Pejës.

Drejtorët e shkollave, anëtarë të LDK-së në Pejë

Gazmend Muhaxheri, kryetari Komunës së Pejës ka thënë se nuk janë vetëm të LDK-së drejtorët e shkollave. Ai ka përmendur edhe drejtorët e shkollave të tjera të partive të tjera.

“Janë 36 shkolla, u dashtë me i pyet edhe të tjerët, janë drejtorë të Aleancës, janë 4-5 janë të Aleancës, është drejtori i Vetëvendosjes në shkollën e Artit e plot të tjerë. Qikjo është korrekte, me i qitë, me pa që nuk i kemi zgjedh politikisht”, tha Muhaxheri në emisionin “Jeta në Komunë”.

Vërshimet dhe bërlloku në Pejë

Sa herë bie rrebesh shin ë Pejë, rrugët e qytetit marrin tjetër pamje. Kështu ndodhi javë më parë ku rrugët e Pejës u vërshuan nga uji. Krejt kjo ndodhë për shkak se investimet në kanalet e ujit nuk janë bërë si duhet e sa duhet.

Vershimet ne Peje foto KALLXOcom
Vërshimet ne Pejë, Foto: KALLXOcom

 

E, për këto pamje ka një shpjegim kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Dy defekte të vërshimeve të pompa Husaj, ndodh për shkak të ndërtimit të rrugës me katër korsi në të cilën është mbyllë kanali i hapur i cili e ka bërë largimin e ujërave atmosferike e tash zgjidhje nuk ka. Ish dashtë me investu me dëmtu rrugën, me çelë kanalin e hapur dhe pastaj me qenë subjekt i sulmeve të njerëzve” tha Muhaxheri.

Sipas kryetarit të Pejës, puna që është bërë nga qeverisja e AAK-së, duhet të prishet, e që kjo ka mundur të zgjidhet me një shumë prej 10 mijë euro, ndërsa tash sipas Muhaxherit duhen 200 mijë euro për të hapur kanalet nga fillimi.

Në qytetin e Pejës shpesh mund të hasni edhe në mbeturina. Sikur kjo pamje afër shkollës së Artit.

Bërllogu afër shkollës së Artit, Pejë

Por, nuk është vetëm kjo. Në qendër të qytetit, për shkak se mungojnë kontejnerët, mbeturinat dhe qenët endacak shihen gjithandej.

Bërllogu në qender të Pejës

Por, Muhaxheri ka premtuar se së shpejti do të rregullohet ky problem i vazhdueshëm.

“Prej javës së ardhshme aty nuk do të ketë kontejner sepse do t’i vendosim kamerat, edhe do t’I vazhdojmë edhe dënimet”, ka thënë në emisionin “Jeta në Komunë”.

“Ne i pastrojmë çdo ditë, ne kemi dhënë pak gjoba sepse e kemi vetëm një inspektor të ambientit. Unë jam I kënaqur me punën e kompaninë e pastrimit”, tha ai.

 

 

 

www.kallxo.com