Raporti i Progresit: Nuk ka progres në gjetjen e një modeli për financimin afatgjatë dhe të pavarur të RTK-së

Raporti i Progresit i Bashkimit Europian për Kosovën ka theksuar se nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli të financimit afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Raporti ka theksuar se edhe Ligji për RTK-në edhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve janë ende pezull.

Ndër të tjera Raporti i Progresit ka përmendur dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dhe të tre anëtarëve të bordit.

“Në korrik të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm i RTK-së dha dorëheqjen, duke cituar ndërhyrje politike dhe mosmarrëveshje me Bordin. Është e rëndësishme që drejtori i ardhshëm të jetë emëruar përmes një procesi të bazuar në merita, për të siguruar autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale”- thuhet në raport.

“Më vonë gjatë vitit RTK u kritikua publikisht për publikimin e një artikull të huaj që kishte target dy portale të lajmeve të Kosovës. Kjo çoi në dorëheqjen e kryetarit të bordit dhe dy anëtarëve të tjerë të bordit. Është thelbësore që bordi të bëhet shpejt sërish funksional. RTK-ja duhet t’i adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien editoriale dhe pavarësinë”- thekson Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën.

Besnik BoletiniArta Berisha dhe Safet Kabashaj, anëtarë të bordit të RTK-së, dhanë dorëheqje në gusht të këtij viti pas kritikave ndaj RTK për publikimin e një lajmi të marrë nga një medie boshnjake, i cili pretendon, ndër të tjera, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe media kosovare.

Ish-drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në korrik të këtij viti, ndonëse dorëheqja e tij i ishte ofruar bordit në maj të 2024, ajo u bë publike në korrik të 2024.

Ahmetxhekaj kishte reaguar publikisht duke thënë se dorëheqja e tij vjen pas presioneve politike.

Pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt ushtrues detyre i drejtorit të RTK-së ishte emëruar Zana Spahiu, e cila dha dorëheqje pas një muaji në këtë detyrë.

Më 28.10.2024 për dorëheqjen e tij ka njoftuar edhe zëvendësdrejtori, Adi Krasta, ndërsa bordi më 29.10.2024 bëri të ditur se kanë dështuar në emërimin e një ushtruesi të detyrës së drejtorit të RTK-së.