Xërxë, Vritet Grabitësi i Maskuar

Policia në Prizren ka njoftuar se të enjten në orët e vona të mbrëmjes, dy meshkuj të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov, kanë terrorizuar mysafirët dhe ua kanë grabitur gjësendet e vlefshme, portofolet me para, zinxhirë të artë, telefona celularë, të gjithëve që ndodheshin në objektin hotelier “Ura e Fshenjtë”.

Pas kësaj grabitjeje, të dyshuarit kanë vazhduar me një grabitje tjetër në restorantin “Saranda” në Bellacërkë. Edhe pas grabitjes së mysafirëve në ketë objekt, të dyshuarit kanë marrë në cak një lokal tjetër në Xërxë. Ata rreth orës 23:50 min kanë hyrë në restorantin “X-tra”, bëri të ditur Hazir Berisha, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren.  

“Në ketë restorant, sipas hetimeve të para, bëhet e ditur se ka pasur të shtëna me armë zjarri. Dy qytetarë janë lënduar dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërkaq në vendin e ngjarjes ka mbetur i vrarë një mashkull me maskë në kokë, i paidentifikuar”, shtoi Berisha.

Sipas dëshmitarëve, grabitësi i dytë ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Njësite të policisë së Rahovecit, hetues rajonalë nga Prizreni dhe Peja dhe Njësia Speciale operative kanë operuar tërë natën në kërkim të personit të arratisur. Ndërkaq ekspertët e krim-teknikëa kanë kryer procedurat e këqyrjes së vendit të ngjarje. Prokurori, po ashtu, ka dalë në vendin e ngjarjes.

Gjatë kërkimit për të dyshuar, në afërsi të një gurthyesi, policët e Njësisë speciale kanë hasur në katër qytetarë, të cilët janë urdhëruar që të ndalen e pastaj gjatë legjitimimit polica ka gjetur në pronësi të tyre dy armë zjarri: një pistoletë 19 mm me dhjetë fishekë në karikator dhe një armë të gjatë e llojit “ALTAI Magnum”.

Të gjithë këta janë intervistuar e pastaj janë lënë të lirë. Janë sekuestruar tri automjete, të cilat kanë qenë të parkuara para restorant “X-tra” e që janë shpuar nga plumbat, me qellim të procedimit të tyre.