Vjet Pati 21 Mijë Azilkërkues Nga Serbia e Kosova

Në vitin 2011, gjithsej 21,200 persona nga Serbia dhe Kosova, kërkuan azil në vende të tjera, të cilët i radhitën të katërt në listën globale pas Afganistanit, Kinës dhe Irakut, thotë një raport nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatë, UNHCR.

Pyetësori përfshiu Serbinë bashkë me Kosovën, në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së të vitit 1999, duke qenë se Kosova ende nuk është njohur si shtet nga Kombet e Bashkuara.

Sipas definicionit të OKB-së, azilkërkues është një individ i cili ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare dhe kërkesa e të cilit për status të refugjatit nuk është vendosur ende.

Si vende të industrializuara, UNHCR-ja përfshiu 27 vendet anëtare të BE-së, plus Shqipërinë, Bosnjën, Kroacinë, Lihteshtajnin, Islandën, Malin e Zi, Serbinë, Norvegjinë, Maqedoninë, Turqinë, Australinë, Kanadanë, Japoninë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut dhe SHBA-në.

Këto vende patën rreth 441,300 aplikime për azil, në vitin 2011.

Raporti thotë se “ky vit është karakterizuar nga një numër i madh personash që kanë kërkuar azil ose status refugjati, nga vendet që kanë pasur konflikt kohëve të fundit, trazira, ose çështje sigurie.

Në vitin 2010, OKB-ja, raportoi 29,600 azilkërkues që vinin nga Serbia dhe Kosova, e cila është 50 për qind më shumë nga të dhënat në 2009.

Sipas raportit të UNHCR-së, arsyeja kryesore për rritjen e numrin të azilkërkuesve është fakti se që nga 19 dhjetori 2009, Bashkimi Europian iu lejon hyrje të lirë pa viza mbajtësve të pasaportës serbe.

Në vitin 2011, Serbia dhe Kosova ranë në vendin e katërt, me 21,200 kërkesa të regjistruara gjatë vitit, një rënie prej 28 për qind.

Rënia ishte veçanërisht e dallueshme në Francë dhe Suedi, e krahasuar me 2010.

Në lidhje me destinimet, qytetarët serbë zgjodhën Gjermaninë të parën në 2011, me rreth 6,000 kërkesa për azil.

Raporti thotë se provat tregojnë që numri i azil kërkuesve nga Kosova në këto vende ka rënë në tri vitet e fundit.

Në vitin 2009, rreth 74 për qind e aplikuesve nga Serbia vinin nga Kosova, por në 2009, përqindja ra në 41. Shumica e qytetarëve kosovarë zgjedhin Francën, Austrinë dhe Belgjikën si destinacione.

Vende të tjera të Ballkanit u radhitën dukshëm më ulët në krahasim me Serbinë dhe Kosovën. Në vitin 2011 rreth 5, 607 persona nga Maqedonia kërkuan azil, ndërsa nga Shqipëria qenë 3,330 dhe nga Bosnja dhe Hercegovina rreth 2,730.

Ky artikull fillimisht është publikuar në “Drejtësia Tranzicionale në Ballkan”
http://www.balkaninsight.com/al/article/serbia-dhe-kosova-kryesojne-ligen-e-azilkerkuesve