Vizitë Zyrtare në Plazh

Vetura e tipit Mercedes, ngjyrë metalike, me targa 3Z 001 16, e regjistruar në emër të Ministrisë së Bujqësisë, është vërejtur duke kaluar nëpër rrugët e Durrësit, të shtunën, 9 qershor. Në këtë veturë janë parë edhe fëmijë.

Zëdhënësi i ministrisë së bujqësisë, Adil Behramaj, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se zyrtari në fjalë, Sadi Peroshi, ka qenë në udhëtim zyrtar. 

“Ky zyrtar ka marrë pjesë në një punëtori të strategjisë kundër drogës e organizuar nga ministria e punëve të brendshme në Durrës. Kanë qëndruar në hotelin Dolce Vita. Zyrtari ka marrë pjesë këtu pasi që droga është prodhimtari bimore,” tha Behramaj.

Mirëpo, Gazeta Jeta në Kosovë, e cila ka në posedim dokumentin zyrtar të MPB-së, e cila ka përpiluar pjesëmarrësit në këtë grup punues, nuk vëren asnjë zyrtar të ministrisë së bujqësisë. (Shih dokumentin)

Gazeta i dha mundësi Peroshit që të shpjegohet por nuk ka marrë koment prapa nga ai.

Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu ka fotografuar një veturë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në të njëjtën fundjavë, në të cilën ndodhej sekretarja e përgjithshme e gjykatës, Arbëresha Raça-Shala. 

vetura zyrtare

Mercedesi, ngjyrë metalike, me targa 4Z 009 01, i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është parë të dielën, në orët e paradites duke marrë kthesë për në Shkodër, tek udhëkryqi Tiranë-Shkodër, që gjendet afër qytezës së Milotit.

Zyra e informimit tha se delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka qenë në vizitë zyrtare për nder të 20-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Ky delegacion kishte paraparë që të kthehet në Prishtinë të dielën, 10 qershor por sekretarja e përgjithshme e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arbëresha Raça-Shala ishte obliguar të kthehet një ditë më herët në Kosovë.

“Sekretarja e Përgjithshme e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërkaq, për shkak të disa obligimeve, është kthyer një ditë më herët, pra të shtunën (9 qershor 2012), për t’u kthyer përsëri në Shqipëri të dielën, në një takim me zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë,” është shpjegimi i gjykatës.

Zyra për informim e gjykatës thotë se kjo është bërë ‘me qëllim të organizimit dhe bashkërendimit të agjendës, për vizitën në Kosovë të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që do të vizitojnë vendin tonë prej nesër’ (e enjte, 14 qershor). 

Megjithatë, në ueb-faqen zyrtare të gjykatës, vizita zyrtare e delegacionit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte paralajmëruar me 7 dhe 8 qershor (enjte dhe e premte). 

Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Kujtim Osmani nuk ishte në gjendje të konfirmonte këto informacione i cili fillimisht kërkoi dhjetë minuta kohë.

“Tek ne në vizitë kanë qenë Enveri, kryetari i gjykatës, Arbëresha, sekretarja, Altay Suroy, gjyqtar dhe Fejzullah Hasani, kryetari i Gjykatës Supreme, për nder të 20-vjetorit të gjykatës sonë. Sekretarja është larguar të shtunën, dhe të dielën është kthyer dhe jemi takuar në Lezhë,” tha Osmani pas dhjetë minutave kohë të kërkuara.

Osmani tha se qëllimi i këtij takimi ishte për përmbylljen e planeve të vizitës së Gjykatës së Shqipërisë në Kosovë.

“Kemi qenë në një lokal afër Lezhës. Nuk më kujtohet emri i lokalit por kemi biseduar hollësitë e vizitës sonë në Kosovë,” tha Osmani.