Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.

Vendpërkujtimoret e Kosovës nuk e rrëfejnë të vërtetën e plotë

Vendpërkujtimoret e Kosovës janë të fragmentuara dhe mbizotërohen nga përmendoret e ‘heronjve’ dhe të ‘martirëve’, por nuk ia dalin dot që, në mënyrë të duhur, të portretizojnë rrëfimet dhe të përkujtojnë ngjarjet tragjike të përjetuara nga njerëzit e pafajshëm dhe viktimat e luftës.

 

Më 28 nëntor, kryetari i Komunës së Gjilanit ngriti një shtatore të re për të përkujtuar Agim Ramadanin, komandantin e mirënjohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK). Ramadani do të qëndrojë përbri shtatoreve të luftëtarëve të luftave të kaluara, të Idriz Seferit dhe të Mulla Idriz Gjilanit, të cilët, sipas kryetarit të komunës, u shkrinë në bronz, që të gjithë, me mbështetjen e pakursyer të komunitetit.

Përkujtimet e ushtarëve të rënë nuk mjaftojnë për të kuptuar të kaluarën dhe nuk mjafton të ngrihet një memorial për një, dy apo tre individë për të përfaqësuar një pjesë të tillë kaq të rëndësishme të historisë sonë. Lufta në Kosovë po keqshtjellohet për çdo ditë, në mënyrë më të drejtpërdrejtë të mundshme, vizualisht, dhe është gazep kur e sheh këtë të ndodhë vazhdimisht.

Edhe tash, derisa po shkruaj, po përpiqem të kuptoj arsyet që fshihen prapa këtyre qasjeve të gabueshme. A po vjen kjo nga injoranca? A po vjen kjo nga mungesa e një pasqyre profesionale për lidhjet midis identitetit shoqëror, kujtesës historike dhe përkujtimit të së kaluarës? Apo po vjen nga fakti që Kosova drejtohet nga një grup ish-shokësh mujsharë të cilët vendosin, kur kanë nge, se kush dhe si do të përkujtohet? ‘Shenjtërimi’ që u vu re në Gjilan në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë mbase prek krejt atë që u tha më sipër.

Një shembull heroizmi apo flijimi për popullin u shndërrua në memorial. Kjo do të thotë, efektivisht, që qyteti i Gjilanit tani ka objekte të reja të trashëgimisë kulturore dhe historike, vlera e së cilave supozohet se është e përbashkët për të gjithë anëtarët e bashkësisë dhe të shoqërisë në tërësi.

Një përkujtesë, në këtë fazë, është e nevojshme: këto vende janë hapësira publike, ato nuk janë pronë dhe as nuk mirëmbahen nga asnjë individ ose grup i veçantë, fetar ose politik. Sidoqoftë, duhet të shtrohet pyetja: a janë në pronësi apo a menaxhohen nga ndonjë individ apo nga ndonjë grup?

Në fillim të nëntorit mbajta një ligjëratë në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë mbi “Trashëgiminë e mizorive”, dhe i pyeta studentët: “Kush vendos se çfarë duhet të përkujtohet dhe pse? Çfarë do të thotë kjo për procesin e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe për mënyrat me të cilat shtjellohet e kaluara?” Vetëm duke bërë një pyetje të këtillë, studentëve të mi iu ndriti në mendje që të pyeten se, me të vërtetë, kush kishte kontroll për atë se çfarë duhet të përkujtohet dhe si!

Teorikisht, autoriteti që vendos se si dhe pse duhet të përkujtohen dhe shndërrohen në trashëgimi pjesë të historisë së caktuar posedon edhe ndikimin brenda procesit politik në nivel kombëtar. Sidoqoftë, shndërrimi i një vendi në vendpërkujtimore dhe trashëgimi kulturore vjen bashkë me përgjegjësinë për ta menaxhuar dhe për ta ruajtur atë si duhet. Ruajtja dhe administrimi i një vendi të trashëgimisë kulturore dhe i një vendpërkujtimoreje është një proces kulturor në vetvete, me vlerë dhe me kuptim.

Le të kthehemi prapa në kohë për një çast. Gjatë luftës në Kosovë 1988-1999, u vranë rreth 10.800 shqiptarë, mes tyre fshatarë, gra dhe fëmijë të pafajshëm. Nga këto mizori pësoi gjithë popullata e Kosovës, në gjithë territorin dhe në mënyrë sistematike. Ndërsa lufta po i afrohej fundit dhe Beogradi po e humbte kontrollin, mijëra trupa të viktimave të pafajshme u hodhën në kamionë të ndryshëm dhe përfunduan në varre masive nëpër gjithë Serbinë. Tani, mbi njëzet vjet pas përfundimit të luftës, është e qartë se kjo çështje nuk ka lënë ndonjë përshtypje domethënëse në ndërgjegjen publike.

Fjala monument, që rrjedh nga latinishtja, do të thotë të përkujtosh, të paralajmërosh ose të këshillosh. Duke pasur parasysh këtë, kur një vend shndërrohet në vendpërkujtimore, bëhet simbol për shoqërinë që përfaqëson. Ky vend ekziston me qëllimin që të paralajmërojë, të këshillojë ose të përkujtojë brezat e ardhshëm për ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ato që duhet të shmangen në të ardhshmen.

Në Kosovë, përkujtimi i së kaluarës mori dy kahje. E para është kjo nismë zyrtare ‘brenda natës’, ajo që lavdëron luftëtarët duke vendosur shtatore në hapësira publike. Kjo është ajo që ka mbizotëruar në narrativën përkujtimore të pasluftës.

Sidoqoftë, kahja e dytë u ndërmor nga individë të ndryshëm: fushata e një nëne për të gjetur eshtrat e djalit të hasretit (Nesrete Kumnova); një komunitet që përkujton viktimat, eshtrat e të cilëve janë gjetur në një varr masiv; një pronar i picerisë që ruan pronën e tij që ishte vend i një masakre (Suharekë); përpjekja e një gruaje fikall të vetme për ta kthyer shtëpinë e familjes së saj në muze, për të ruajtur kujtimin dhe sendet e burrit dhe të katër djemve të saj, trupat e dy prej të cilëve janë gjetur në një varr masiv (Ferdonije Çerkezi). Kosova ka parë shumë mënyra të ngjashme të ruajtjes së kujtesës kolektive përmes ekspozitave ose ruajtjes individuale të artefakteve.

Por, nëse këto shtatore vazhdojnë të mbajnë nën hije vendpërkujtimoret e Kosovës, dhuna dhe dhembja që kanë pësuar njerëzit e pafajshëm kurrë nuk do të pasqyrohen në mënyrë të vërtetë. Këto pamje të shtatoreve të shumta të luftëtarëve nuk ua bën të mundur njerëzve që jetojnë pranë tyre një pamje të plotë të rrëfimit që ata synojnë të përkujtojnë. Përkundrazi, ato lënë përshtypjen se kjo ishte një luftë e lavdishme, një qërim hesapesh mes dy grupesh ushtarake: të forcave serbe dhe të UÇK-së. Por kjo është vetëm pjesë e asaj historie të plotë.

Unë, bashkë me disa gazetarë spanjollë, në mars të vitit 1998, pata shkuar në Prekaz, vetëm katër orë pasi forcat serbe qenë tërhequr. Pati ndodhur një sulm kundër disa familjeve, duke pasur cak të qartë vetëm gratë dhe fëmijët që qenë gjendur të vetëm në shtëpitë e tyre, jo në fushë të betejës.

Sot, në vendpërkujtimoren e Prekazit, vula e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të shihet kudo, përbri me fotografitë që portretizojnë Adem Jasharin. Shtëpia e tij familjare ruhet si qendër e operacioneve të tij, motoçikleta e tij zë një vend të veçantë në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Nëse e shikojmë nga një vështrim i gjerë, ky vend nuk pasqyron historinë e dhembshme të atyre familjeve. Sidoqoftë, krijon përshtypjen se në atë vend ka ngjarë një luftë heroike nga ana e komandantit legjendar. Nuk jam bash krejt e sigurt se për çfarë mund të shërbejë kjo si përkujtimore, si paralajmërim ose si këshillë për brezat e ardhshëm, kur ajo që ka ndodhur në Prekaz nga ky memorial pasqyrohet vetëm pjesërisht.

Vendpërkujtimoret e Kosovës janë të fragmentuara dhe nuk portretizojnë ngjarjet tragjike, të cilave iu ekspozuan ose ishin viktima të saj njerëz të pafajshëm. Për shembull, shumica e vendeve ku ndodhën masakrat nuk janë të shënuara me kurrfarë shenje, ato janë të njohura vetëm për studiuesit si unë, që gjurmojnë të kaluarën, dhe për ata që janë prekur drejtpërdrejt e kanë mbetur shpirtdjegur përgjithmonë nga ajo që ka ndodhur atje.

Shtatoret nuk janë lloje të vetme të vendpërkujtimoreve, natyrisht, por përpjekjet e tjera zyrtare për të përkujtuar gjithashtu janë të pamjaftueshme. Disa vendpërkujtimore janë shënuar në trajtë varrezash  uniforme, shpesh me viktima të përfaqësuara me gurë identikë, të gjitha me një madhësi të njëjtë. Këto varre katrore me pllaka mermeri kanë për qëllim të shënojnë vdekjen e burrave, grave dhe fëmijëve të moshuar. Varreza në Gjakovë, për shembull, ka disa varre boshe që presin eshtrat e njerëzve të zhdukur të kthehen nga varret masive në Serbi. Sidoqoftë, se kë përkujtojnë këto varre nuk do të dihet kurrë nga një vizitor i rastit, sepse pllaka që do të shohin ata që kanë ardhur të shprehin nderimin e tyre, pasi të hyjnë, i referohet vetëm “dëshmorëve të kombit”.

Është e vështirë të krijosh një lidhje me trashëgimitë e dhembshme të përfaqësuara nga këto vende, duke qenë se nuk ka asnjë shenjë ose përshkrim të ngjarjeve që kanë ndodhur. Këta njerëz ishin individë të pafajshëm, të cilët ishin marrë nga shtëpitë e tyre. Por, ata shpesh portretizohen si ‘dëshmorë’ dhe ‘heronj’ dhe jo si viktima të një regjimi të egër që synonte të shfaroste një grup njerëzish për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare. Dikush do të përdëllehet kur të përballet me një përshkrim të tillë vizual të numrit të madh të viktimave që gjenden në këto varreza, por e vërteta është edhe më e thellë se kaq.

Duhet të jemi të kujdesshëm kur vjen puna te përdorimi i hapësirave publike për të përkujtuar të kaluarën. Një shoqëri që ka përjetuar dhunë e mizori, mbetet e shkatërruar edhe fizikisht, edhe me përjetime traumatike personale e kolektive; që të dyja formojnë identitetin dhe kulturën shoqërore. Dokumentimi i ngjarjeve të së kaluarës përmes përmendoreve, historive gojore dhe varrezave bëhet një aspekt integral i trajtimit të së kaluarës. Ajo vë në lëvizje potencialin që të nisë procesi i shërimit dhe procesi i shqyrtimit të së kaluarës. Përkushtimi ndaj së kaluarës, në trajtat mbizotëruese aktuale, shkakton hutesë, e në rastin më të keq, në të vërtetë, vë në rrezik të kuptuarit tonë për atë që ka ndodhur. Një gjë është e sigurt: nëse vazhdojmë të vëmë në lojë të vërtetën, jemi ne, njerëzit që mbajmë vurratat e luftës, që do t’i ndiejmë më së shumti pasojat e kësaj.

 

Ky artikull është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight dhe është përkthyer nga Agim Morina.

Nora Weller është këshilltare ligjore për politikë së jashtme, dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ajo vepron nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë personale.

(Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë mendime vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN-it)

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!