Vdes Njëri nga Serbët e Plagosur

(E plotësuar)

Një serb është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në një incident me armë zjarri në lagjen me popullatë etnikisht të përzier – Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës. Të tre ata janë të përkatësisë kombëtare serbe, ndërsa njëri prej tyre është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, konfirmoi se Sava Mojsiq vdiq nga plagët herët në mëngjes, pas operacionit që zgjati disa orë, në spitalin në veri të Mitrovicës.

Polica po heton detajet që shkaktuan përleshjen. Zëdhënësi Hoti tregon se policia kishte marrë fillimisht informatën prej banorëve shqiptarë se shqiptarë dhe serbë po rrihen në Kroin e Vitakut.

“Policia ka intervenuar t’i ndajë, për ta parandaluar përleshjen. Derisa janë ndarë të dy grupet, duke u tërhequr kanë pasuar të shtënat në drejtim të serbëve”, i tha Hoti, Gazetës JnK.

“Polici i lënduar është qëlluar gjatë intervenimit. Edhe dy civilë tjerë janë plagosur nga arma automatike, njëri nga të cilët vdiq nga plagët”,  shtoi Hoti.

Gjendja e dy të plagosurve është serioze.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se incidenti “është akt i patolerueshëm dhe i papranueshëm që e shkatërron paqen dhe stabilitetin në vend”.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër incidentin, ndërsa ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtij akti të rëndë të nxirren para drejtësisë.

Qeveria ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës për qetësi dhe maturi, duke u përmbajtur nga çdo akt i dhunës, “ngase përdorimi i dhunës është i papranueshëm në shtetin demokratik të Kosovës”.

Sipas agjencisë së lajmeve Tanjug, Krstimir Pantic, kryetar i komunës veriore të Mitrovicës, e ka quajtur incidentin “sulm terrorist”.

Policia e EULEX-it është ftuar që t’i ndihmojë forcat lokale në mbajtjen e dy palëve të ndara.