Vazhdojnë të Mbështesin Termocentralin e Ri

Një termocentral me dy njësi që prodhojnë nga 300 megavatë energji elektrike në orë do të ishte më i leverdishëm për Kosovën bazuar në një analizë të ekspertëve të Bankës Botërore. 

Koncentrimi i një termocentrali me 600 megavatë brenda një parku energjetik, sipas tyre, nuk është në pajtim me politikat për ruajtjen e mjedisit. 

Për këtë arsye, treshja e ekspertëve i ka propozouar Bankës Botërore këtë model ndërtimi të termocentralit Kosova e Re e cila do të jetë garantuese e investimeve private në këtë projekt të nisur nga Qeveria e Kosovës. 

Paneli prej tre vetash ka rekomanduar që autoritetet kosovare duhet të punojnë në meremetimin e një termocentralit të KEK’ut të njohur si B2 e mbylljen e njësisë B1. 

Një tjetër punë që duhet të kryhet, sipas tyre, është edhe vazhdimi i punës për privatizimin e distribucionit. 

Qeveria e Kosovës veç i ka parakualifikuar katër kompani ndërkombëtare për blerjen e këtij aseti e ky proces, sipas ekspertëve të Bankës Botërore, duhet të kryhet pasi që do të ndikojnë në eliminimin e humbjeve komerciale e teknike të Korporatës Energjetike në Kosovë. 

Termocentrali Kosova e Re i nisur në 2006-ten dhe i paraparë të jetë një termocentral prej 2100 megavatësh që ishte pagëzuar si “Kosova C”, aktualisht është në fazën e përzgjedhjes së këshilltarëve të transaksionit që do të kontraktohen nga Qeveria e Kosovës. 

Kompania që do të kontraktohet nga Qeveria e Kosovës brenda 2012-es duhet të bëjë përmbylljen financiare të projektit. “Synimi i detyrës është që Konsulenti të ndihmojë Autoritetin Kontraktues për të arritur, jo më vonë sesa 31 dhjetor 2012, përmbylljen financiare të transaksionit të Termocentralit Kosova e Re me një investitor nga sektori privat”, thuhet në përshkrimin e punës së kompanisë që do të kontraktohet nga Qeveria e Kosovës. 

Sipas planeve qeveritare, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” pritet të nisë më 2013. 

Veç rekomandimeve për energjinë nga linjiti, ekspertët e Bankës Botërore që e kanë vizituar Kosovën në gusht të vitit të shkuar, kanë këshilluar që autoritetet kosovare të angazhohen edhe në hidroenergji përkatësisht ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit si dhe në përfitimin e energjisë nga era.