Udhëtimi i Sigurt i Sekreteve të Snowdenit

Mbiemri i tij ta kujton ftohtësinë, rënien e borës, Snow…den.

I tillë mund të jetë bërë për agjencitë shtetërore inteligjente amerikane, ish-punonjësi i CIA-s dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) që nga koha kur publikoi sekrete të rëndësishme amerikane e britanike, duke filluar nga maji i vitit 2013.

Eduard Snowden, një specialist kompjuterësh tronditi edhe një herë botën e fshehtë të njerëzve dhe shteteve të fuqishme, në kohën kur filloi të harrohet WikiLeaks-i i Julian Asange-s që publikoi sekrete shtetërore amerikane dhe botërore që nga viti 2010 e tutje.

Snowden duke pasur vetë qasje në sistemet e përgjimeve, tregoi me dokumente se amerikanëve iu përgjohen bisedat telefonike dhe komunikimet elektronike, me bekimin e organeve gjyqësore të shtetit.

Ai në maj publikoi një dokument të Gjykatës për Përgjimin dhe Zbulimin e të Huajve (FISC), një gjykatë federale amerikane e themeluar dhe e autorizuar për shikimin e kërkesave të përgjimeve të qytetarëve të huaj të dyshuar për spiunazh brenda ShBA-ve.

Gjykata lejonte përgjimin dhe incizimin e komunikimeve eletronike dhe telefonike të amerikanëve që përdornin telekomunikimet e kompanisë Verizon, në një afat prej tre muajsh. 

Gjykata lejonte përgjimin dhe incizimin e komunikimeve eletronike dhe telefonike të amerikanëve që përdornin telekomunikimet e kompanisë Verizon, në një afat prej tre muajsh.  

Në një dokument tjetër të zbuluar nga Snowden shihet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) ka shkelur privatësinë e amerikanëve në 2 mijë e 776 raste, prej prillit të vitit 2011 e deri në majin e 2012-ës, duke përgjuar në mënyrë të paautorizuar.

Këtë e ka vënë në dukje një raport auditimi i brendshëm, i publikuar nga Snowden. Raporti tregon se NSA-ja nuk u raporton drejt dhe plotësisht Kongresit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Këto gjëra nuk ishte lehtë të bëheshin të njohura, të dilnin në dritë, por Snowden për t’ia dalë misionit të ndërtimit të një bote pa sekrete, përdori truqet e atyre që u vidhte të fshehtat.

Gjakftohtësisht ai gjeti ndihmësit e tij, njerëzit që u besoi dhe më pas i besuan, ndërtoi një rrjet të sigurt komunikimi, para publikimit të të dhënave për përgjimet.

Gazeta New York Times më 13 gusht zbuloi rrugën elektronike të udhëtimit jashtë vendit të sekreteve të publikuara nga Snowdeni.

Sipas gazetës, e tëra nisi me një e-mail anonim, nga ata që nxisin kurreshtjen, të drejtuar në postën elektronike të krijueses së dokumentarëve Laura Poitras, në janarin që shkoi.

Dërguesi anonim që ishte Eduard Snowdeni, i kërkonte Poitras-it kodin e saj publik të kompjuterit, për t’i dërguar informata të shifruara që vetëm ajo pastaj mund t’i deshifronte, duke përdorur kodin e saj privat.

Kjo procedurë ndiqet në rrjetin elektronik global, kur dy persona dëshirojnë të komunikojnë, më të mbrojtur nga përgjimet e mundshme.

Snowden kishte zgjedhur Poitras-in si ndihmësen e tij të mundshme, për faktin se dokumentarbërësja kishte punuar dy vjet të tëra për një film dokumentar rreth përgjimeve.

Snowden kishte zgjedhur Poitras-in si ndihmësen e tij të mundshme, për faktin se dokumentarbërësja kishte punuar dy vjet të tëra për një film dokumentar rreth përgjimeve

Për Snowdenin në këtë rast Poitras paraqiste pusin e përrallës, ku berberi kishte bërtitur: mbreti ka brirë!

E-maila të tillë të çuditshëm nuk ishin të panjohur për Laura Poitras-in. Ajo shpesh merrte pyetje elektronike nga individë të ndryshëm për temën e përgjimeve, pasi e kishte studiuar këtë çështje, duke e punuar dokumentarin  e saj.

Poitras i tha New York Times-it të martën, se ia dërgoi kodin e saj publik të kompjuterit dërguesit anonim, pa menduar se çfarë do të dalë nga komunikimi i ardhshëm.

Pastaj në mesazhin tjetër të shifruar, të cilin mund ta deshifronte vetëm Laura Poitras, Snowden i kërkonte asaj fuqizimin e sistemit mbrojtës të këtij komunikimi, duke i propozuar një fjalëkalim të gjatë që do t’i përballonte sulmet e mundshme të fuqishme nga njohësit e teknologjisë informative.

Shpjegimi për mbrojtjen shtesë ishte se do t’i dërgonte informata shumë të ndjeshme. Kur deshifroi mesazhin tjetër, pasi u krijua sistemi i mbrojtjes së komunikimit, Poitras kuptoi se qeveria kishte shumë projekte përgjimi, të cilat Snowden vetëm ia kishte skicuar.

Poitras dinte vetëm për njërin prej tyre, ndërsa Snowden përfundonte komunikimin elektronik me fjalinë: “Mund t’i vërtetoj të gjitha këto”.  

Ishte tronditëse, ajo çfarë ai pohonte dhe pretendonte ta vërtetojë

“Mendova…, në rregull, nëse kjo është e vërtetë, jeta ime sapo ndryshoi. Ishte tronditëse, ajo çfarë ai pohonte dhe pretendonte ta vërtetojë”, i tha Poitras New York Times-it në korrik.

Poitras-it më pas i shkoi mendja se mos ndonjë agjent sekret amerikan po e provokonte, duke ditur për dokumentarin e saj rreth përgjimeve. Ajo kishte intervistuar edhe Julian Asange-n, themeluesin e WikiLeaks-it për filmin e saj.

E ftova të takoheshim jashtë vendit, tregon Poitras vazhdimin e historisë së letërkëmbimit elektronik me Snowden-in.

“Ose jeni duke marrë përsipër rreziqe të mëdha, ose po tentoni të më fusni në kurth mua dhe personat që njoh, ose jeni i çmendur”, tregon për New York Times t’i ketë thënë Poitras Snowden-it.

Pastaj bashkë me ish-avokatin dhe kolumnistin e gazetës angleze Guardian, Glenn Greenwald, Poitras takoi Snowdenin në Hong Kong, në fillim të qershorit.

“Më mendonin më të vjetër”, i tha Snowden New York Times-it, duke komentuar takimin me Poitras-in dhe Greenwald-in. Sekretzbuluesi ka vetëm 30 vjet jetë.

Snowden u dha atyre mijëra dokumente sekrete. Pastaj, e vërteta për programet e përgjimeve doli së pari në Guardian-in britanik. Snowden shpjegoi për New York Times-in,pse zgjodhi një gazetë britanike përpara atyre amerikane, për publikimin e sekreteve.

Ai tha se pas 11 shtatorit të vitit 2001 [ditës kur ndodhën sulmet terroriste në ShBA], mediet amerikane nuk po e vëzhgojnë për shkelje të mundshme qeverinë, pasi një gjë e tillë sipas Snowdenit atyre po u duket jopatriotike.

Snowden është duke u munduar të kërkojë diku azil politik, në përpjekje për t’u mbrojtur nga zemërimi amerikan. Njësoj po bën edhe Julian Asange, themeluesi i WikiLeaks-it, tash e një vit. Bota nuk do të jetë më asnjëherë ashtu si ishte.

Ky shkrim është bazuar në raportimet nga New York Times-i dhe nga Guardian-i.