Udhëkryqet e dialogut dhe Speciales në Kosovë

Ideja e ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi pas zhvillimeve të fundit në Kosovë për shkak të arrestimeve të Gjykatës Speciale, nga njohësit e çështjeve politike po shihet si hap i gabuar për palën kosovare.

Arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i parapriu deklaratave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe krye parlamentares Vjosa Osmani të cilët kërkuan ndërprerjen e këtij procesi.

Përderisa kryeministri i vendit Avdullah Hoti u shpreh se dialogu dhe arrestimet e Speciales janë tema të ndara, Bashkimi Evropian theksoi se ky proces nuk ka alternativë dhe si i tillë nuk duhet të përdoret për argumente afatshkurtra politike.

“Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurta politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme t’u ofrojë çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme, Peter Stano.

Në anën tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë thënë për KALLXO.com se dialogu duhet në ndërpritet, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kanë dhënë përgjigje nëse duhet të vazhdoj ky proces ose jo.

LVV: Me qeverinë Hoti nuk mund të vazhdohet dialogu e as të qeveriset vendi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se zhvillimet e Speciales vetëm se e kanë thelluar krizën në Kosovë.

“Vendi tani është në krizë të thellë politike. Qeveria jo legjitime, Kuvendi jo funksional dhe zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale veçse e kanë thelluar tutje krizën në vend. Kështu, nuk mund të vazhdohet as dialogu me Serbinë e as nuk mund të qeveriset shteti i Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ‘varshërmia’ e qeverisë Hoti nga votat e Listës Serbe është duke e dëmtuar edhe më shumë pozicionin e Kosovës në këtë proces.

“Kjo qeveri përballet me problem serioze të legjitimitetit dhe ligjshmërisë së saj. Këtë e di shumë mirë Brukseli, e edhe më mirë Serbia nga e cila varet përmes secilës votë të Listës Serbë. Ky është një absurditet i patejkalueshëm – që një Qeveri e Republikës së Kosovës varet direkt nga Serbia e cila punon papushim për të rrënuar e zhbërë gjithçka që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. E gjithë kjo është në favor të interesave të Serbisë, e në dëm të interesave të Kosovës”, ka thënë Pacolli .

Deputetja e LVV-së, si zgjidhjen më të mirë për të dalë nga kjo situatë i ka parë zgjedhjet e reja në vend.

“Rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë janë zgjedhjet e reja e demokratike. Vetëm një Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë dhe e udhëhequr nga fituesi i zgjedhjeve mund ta përfaqësojë dhe udhëheqë vendin tonë përballë krizës së shumëfishtë dhe ballafaqimin me Serbinë”, ka theksuar ajo.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në një deklarim të tij ditë më parë ka thënë se PDK-ja është opozitë dhe si e tillë nuk jep opinon për këtë proces.

“Dialogu është një proces që bartet nga Qeveria e Kosovës, dhe ju takon partnerëve të koalicionit që ti rishikojnë qëndrimet e tyre në një proces të tillë, me që nuk jemi në tavolinë nuk duhet të japim opinon se çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërprerjen e dialogut deri në një situatë të re, e ka kërkuar edhe partneri i koalicionit qeverisës AAK-ja.

Pse ndërprerja e dialogut nuk është në favor të Kosovës?

Florian Bieber, profesor i Historisë dhe Politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se Gjykata Speciale dhe dialogu janë dy tema të ndara për Kosovën.

“Gjykata duhet të bëjë punën e saj dhe nuk duhet të jetë e lidhur me dialogun ose çështje të tjera. Së pari, lidhja e këtyre dyjave ndërprenë dialogun për vite, gjë që nuk është në interes të Kosovës. Për më tepër, nuk jam i sigurt se cili është mesazhi ose çfarë qeveria e Kosovës shpreson të arrijë përmes një lidhjeje të tillë”, tha ai.

Profesori universitar ka theksuar nevojën që politikanët në Kosovë të mos komentojnë në punën e Gjykatës, duke shtuar që vazhdimi i dialogut është më shumë në interes të Kosovës sesa të Serbisë.

“Kosova ka një interesim më të madh për të sesa Serbia. Qeveria serbe aktualisht nuk është e interesuar për dialog sepse nuk po ngutet të futet në BE, ata po dialogojn për normalizimin e marrëdhënieve. Është paradoksale, nëse është pikërisht Kosova ajo që ndërprenë këtë proces”, tha ai.

“Nuk mendoj se do të ketë një marrëveshje së shpejti, por ka rëndësi se kush shihet përgjegjës. Për sa kohë që Kosova shihet pengesë për të  përparuar procesi,  kjo  favorizon narrativen e Aleksandar Vuçiqit”, theksoi Bieber.

Edhe Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që procesi në Gjykatën Speciale dhe procesi i dialogut në Bruksel janë dy çështje të ndara dhe duhet të mesin si të tilla.

“Këto janë dy procese të ndara, por duhet që e gjithë kjo situatë të na vë para obligimit që të ketë një konsensus të brendshëm politik për të gjitha çështjet nëpër të cilat po kalon Kosova. Duhet të ketë një strategji sesi të përballemi me këtë çështje dhe të mos ketë reagime AD-HOC sepse në këtë mënyrë veç më shumë e dëmtojmë shtetin tonë”, ka theksuar ajo .

Kosova përballë nevojës për unifikim të brendshëm në dialog

Profesori universitar, Bieber është shprehur skeptik për dialogun duke marrë parasysh ‘brishtësinë’ e qeverisë Hoti, por që sipas tij kjo thekson nevojën e unitetit politik.

“Unë jam veçanërisht skeptik për këtë dialog, duke marrë parasysh dobësinë e qeverisë Hoti dhe gatishmërinë e qeverisë serbe për të ndërmarrë hapa drejt një kompromisi, mendoj se ndërprerja e dialogut është sinjal i gabuar”, tha ai.

“Dialogu në Kosovë duhet të kaloj përtej vijave politike të qeverisë duke u mbështetur në një bazë më të gjerë dhe do të ishte e dobishme të fokusohej në çështjet politike që janë me pak të kontestuara në Kosovë’, theksoi Bieber.

Tutje ai ka thënë që mungesa e unitetit politik në Kosovë dhe mungesa e një qeverie stabile vazhdimisht i ka shërbyer palës serbe në procesin i cili ka filluar nga viti 2011 në Bruksel.

“Paqëndrueshmëria e brendshme në Kosovë me vite i ka shërbyer palës serbe shumë mirë. Unë kam dyshime serioze në lidhje me gatishmërinë e Serbisë nën Vuqiç për të gjetur një zgjidhje që do të çonte në një normalizim të marrëdhënieve, por angazhimi i tij nuk është testuar pasi pala e Kosovës ka qenë duke luftuar me ndryshimin dhe qeveritë e dobëta dhe tensionet midis presidentit dhe qeverisë për vitet e fundit”, ka theksuar ai.

Edhe Jeta Krasniqi, analiste nga KDI e ka parë si shumë të nevojshëm unitetin e brendshëm në Kosovë.

“Mbetet shumë e rëndësishme që në kuadër të dialogut të ketë një konsensus të brendshëm politik dhe të ketë një qartësi rreth këtij procesi. Jemi duke e parë që edhe brenda vet koalicionit qeverisës ka qëndrim të ndryshme për këtë proces, unë e shoh mëse të nevojshëm unitetin e brendshëm dhe ripozicimin e Kosovës në këtë procese”, ka thënë ajo.

Ditë më parë, krye parlamentarja njëherësh u.d. e presidentes së vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për DË, ka theksuar nevojën që të ndërpritet dialogu për tu unifikuar në këtë proces.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, ka thënë Osmani.