Thaçi: Serbia Përgjegjëse Nëse Përsëriten Incidentet

“Ne e dimë çfarë ka ndodhur, kush e shkaktoi dhe pse e bëri këtë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi për gazetën londineze Guardian, të enjten, teksa ka folur për incidentet në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, më tre nëntor.

Nëse incidentet përsëriten më 17 nëntor, Thaçi ka shtuar se do ta bëjë përgjegjëse për to Serbinë, ndërsa edhe një herë u ka bërë thirrje banorëve të veriut në qytetin e ndarë që të dalin në zgjedhjet që përsëriten këtë të diel.

Nga pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje, humbës sipas Thaçit do të jenë vetëm ekstremistët dhe radikalët e veriut.

Në tri komunat veriore Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan dalja në zgjedhje u kufizua vetëm në shifrat e 22 përqindëshit të trupit votues, derisa në shumë komuna me shumicë serbe të pjesës këndej Ibrit, dalja kaloi  50 përqindëshin.

Thaçi i tha The Guardianit se sikur të mos ekzistonin presioni, kërcënimet dhe metodat tjera, të përdorura për frikësim nga ata që donin bojkot të zgjedhjeve, dalja do të kalonte 25 përqindëshin.

Ajo çfarë na duhet tash është një stabilitet politik në veri dhe krijimi i institucioneve legjitime bashkë me investimet. Pastaj gjërat do të ndryshojnë, tha më tutje Thaçi.

“Kosovën nuk e rrezikon integrimi i serbëve. Kosova rrezikohet nëse ata nuk integrohen”, shtoi kryeministri.

Ai marrëveshjen e 19 prillit për normalizim marrëdhëniesh të arritur në Bruksel e vlerësoi si zgjidhjen më të mirë që Kosova e Serbia të bëhen pjesë të BE-së.

Thaçi kritikëve të kësaj marrëveshjeje iu drejtua me fjalët: Si ta tejkalojmë situartën e krijuar me Serbinë? Të luftojmë përsëri? Ta vrasim njëri-tjetrin?

Ne nuk luftuam kundër serbëve në vitin 1999, por kundër mekanizmit represiv të Serbisë, tha Thaçi.

Duke folur për proceset gjyqësore kundër ushtarëve të UÇK-së, Thaçi tha se të gjithë ata ushtarë që shpallen fajtorë nga gjykatat nuk do të kenë vend në partinë e tij dhe as në politikën kosovare.